Rezultatet e skriningut: Kuvendi i RMV-së të vendosë planifikim më efikas të procesit ligjvënës, të kufizohet përdorimi i procedurave të shpejta

Puna e Parlamentit u dëmtua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive në pushtet dhe opozitës. Sfidat e koalicionit qeverisës për të grumbulluar shumicën dhe ‘bllokimi aktiv’ i ndjekur nga partia më e madhe opozitare vonuan miratimin e shumë propozimeve legjislative dhe disa emërime apo zgjedhje të rëndësishme, si dhe rishikimin në kohë të raporteve të organeve të ndryshme rregullatore.Vëmendje e veçantë nevojitet për të siguruar zbatimin efektiv të standardeve më të larta etike dhe të integritetit, duke marrë parasysh rekomandimet e GRECO-s në lidhje me deputetët, thuhet në vlerësimin e Komisionit Evropian të raportit të skriningut në klasterin 1, në pjesën “funksionimi i parlamenteve në një sistem demokratik”, transmeton Portalb.mk.

Transparencë dhe llogaridhënie

Vlerësimi i Komisionit është se Maqedonia e Veriut vazhdon të konsolidojë sistemin e saj demokratik, gurthemeli i të cilit është Parlamenti. Kjo nënkupton se akoma nuk është i konsoliduar siç duhet sistemi demokratik, përkatësisht Palamenti.

“Në përgjithësi, Parlamenti është i autorizuar të ketë një rol vendimtar në procesin e integrimit në BE, edhe pse kjo duhet të konsolidohet më tej. Koalicioni qeverisës dhe opozita duhet të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive brenda Parlamentit dhe të përqëndrohen në hapat konkretë në procesin e negociatave, duke përfshirë përparimin e reformave të lidhura me BE-në. Këshilli Kombëtar për Integrimin në BE, i kryesuar nga opozita, ka përgjegjësinë për të siguruar konsensus të gjerë në agjendën e BE-së”, nënvizohet në raport.

Sfidat, vëren KE, mbeten në drejtim të planifikimit më efikas të procesit ligjvënës.

“Opozita sfidoi përdorimin e procedurës së “flamurit të BE-së”, një procedurë e shkurtuar që synon përafrimin e legjislacionit me acquisin e BE-së dhe bllokoi disa projektligje në nivel komisionesh. Numri i ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar, të propozuara qoftë nga Qeveria, qoftë nga deputetët, ka rënë pak, por mbetet ende i lartë. Përdorimi i procedurave të shpejta duhet të jetë i kufizuar dhe nuk duhet të përdoret për të shkurtuar konsultimet publike ose për të zgjidhur vështirësitë procedurale në legjislaturë”, vlerëson raporti i skriningut.

Parlamenti ka mbetur forumi kryesor i dialogut politik, thuhet më tej, megjithatë, puna e tij u dëmtua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive në pushtet dhe opozitës.

“Sfidat e koalicionit qeverisës për të grumbulluar shumicën dhe ‘bllokimi aktiv’ i ndjekur nga partia më e madhe opozitare vonuan miratimin e shumë propozimeve legjislative dhe disa emërime apo zgjedhje të rëndësishme, si dhe rishikimin në kohë të raporteve të organeve të ndryshme rregullatore. Për sa i përket transparencës, praktikat përkatëse janë vendosur siç duhet dhe aksesueshmëria është e garantuar. Zbatimi i vazhdueshëm i tyre mbetet çelësi për të garantuar që legjislativi të jetë vërtet i përgjegjshëm”, thuhet në raport.

Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Integriteti

Vlerësimi i Komisionit sa i përket pjesës së integritetit të Parlamentit dhe deputetëve, është se në përgjithësi, ekziston kuadri ligjor kombëtar përkatës për integritetin.

Megjithatë, “vëmendje e veçantë nevojitet për të siguruar zbatimin efektiv të standardeve më të larta etike dhe të integritetit, duke marrë parasysh rekomandimet e GRECO-s në lidhje me deputetët”.

Efektiviteti

Lidhur me efektivitetin, vlerësimi i Komisionit është se “është vendosur mbikëqyrja parlamentare e punës së institucioneve të pavarura”. Ndërsas kur jemi te mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve të inteligjencës, thuhet se e njëjta është ushturar më rregullisht, por nevojitet punë e mëtejshme për të përmirësuar efikasitetin.

