Segmenti i tretë i hekurudhës drejt Bullgarisë: Për BE-në dhe BEI-në projekti aktual është zgjidhja më e arsyeshme e mundur

Qeveria e re e udhëhequr nga VMRO-DPMNE refuzon të zgjedhë ofertuesin më të mirë për tenderin sepse mendon se projekti është i keq, i kushtueshëm dhe i parealizueshëm. Por financuesit kryesorë – BE-ja dhe Banka Evropiane e Investimeve thonë se segmenti i tretë i hekurudhës drejt Bullgarisë është kërkues dhe i ndërlikuar, por është alternativa më e leverdisshme, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Brukseli merr pjesë me gjithsej 210 milionë euro grante në konstruksionin financiar me vlerë 560 milionë euro për ndërtimin e segmentit Kriva Pallankë – Deve Bair, përndryshe pjesë e korridorit 8. Si nga Delegacioni i BE-së ashtu edhe nga Banka Europiane e Investimeve për “360 Gradë”, thonë se ato para do të fillojnë të tërhiqen nëse vendi nuk arrin të gjejë realizues të tenderit aktual.

Nëse në një motor kërkimi në internet shkruani fjalët korridoret pan-evropiane në Ballkan, do t’ju shfaqen Ilustrime si këto. Sipas tyre, dy kalojnë nëpër Maqedoninë e Veriut. Me ngjyrë të gjelbër është Korridori 10, i cili fillon në Salzburg të Austrisë dhe kalon në vendin tonë rreth Kumanovës, Shkupit, Velesit dhe Gjevgjelisë dhe përfundon në Selanik, Greqi.

Me ngjyrë të kuqe është korridori 8, i cili fillon në Bari të Italisë, në vendin tonë kalon pranë Strugës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kumanovës, Kratovës dhe Kriva Pallankës, dhe përfundon në Varna, Bullgari.

“Kur e shikojmë hartën e Evropës, ato duken si venat në trupin tonë. Venat e jetës që kalojnë nëpër territorin e Evropës, jo vetëm nëpër Bashkimin Evropian, por edhe jashtë tij dhe e mbulojnë Ballkanin Perëndimor. Ato janë me interes dhe rëndësi jetike, me rëndësi strategjike dhe ekonomike në mbarë Evropën, jo vetëm në një vend”, thotë Shtefan Hudolin, udhëheqës i bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shkup.

Dhe përderisa Korridori 10 është zhvilluar me autostradë dhe hekurudhë, Korridori 8 nuk është ende i kompletuar. Ka rrugë të asfaltuara, por shumica e tyre nuk janë autostrada. Dhe më e rëndësishmja – nuk ka Lidhje hekurudhore midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Prandaj po investohet në hekurudhën e korridorit 8. Paratë për projektimin dhe për ndërtimin janë një pjesë grante nga BE-ja dhe pjesërisht kredi të favorshme nga institucionet financiare evropiane.

Meqë BE-ja praktikisht na dhuron rreth 210 nga gjithej 560 milionë euro që nevojiten për segmentin Kriva Pallankë – Deve Bair, kërkuam mendimin e tyre për komentet e Qeverisë së sapozgjedhur maqedonase – se segmenti është i planifikuar keq, se është shumë i shtrenjtë për të udhëtuar në të me shpejtësi 60 kilometra në orë, madje edhe se Bullgaria nuk po e ndërton pjesën e saj.

Nga delegacioni i BE-së në vend thonë – hekurudha nga ana bullgare mund të jetë gati shumë më shpejt se ajo maqedonase, ndërsa projekti për pjesën Kriva Pallankë – Deve Bair është zgjidhja më racionale. “Në të vërtetë, terreni i kësaj faze të tretë është kërkues, i komplikuar, por nuk është diçka që nuk mund të tejkalohet me teknologjinë e sotme. Por sigurisht që është më kërkues se segmentet e tjerë. Duke marrë parasysh dimensionin evropian, BE-ja i financon të gjitha pjesët. Financon pjesën në perëndim drejt Shqipërisë, e cila është në fazën e planifikimit, por gjithashtu edhe në anën e Bullgarisë, e cila si shtet anëtar ka një tjetër konstruksion financiar. Aty, vlerësimi ynë është se segmentet e fundit në anën bullgare që mbulohen nga Drejtoria e KE-së për Politika Rajonale përmes fondeve strukturore, janë më pak sfiduese dhe mund të jenë përfunduar dukshëm më herët se 2030. Dhe, duke pasur parasysh periudhën e gjatë kohore në të cilën është përgatitur dokumentacioni, ai është përditësuar gjatë 10-12 viteve të fundit, herën e fundit në vitin 2013, kur u bë vlerësimi adekuat nga financuesit dhe me kujdesin e duhur u konfirmua qëndrueshmëria e kësaj rruge në veçanti, se çfarëdo ndryshimi nuk do të jetë proporcional në raport me burimet që duhen investuar”, thotë Shtefan Hudolin për “360 gradë”.

