Shkolla shqipe e Neproshtenit – të Tetovës në kohën e Administrimit Shqiptar (1941-1943)

Shkruan: Syrja Etemi

Syrja Etemi
Syrja Etemi

Në pretendimin për hartimin e historikut të arsimit dhe shkollës shqipe në Trevën e Tearcës, nuk mund të lë anash edhe peripecitë arsimore të fshatit Neproshten. Prandaj, mu ky fakt më shtyri që të futem pak më thellë në të kaluarën arsimore e shkollore të sajë, të ingravuar me plotë dritëhije, të themi: më shumë hije se sa dritë; të gërmoj e të nxjerri në sipërfaqe thesare mbushulluese, në mënyrë që t’ua servoj dashamirëve të vlerave tona arsimore e kombëtare. Me këtë nuk pretendoj vetëm të çjerri tisin e anamnezës që ka pllakosur gati çdo vlerë dhe pasuri të traditës, por edhe të mundohem t’i shpëtoj ato nga humbëtirat e kohës. E, me këtë rast, papandehur i dorëzohem impulsit për të shuar xixat prafulluese të kërshërisë sime përgjëruese për të njohur, kuptuar dhe publikuar historikun që ka të bëjë me arsimin dhe shkollën shqipe në vendbanimin, që dikur konsiderohej fshati i fundit i krahut verilindor të Tetovës, që i takonte Pushtetit në Administrimin Shqiptar, përkatësisht “Shipnisë” (vitet: 1941-1943).

Foto: Syrja Etemi
Foto: Syrja Etemi

Si erdhi deri te themelimi i shkollës fillore?

Në kontekst të historikut të arsimit dhe shkollës shqipe në Neproshten, për kurreshtarët e beftë të këtij vendbanimi, dhe jo vetëm, është me rëndësi të theksohet fakti apodiktiv se e kaluara arsimore dhe edukative fundekrye përligjej me frymën e traditës atdhetare e kombëtare, e ku mësuesit ishin shqiptarë dhe programet arsimore përshkoheshin ekskluzivisht në gjuhën amtare shqipe – për nxënësit shqiptarë të kësaj ane, por fatkeqësisht deri në këtë vendbanim, ndërsa pjesa tjetër shqiptare, nga Sllatina e këtej – deri në Jazhincë popullata shqiptare “edukohej” me “qutek bullgari”, siç thonin gjeneratat që kanë përjetuar këtë tmerr e skëterrë.

Patjetër të futemi pakëz në histori…

Këshilli administrativ i Ministrisë në Tiranë, në marsin e vitit 1942, në mënyrë të gjithanshme e analizoi rrjetin e posaformuar të shkollave fillore shqipe në Maqedoni e në Kosovë, ku ndër shumë shkaqe që e pengonin përshpejtimin e zhvillimit cilësor të arsimit të detyrueshëm fillor pesëvjeçar, ishte mungesa e kuadrit mësimor. Në shumë fshatra edhe pse ekzistonin ndërtesa shkollore, madje të përgatitura e të pajisura teknikisht për punë, nga mungesa e mësuesve ato nuk u hapën në vitin 1941/42, siç ishte edhe rasti me Neproshtenin. Problem ishte edhe mosnjohja e gjuhës shqipe, prandaj, Ministria e Arsimit vendosi që gjatë verës së vitit 1942 të fillojnë të funksionojnë kurset e posaçme, të cilët kishin karakter të përkohshëm, por në këto kurse ishte paraparë zhvillimi i rregullt i mësimit për të luftuar analfabetizmin. Këto kurse i përfshinin nxënësit e shkollës fillore dhe frekuentuesit e moshuar – të rriturit.

Më 14 korrik 1942, Ministria e Arsimit telegrafisht e informoi Inspektorinë e Arsimit në Tetovë mbi emërimin e mësuesve për të punuar në kurset verore 1942 në Qarkun e Tetovës, ku u përfshi edhe Neproshteni, me ç’rast u emërua mësuesi Kiço Panidhi. (Shih: Prof. dr. sc. Abdylazis Veseli: Shkollat dhe arsimi shqip në Maqedoni gjatë periudhës 1941-1944, fq. 180).

