Politika ballkanike: Një rrjet kompleks i aleancave

Zgjedhjet po afrohen në SHBA, por aktorë të tjerë politikë të huaj po bëjnë llogaritë për të forcuar pozitat e tyre brenda dhe kudo.

Ky artikull do të fokusohet në aleancën në rritje të treshes në Ballkan dhe implikimet në politikën e jashtme ndaj SHBA-së, BE-së, Rusisë dhe Kinës pa u larguar nga fraksionet rajonale për shkak të forcimit të aleancës ballkanike e cila mund të turbullojë historinë e marrëdhënieve të popujve të Ballkanit.

Një rrjet kompleks aleancash po duket në horizont në Ballkan. Peizazhi aktual gjeopolitik favorizon qeverinë e Serbisë, Hungarisë, Maqedonisë së Veriut, serbët e Bosnjës, dhe në një farë mënyre qeverinë e Shqipërisë. Në një situatë të keqe në politikën ndërkombëtare është Kosova, e cila pavarësisht se kush fiton në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, nuk ka shumë opsione në politikën e jashtme.

Për shkak të ndryshimeve në shtetet anëtare dhe jo anëtare të BE-së ndaj çështjeve të reja, qëndrimi ndaj Kosovës ka evoluar për të keq. Tani për tani në këtë klub, hyri edhe qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, së cilës iu bë e qartë se pa i respektuar marrëveshjet nuk do të ketë bisedime me BE-në.

Njëjtë për Kosovën nuk do të ketë heqje të sanksioneve nëse nuk do të ketë respektim të Marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit. Në dyja rastet, kemi çështje të ndryshme që BE dhe SHBA kanë një qëndrim të njëjtë. P.sh. edhe pse Kosova ka të drejtë të mbrojë sovranitetin e saj, faktori ndërkombëtar është në anën e Serbisë.

Edhe në çështjen bullgaro-maqedonase, e drejta qëndron në mes, sepse Shkupi zyrtarë ende nuk i ka bërë ndryshimet kushtetuese, dhe po pret një kohë më të mirë. Dhe koha më e mirë nuk dimë se kur do të vijë. Në ditët e fundit, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, një mik dhe aleat i Rusisë, e vizitoi Maqedoninë e Veriut. Qeveria e Maqedonisë së Veriut është në pritje, pasi siç dëgjuam ditë më parë në një konferencë për shtyp, Shkupi shpreson që Hungaria të jetë apo të luajë rolin e ndërmjetësit me Bullgarinë.

Nga ana tjetër, BE-ja ka qenë e qartë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet para hapjes së kapitujve, pasi gjasat për marrëveshje të reja me Bullgarinë janë shumë të vogla. Në këtë drejtim, parlamenti bullgar ka miratuar një deklaratë për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, e cila është më e forta që nga 2017. Qeveria e Mickoskit ka bllokuar Korridorin 8 dhe ka hedhur të gjitha paratë në Korridorin 10 që lidhet me Hungarinë, Serbinë dhe Greqinë.

Gjithashtu, vizita e kryeministrit Orban tregon më shumë për mënyrën se si Maqedonia e Veriut po vepron ndryshe nga zotimet paraprake. Në rastin konkret të vizitës së Orbanit dhe erës së re që është e pranishme jo vetëm në Ballkan, do të ishte shumë e rrezikshme që Maqedonia e Veriut, dhe qeveritë fragjile rajonale të vareshin dhe të shpresonin te fuqia hungareze në BE për zgjidhjen e çështjeve me Bullgarinë ose në ndihmën ekonomike.

Diplomacia maqedonase së bashku me djathtistët amerikanë dhe lobin serbo-maqedonas në Uashington, po punojnë për këtë çështje me mbështetësit e Trampit për një pozicion më të mirë të Maqedonisë së Veriut në raport me Bullgarinë. Më tej në këtë rrjet të aleancave ballkanike, shtetet kryesore që synojnë të punojë kundër BE-së në llogari të Rusisë dhe Kinës janë Hungaria si anëtare e BE-së, dhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut si shtete jo anëtare të BE-së, të cilat mund të prodhojnë trazira në rajon, dhe madje të ndalojnë shumë projekte, veçanërisht kundër Kosovës, dhe në këtë rast të komplikojnë proceset e ndërmjetësimit.

Pavarësisht zgjedhjeve dhe politikave të BE-së, bashkëpunimi i treshes rajonale në këtë rrjet të ndërlikuar të aleancave, do të vazhdojë të qëndrojë për një kohë, dhe do të jetë një mur i ri me kapacitete të përmendura më lart për të vënë në rrezik disa projekte të BE-së, dhe gjithashtu sprovuar marrëdhëniet ndërshtetërore. Me vënien në lëvizje të Hungarisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, po kthehemi 10 vite pas, kur në kohën e qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski Rusia mundi të depërtonte në Ballkan, me krijimin e një vakumi që shkoi në favor të Moskës dhe Serbisë. E paprecedentë, por në realitet rrjeti i shteteve të përmenduara do të ketë një fuqi që do t’i nënvlerësojë disa nisma ndërkombëtare.

Në këtë ambient, Kosova duhet të kërkojë mënyra se si t’i forcojnë marrëdhëniet me partnerët strategjikë në veçanti me SHBA-në- nëse do të mund ta bëjnë këtë. Në fund, mund të sjellim një fakt shumë të rëndësishëm nga historia mesjetare ku Hungaria ishte një fuqi dhe luajti një rol të madh në atë kohë para se osmanët të pushtonin Hungarinë. Por 500 vjet pas gjërat kanë ndryshuar dhe ende, nuk e dimë nëse Hungaria dëshiron të jetë një fuqi rajonale dhe të marrë përgjegjësinë si aktor i mirë. Veprimin e treshes në kontekstin e pozicionit të SHBA-së, BE-së dhe Rusisë në Ballkan dhe anasjelltas duhet parë në disa anë për të vlerësuar rrezikun afatgjatë që mund të sjellë treshja e re në Ballkan.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.