Për tezat e Qeverisë se projekti për segmentin e tretë është i keq dhe i kushtueshëm, pyetëm edhe në një nga institucionet kredituese të projektit – Bankën Evropiane të Investimeve. Ja çfarë na u përgjigjën:

“Segmenti është projektuar nga konsulentë ndërkombëtarë, është financuar me grant nga IPA, në mënyrë që të arrihet zgjidhja teknike sa më ekonomike që është në përputhje me kërkesat e BE-së për ndërveprim… Për shkak të terrenit të vështirë 75% e segmentit është nëpër tunele ose ura. Pjesa më e madhe e segmentit ka pjerrtësi të konsiderueshme prej 20-25 promilësh në drejtim të ngjitjes drejt kufirit (prandaj një pjesë e segmentit është në formë patkoi, për ta zbutur pjerrtësinë)… Asgjë e pazakontë në nivel global kur bëhet fjalë për këtë lloj terreni. Për të pasur shpejtësi më të larta, do duhet të parashihet segment më i madh për zbutjen e pjerrtësisë dhe/ose më shumë struktura (tunele dhe ura), të cilat do të rrisin shpenzimet”.

Prandaj, si BE ashtu edhe Banka Evropiane e Investimeve mendojnë se bërja e një projekti të ri nuk ka shumë kuptim. Ajo në thelb do të nënkuptojë një ndryshim në shpenzime, që do të thotë të bëhet konstruksion i ri financiar, dhe sigurisht nevojë për një tender të ri.

Ndërsa nëse shpallet një tender i ri, pavarësisht nëse është për shkak të përpilimit të një projekti të ri apo nëse shteti vendos të mos e përfundojë atë aktual, vendi do të humbasë dhjetëra miliona euro.

“Projektet e këtilla infrastrukturore janë sfidë për çdo vend. Përvoja jonë e deritanishme tregon se Maqedonia e Veriut nuk është përjashtim. Pamë vonesa të konsiderueshme në zbatimin dhe realizimin e projekteve infrastrukturore. Në të kaluarën, kjo ka çuar në anulimin e gati 80 milionë euro detyrimesh. “Anulimi i detyrimit” nënkupton paratë që janë rezervuar dhe lënë mënjanë për vendin nga fondet e BE-së si grant, nuk mund të përdoren më për projektet për të cilat ishin planifikuar. Nëse kjo vazhdon, ndërsa Korridori 8 është një pjesë e rëndësishme e projekteve të tilla infrastrukturore, do të përballemi me një humbje të re prej më shumë se 40 milionë eurosh. Gjithsej janë 120 milionë euro grante që nuk do të jenë më në dispozicion të vendit nga paketa që aktualisht është duke përgatitur”, thotë Hudolin. Për të njëjtën pyetje, nga Banka Evropiane e Investimeve thonë:

“Nëse qeveria vendos të mos e përdorë projektin aktual, atëherë është në rrezik ndihma financiare – veçanërisht granti i konsiderueshëm prej 150 milionë eurosh nga BE-ja i dhënë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, që është granti më i madh i dedikuar për vendin. Këtu bëjnë pjesë edhe grantet nga programi kombëtar IPA 2 (60.7 milionë euro)”.

Këto rreziqe mbase mund të jenë duke arritur deri te opinioni tani, por qeveria i ka ditur prej kohësh. Së shpejti pas zgjedhjes së kabinetit aktual, kryeministri Hristijan Mickoski, e veçanërisht Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, publikisht filluan të kritikojnë aspektet e ndryshme të hekurudhës Kriva Pallankë – Deve Bair, duke lënë përshtypje se do të shkohet drejt anulimit të tenderit për përzgjedhjen e realizuesit për këtë segment. Në një moment gjithashtu u dëgjua edhe një propozim – që paratë për korridorin 8 të rialokohen për korridorin 10.

“360 gradë” ka zbuluar një letër të datës 13 gusht drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, nënshkruar nga Komisioni Evropian (DG-Near), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillimi dhe Banka Evropiane e Investimeve, në të cilën porositet – nuk mundet ashtu.

“Në takimet e mëparshme me ju dhe ministrin e Transportit u hap çështja e transferimit të mundshëm të fondeve nga ky projekt në projektin hekurudhor korridori 10. Siç ju shpjeguam në ato raste, konvertimi i fondeve nga një projekt për një projekt tjetër nuk është i mundur për dhënësit e kredisë dhe do të rrezikojë grantet nga BE-ja, të cilët nuk mund të transferohen”, thuhet në një pjesë të letrës. Qëndrimin e një muaji e gjysmë më parë të dërguar përmes kanaleve zyrtare, tash e kemi marrë edhe si qëndrim publik.