Foto: Syrja Etemi
Foto: Syrja Etemi

Mësuesi në fjalë, përveç që realizonte këtë aktivitet me banorët e këtij vendbanimi (në objektin e xhamisë së fshatit), bënte edhe përgatitjen për fillimin e vitit të rregullt mësimor: 1942-43. Kështu edhe përpjekjet këmbëngulëse u kurorëzuan me sukses: shkolla fillore në fjalë, me disa vështirësi të vogla u hap në vitin shkollor 1942/43. Kishte gjithsej 43 nxënës, pa asnjë vajzë. Mësuesi i parë i shkollës së Neproshtenit ishte Emin Softa. (Shih: Raporti final i Inspektorit t’Arsimit në Tetovë për vitin shkollor 1942/43 (AQSH, F-295, v. 1943, d.78, fl.28).

 Shkolla fillore: “Ilirija” – Neproshten (Mësuesi me nxënësit). Foto: Syrja Etemi
Shkolla fillore: “Ilirija” – Neproshten (Mësuesi me nxënësit). Foto: Syrja Etemi

Në vitin shkollor 1943/44, shkolla fillore “Ilirija” e Neproshtenit i kishte gjithsejt 82 nxënës, prej të cilëve 53 meshkuj dhe 29 femra, të cilët punonin në kl. I dhe të II fillore. (Shih: Raporti final i Inspektorit t’Arsimit në Tetovë për vitin shkollor 1942/43 (AQSH,F-295, v. 1944, d.146, fl.64).

Duke shfletuar dokumente të kohës të lëshuara nga, siç thuhet: Inspektorati i Arsimit të Mbretnisë Shqiptare, përkatësisht: Lista e Personelit Mësimuer e Administrativ të Qarkut t’Inspektorisë s’ Arsimit të Dibrës, që ka të bëjë me Notat e cilësimit për vitin shkolluer: 1941 – 1942, mësuesi i parë i shkollës fillore: “Ilirija”, Emin Softa, me “sjellje” vlerësohet: “e mirë” (nga kategoritë: “disi” , “e mirë” dhe “shëmbullore”). Në indikatorin: “zelli”, mësuesi në fjalë vlerësohet me nivelin: “i mirë”. Po kështu paraqitet edhe Gjendja shëndetësore: “e mirë”. Në indikatorët tjerë që kanë të bëjnë me: Aftësitë Pedagogjike, nga katër nivelet: e dobët, disi, e mirë, shumë e mirë, mësuesi, Emin, rangohet në nivelin apo me vlerësimin: “e mirë”. Po këtë vlerësim e merr edhe në notimin përfundimtar: cilësimi vjetuer, që d.m.th. “i mirë”. Ky vlerësim vjetor ka këto kategori: “dobët”, “kalueshëm”, “i mirë” dhe “shum’ i mirë”. Nëqoftëse na mungojnë deklaratat e ish nxënësve që kanë patur fatin të jenë nxënës të mësuesit Emin Softa e të na deklaronin për atë se çfarë personaliteti duhet të ketë qenë mësuesi i parë i shkollës: “Ilirija” – Neproshten, të dhënat dokumentale flasin qartë për të. Prandaj, jo vetëm ky vendbanim duhet të mburet me mësuesit e Shqipnisë, të brumosur me atdhetarizëm, plot zell e entuziazëm, por, me këtë duhet të ndjehen krenar edhe mbarë dashamirët dhe arsimdashësit e mirëfilltë, që kanë qenë jashtë këtyre zonave që i kanë takuar territorialisht Mbretnisë Shqiptare, e, ku frymonte lirshëm shkolla shqipe, me mësues shqiptarë e programe arsimore të rafinuara që pulsonin shqip.

Plani mësimor dhe favorizimi i gjuhës shqipe

 Si të gjitha shkollat fillore në kuadër të Administrimit Shqiptar, edhe shkolla fillore: “Ilirija” – Neproshten, ka funksionuar sipas planit mësimor të Ministrisë së Arsimit, të drejtuar nga i madhi Ernest Koliqi. (Për këtë, ma detajisht shifni dhe veneroni në vijim)

Duke i hedhur një vështrim analitik planit dhe programit mësimor me të cilin funksiononte shkolla shqipe e kësaj kohe, menjëherë të bie në sy fakti indikativ, i cili dëshmon favorizimin e gjuhës shqipe (me 14 apo 13 orë në javë). Këtë komparacion e bëjmë edhe në rrafshin vertikal të kuantumit apo numrit të përgjithshëm të orëve të dedikuara për lëndën e gjuhës shqipe vizavi lëndëve tjera mësimore, por edhe në rrafshin horizontal – duke marrë parasysh tretmanin e gjuhës shqipe si lëndë mësimore nga periudha e pasluftës e deri më sot. (Shih: Plani mësimor për shkollën fillore – fondi i orëve brenda javës).

