Postimi dezinformon se vaksinat kundër Covid kanë shkaktuar vdekshmëri të madhe te atletët
Postimi nuk citon studime mjekësore me metodologji të saktë, por sugjeron vetëm numra bazuar në raportet e mediave. Shkencëtarët dhe profesorët e mjekësisë shpjegojnë se metoda të tilla nuk mund të përdoren për të sugjeruar rritjen e vdekshmërisë tek atletët për shkak të vaksinës kundër Covid. Gjithashtu, në mesin e rasteve të raportuara në shifrën përfundimtare prej 1598 personash, ka nga ata që kanë vdekur nga kanceri dhe kanë qenë të moshës 70 ose 80 vjeç, që do të thotë se nuk mund të kenë qenë sportistë aktivë, shkruan Vërtetmatësi.
Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook ku shkruhet:
Efikasiteti i shpimeve është i jashtëzakonshëm.
Më pas shpërndahet një tekst në anglisht, i cili, i përkthyer, thotë:
Nga viti 1970 deri në vitin 2020 (një hapësirë kohore 50-vjeçare), 1,312 atletë patën arreste kardiake dhe vdiqën. Nga viti 2021 deri në vitin 2022 (një periudhë kohore 1-vjeçare) 1,598 atletë pësuan atak në zemër dhe vdiqën.
Nga vijnë këto shifra?
Kontrolluesit e fakteve të Associated Press shkruajnë se shifra e dytë, e 1,598 atletëve që dyshohet se vdiqën në vetëm një vit (duke nënkuptuar se shkaku ishte vaksinimi kundër Covid-it, pa asnjë provë), në fakt erdhi nga një letër e zakonshme, jo nga një lloj studimi i qëndrueshëm mjekësor.
Letra pretendon se 1,598 atletë kishin sulme në zemër, dhe prej tyre, 1,101 vdiqën midis janarit 2021 dhe fundit të 2022, por letra citon një blog të goodsciencing.com për të “mbështetur këtë shifër”. Blogu përmban një përmbledhje të prerjeve të lajmeve për vdekjet e fundit dhe urgjencat mjekësore, dhe përfshin raste që nuk lidhen fare me arrest kardiak. Disa vdekje në listën e blogut, për shembull, janë nga kanceri, raporton Associated Press.
Lista përfshin gjithashtu incidente nga e gjithë bota dhe mes njerëzve të të gjitha moshave – duke përfshirë disa në të 70-at dhe 80-at e tyre.
Për shembull, lista përfshin rastin e një gruaje 71-vjeçare që vdiq në shtëpi në Kanada në dhjetor, për shkaqe të panjohura, dhe përmendja thoshte se çdokush mund të dhurojë për një bamirësi që lufton për kauzën e luftimit të kancerit. Gjithashtu në listë është edhe një fragment i shtypit nga një lajm për një trajner italian 61-vjeçar, i cili vdiq pak pasi u diagnostikua me leukemi.
Ky nuk është hulumtim. Çdokush mund t’i shkruajë një letër redaktorit dhe më pas të citojë një tekst që i mungon thellësia akademike, tha për Associated Press Dr. Matthew Martinez, drejtor i kardiologjisë sportive në Qendrën Mjekësore të Sistemit Shëndetësor Atlantik.
Dr. Jonathan Kim, shefi i kardiologjisë sportive në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Emory dhe kardiologu i ekipit të Atlanta NFL, tha në mënyrë të ngjashme se ishte “tronditëse që këto citate u përdorën”.
Kjo është shkencë e kotë, nuk mund të nxjerrësh përfundime vetëm nga një mori raportimesh mediatike. Në disa raste, shkaku i përcaktuar klinikisht i vdekjes apo problemit shëndetësor nuk bëhet i ditur sepse është informacion privat personal mjekësor, thotë ai.
Publikimi që po shqyrtojmë pretendon se nga viti 1970 deri në vitin 2020, 1,312 atletë “patën atak në zemër dhe vdiqën”. Duke kërkuar në internet, kjo shifër nuk mund të gjendet askund përveçse në memet e mediave sociale pa burim.
Në mënyrë tipike, të dhënat kërkimore dhe shkencore shqyrtohen nga komuniteti mjekësor dhe përdoret një proces shumë rigoroz për të vlerësuar metodat e përdorura për marrjen e të dhënave dhe kryerjen e analizave. Kjo është e rëndësishme për një numër arsyesh, duke përfshirë sigurimin që të dhënat të jenë të sakta, pa paragjykime të paqëllimshme dhe gabime të mundshme, thotë Neil Chokshi, MD, drejtor mjekësor i programit të kardiologjisë sportive dhe fitnesit të Penn State.