“Kjo nuk do të thotë që ne duhet të zgjedhim – ose Korridorin 8 ose Korridorin 10. Këto projekte zbatohen në faza dhe në segmente. Varësisht se sa të pjekur janë, që domethënë në varësi të asaj se sa janë të gatshëm për tu realizuar, ne besojmë se të dyja mund të bëhen. Me një proces të përshtatshëm planifikimi të dy korridoret mund të realizohen. E kemi mbështetur në të kaluarën, Korridorin 10, atë të në të cilin ne të gjithë kalojmë me makina për në Greqi, një pjesë e të cilit është rinovuar me para nga programi IPA dhe e kemi mobilizuar më shumë se 50 milionë euro për punë plotësuese që duhet të bëhen si për hekurudhën ashtu edhe për rrugën e Korridorit 10. Të dy Korridoret 8 dhe 10 janë në listën indikative të projekteve të Planit të Rritjes. Prandaj, besoj se të dy korridoret mund të marrin mbështetje dhe mund të zbatohen ashtu sepse ndodhen në faza të ndryshme”, thotë Shtefan Hudolin, Udhëheqës i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shkup.

“Nëse Qeveria dëshiron të propozojë një projekt të ri për financim nga BEI, duhet të vlerësohet veçmas dhe vendimi për miratimin e fondeve (hua ose grante) do të kryhet në miratohet në mënyrë të pavarur (nga projektet e deritanishme të miratuara n.z.)”, janë përgjigjur për “360 gradë” nga Banka Evropiane e Investimeve.

Mbase kritika më e rëndë për tenderin për pjesën nga Kriva Pallanka deri në Deve Bair ishte deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se ka pasur tentativë për t’i dhënë rryshfet.

Ai e tha atë publikisht që të dërgojë mesazh se nuk pranon praktikë të tillë, por rastin nuk e denoncoi në Prokurorinë Publike.

Nga Banka Evropiane e Investimeve thonë se deri në vërtetimin e fajit ka prezumim të pafajësisë, pra se deklarata publike e kryeministrit nuk mund të jetë arsye për të ndërprerë tenderin. Dhe shtojnë:

“Sido që të ndodhë, projekti do të duhet të realizohet me prokurim publik konkurrues. Si rregull i përgjithshëm, nëse çdo gjë mbetet e njëjtë, mund të pritet që në ritenderim të ketë më pak konkurrencë dhe çmime më të larta, për shkak të asaj se tenderët e pasuksesshëm mund të ndikojnë negativisht në besimin e operatorëve ekonomikë në autoritetet kontraktore, veçanërisht nëse arsyeja e anulimit të tenderit është e paqartë”.

Nga Bashkimi Evropian rikujtojnë se përgjegjëse për tenderin janë ministritë e financave dhe të transportit, ndaj presin që institucionet vendase të zbulojnë dhe të bëjnë të ditur – çfarë ka ndodhur saktësisht.

“Por padyshim që ne jemi duke pritur për informacion nga autoritetet se çfarë ndodh me procedurën e tenderit sepse ato duhet të respektojnë rregullat dhe dispozitat që kanë të bëjnë me këtë procedurë të konkrete… Nëse ka të tilla pyetje që lidhen me ligjshmërinë apo parregullsitë në proces, do të jetë detyrimi i institucioneve vendase për të alarmuar”, thotë Shtefan Hudolin, udheheqës i bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shkup.

Tenderi për ndërtimin e segmentit të tretë të hekurudhës nga Kumanova deri në kufirin bullgar u shpall në fund të vitit 2023.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave kaloi më 26 qershor 2024, dhe një nga kushtet ishte që ofertat të jenë të vlefshme për të paktën 90 ditë. Këto 90 ditë kalojnë këtë javë. Vendi nuk ka zgjedhur ende një realizues edhepse hapja e ofertave u bë më 3 korrik 2024. Nuk është se nuk ka të interesuar, janë gjithsej shtatë. Por Sipas ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, asnjë ofertë nuk vjen, siç thotë ai, nga ndonjë shtet serioz anëtar i BE-së.

Kjo do të thotë se tenderi, e bashkë me të edhe segmenti Kriva Pallankë – Deve Bair, është në “shtratin e vdekjes”. Mundësia e parë për t’u rikthyer në jetë është nëse Qeveria ndryshon mendje për të gjitha kritikat e deklaruara, kërkon nga ofertuesit të zgjasin vlefshmërinë e ofertave dhe më pas të zgjidhet ofertuesi më i mirë.