 PLANI MËSIMOR

I shkollave fillore në kuadër të Administrimit Shqiptar, dhe shkolla fillore: “Ilirija” – Neproshten, që ka funksionuar sipas planit mësimor të Ministrisë së Arsimit.

  Lëmitë mësimore

 

Plani mësimor për shkollën fillore

-fondi i orëve brenda javës

Kl.I Kl.II Kl.III Kl.IV Kl.V
1 Gjuhë shqipe 14 orë 14 14 13 13
2 Mësim jete e njohuri

Vend-lindje

4/2 4/2 3
3 Arithmetikë 5 6 6 6 6
4 Histori, gjeografi e mësim shtetnor 5 6 6 6 6
5 Mësim natyre e sendesh 3 3
6 Vizatim e punëdore 2/2 2/2 2/2 2 2
7 Këngë 2/2 2/2 2/2 1 1
8 Gjimnastikë 3 2 2 2 2
  Gjithsejt: 25 26 27 28 28

Shënim: Kur bëjnë djemtë vizatim a punë dore, vajzat do të bëjnë punën e dorës së tyre nga mësuesja e posaçme ose nga mësuesja e shkollës

 Për mësimin e gjuhës shqipe fondi javor i orëve sipas klasëve ishte specifikuar sipas lëmive mësimore të lëndës mësimore të gjuhës shqipe siç paraqitet në tabelën (pasqyrën) vijuese:

  Lëmitë mësimore

të gjuhës shqipe

Mësimi i gjuhës shqipe

-fondi i orëve brenda javës sipas klasëve

Kl.I Kl.II Kl.III Kl.IV Kl.V
1 Zvillim germash 4 orë
2 Shkrim e këndim(lexim) 5 5 5 4 4
3 Rrëfime e kallzime 2 2 2 1 1
4 Ushtrime të të folurit 2 1 1 1 1
5 Recitacion 1 1 1 1 1
6 Hartim 2 2 3 3
7 Diktim 2 2 3 3
8 Orthografi   1 1    
  Gjithsej: 14 14 14 13 13

Disa të dhëna plotësuese

Për objektin e shkollës dhe mësuesit e parë të saj, do t’i referohemi disa të dhënave nga kryetari i B.L. të f. Neproshten dhe ish mësuesi i kësaj shkolle, Nazmi Azizi (nga viti 2018):

  • Objekti i shkollës (së tanishme) ka filluar të ndërtohet nga viti 1948 dhe 3-4 vjet ka zgjatur puna rreth ndërtimit të saj.
  • Në vitin shk. 1952/53 fillon me punë gjenerata e parë e katërvjeçares
  • Mësues i parë ka qenë, Irfan Hoxha nga Struga e më vonë edhe Mexhit Ismaili nga Tetova.
  • Nxënësit e ciklit lëndor (nga kl.V-VIII) kanë ndjekur mësimin në shkollën fillore – Tearcë, kurse, nga viti shk.1974-75 deri në vitin 1998, mësimin e përcjellin – në Sllatinë.
  • Në vitin 1998 hapet tetëvjeçarja.

Kështu, në vend të përfundimit, do të përçoja një mesazh dashamirës tek autoritetet arsimore në vend, më konkretisht: do të doja që, hartuesit e programeve arsimore të kthejnë sytë pakëz nga e kaluara e shkollës së traditës, për të nxjerrë përvojat positive, nga njëra anë, e të flaken ato që rëndojnë programet tona arsimore, në anën tjetër. Jo gjithçka që është e “vjetër” duhet fshirë nga praktika… Ja programet e reja që terrorizojnë shkollën tonë “moderne”: tre gjuhë tjera të huaja i qëndrojnë mbi shpinë gjuhës amtare me 5 orë në javë… E, nxënësi i padjallëzuar shqiptar, akoma do të torturohet, jo vetëm me programe volluminoze, por edhe me nga 7 orë mësimore (kl.V) në ditë…