“Nuk ka pasur përparim të rëndësishëm në zbatimin e angazhimeve të marra gjatë raundit të tretë të ‘Dialogut Jean Monnet’ në fillim të vitit 2020. Parlamenti duhet të zbatojë pa vonesë të mëtejshme propozimet për reformën e brendshme të rënë dakord në ‘Dialogun Jean Monnet’ për të siguruar funksionim më të mirë të Parlamenti. Rregullorja e Kuvendit duhet të përmirësohet deri në fund të kësaj legjislature, veçanërisht për të përmirësuar procedurat në seancën konstituive, për të garantuar mbikëqyrje më të madhe qeveritare, për të konsoliduar praktikat për dëgjimet publike, miratimin e kalendarit parlamentar dhe procedurat për ‘ Ligjet me flamur të BE-së. Këto ndryshime synojnë të sigurojnë një funksionim më të qetë të Parlamentit me qëllim tejkalimin e bllokimeve dhe polarizimit të mundshëm”, thuhet në raport.

Rekomandim i rëndësishëm i KE-së: Kuvendi, pa vonesë të mëtejshme, duhet të emërojë tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, pesë zëvendës të Avokatit të Popullit dhe anëtarë të këshillave për media, të Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe të Komisionit Kundër Diskriminimit.

Përmbledhje e gjetjeve – funksionimi themelor i parlamenteve në një sistem demokratik

Sa i përket funksionimit të Kuvendit, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me kalimin e kohës ka konsoliduar funksionet e tij demokratike. Nevojiten ende përpjekje për të vendosur një planifikim më efikas të procesit ligjvënës, me synimin për të kufizuar përdorimin e procedurave të shpejta.

Kujtojmë se në qershor të këtij viti, hulumtimi i Institutit për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup, tregoi se në shkallën nga 1 (më e keqja) në 5 (më e mira), në vitin 2023 qytetarët e vlerësuan punën e Kuvendit me notën mesatare prej 2.2, që shënon rënie të shkallës në krahasim me katër vitet e fundit.

Një pjesë dominuese e qytetarëve në hulumtim besojnë se Kuvendi ka një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit, por më shumë se gjysma e të anketuarve nuk janë të njohur me atë që është bërë në Kuvend në periudhën e kaluar.

Perceptimi i shumicës së qytetarëve është se Kuvendi nuk e shfrytëzon plotësisht autoritetin e tij kushtetues për të kontrolluar Qeverinë, pra 27% e të anketuarve besojnë se Qeveria ka kontroll të plotë mbi Parlamentin. Gjithashtu, pothuajse gjysma (46%) e të anketuarve besojnë se Kuvendi e rrit korrupsionin, në vend të efektit të kundërt. Duke i konsideruar pyetjet parlamentare si një nga mjetet e Kuvendit për mbikëqyrjen e pushtetit ekzekutiv, qytetarët janë të ndarë nëse ato përdoren siç duhet apo shërbejnë për kritikë apo reklamë.

Ura e Gurit në Shkup, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ura e Gurit në Shkup, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Perceptimi i shumicës së qytetarëve është se shumica e deputetëve nuk janë të gatshëm të marrin vendime në emër të qytetarëve. Gjithashtu, gjysma konsiderojnë se prezantimet e deputetëve janë pak ose aspak të argumentuara. Edhe qytetarët e anketuar mendojnë se shoqatat e qytetarëve duhet të përfshihen më shumë në punën e Kuvendit. Sa i përket marrëdhënies mes deputetëve, shumica e qytetarëve e cilësuan atë si armiqësore dhe konkurruese. Po ashtu, qytetarët e anketuar kanë përshtypjen se deputetët shpesh ose gjithmonë përdorin fjalë në të cilat nënçmojnë dhe degradojnë kolegët e tyre nga partitë e tjera politike”, thuhet në anketë.

Hulumtimi gjithashtu tregon se më shumë se gjysma (56%) e të anketuarve besojnë se futja e listave të hapura, ku në zgjedhjet parlamentare do të votonin për një person, në vend të listës partiake, do të kontribuonte në një përbërje më cilësore parlamentare në parlamentin. 20% pajtohen plotësisht me këtë deklaratë, dhe 36% pjesërisht pajtohen me këtë deklaratë. Gjithsej 25% e qytetarëve mendojnë se vendosja e listave të hapura nuk do të ndikojë në cilësinë e përbërjes parlamentare në Kuvend.

I njëjti sondazh ka treguar se besimin më të lartë tek qytetarët kanë komunitetet fetare, ushtria dhe policia, ndërsa besim më të ulët kanë prokuroria, gjyqësori dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.