Platforma е ОJQ-ve kundër korrupsionit kërkon të tërhiqen ndryshimet e propozuara ligjore për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d
Platforma e organizatave qytetare për luftën kundër korrupsionit i kërkon kryetarit të Kuvendit tërheqjen e rendit të ditës së seancës së 112-të të Kuvendit, të planifikuar për nesër, ku duhet të gjenden nëntë ligje të propozuar me procedurë të shkurtuar për ndërtimin e Korridoreve 8. dhe 10d, njofton Portalb.mk.
Sipas platformës, miratimi i një ligji të posaçëm, siç është ligji për përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, që në fillim përfshin rreziqe korrupsioni, sepse ai anashkalon ligjet e përgjithshme.
“Deputetët kanë obligim që të mundësojnë diskutimin e duhur, dhe të ftojnë ekspertët dhe palët e interesuara në diskutim me rastin e miratimit të ligjeve dhe ndryshimit të ligjeve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur merren vendime që për nga natyra e tyre janë komplekse dhe dërgojnë ose lejojnë përjashtime në zbatimin e ligjeve të përgjithshme. Gjithashtu, këto dispozita cenojnë rëndë të drejtat pronësore individuale të garantuara me Kushtetutë”, thuhet në reagim.
Ata shtojnë më tej se as deputetëve, as qytetarëve dhe as publikut profesionist nuk i është dhënë kohë e mjaftueshme për të vlerësuar se deri në çfarë mase rriten rreziqet e korrupsionit me ndryshimet e propozuara, të cilat kanë potencialin të kufizojnë pjesërisht mekanizmat mbrojtës që lidhen me realizimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe pasojat financiare të taksave dhe përjashtimeve të tjera fiskale që propozohen.
Në seancën e së hënës, deputetët duhet të diskutojnë propozim-amendamentet dhe shtesat në ligjet për tokën bujqësore, shpronësimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, urbanistikën, burimet minerale, marrëdhëniet e punës, pyjet, ndërtimin, si dhe përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e partnerit strategjik. për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 dhe Korridorit 10-d. Ato propozohen nga deputetët e shumicës.
Më 5 prill, Qeveria e RMV-së, zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi e emëroi koordinator i cili do të monitorojë dhe koordinojë të gjitha aktivitetet lidhur me realizimin e korridorit 8.
U vendos gur-themeli i Korridorit 8 në Tetovë
Më 4 prill në Tetovë u vendos gur-themeli i Korridorit 8, nga ku fillon edhe aksi i parë i kësaj autostrade e cila vazhdon në Gostivar – Bukojçan- Trebenisht – Strugë dhe Qafë Thanë.
Kujtojmë që më 8 mars u nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Bechtel-Enka. Projekti do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, i cili duhet të shtrihet nga Tetova deri në Qafathanë. Gjithë korridori 8 së bashku me atë 10D në tërësi janë 110 kilometra autostradë, që pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027, pra për 4 vite e 7 muaj.
Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-D e fitoi grupi i kompanive “IRD Inxhiniering”, “Elektrasollushëns”, Evrokonsallting” dhe “EPTISA”. Tri nga katër firmat pjesëmarrësve kontestohen për të paktën një çështje ose cenohet besueshmëria e tyre.
- LEXO: RMV, kompania që do të ndërtojë Korridorin 8 dhe të 10-D ka kontratë sy më sy
- LEXO: U nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Behtel-Enka, do të kushtojë 1.3 miliardë euro (VIDEO)
- LEXO: Qeveria e RMV-së e miratoi kontratën për Korridorin 8 dhe 10-D
- LEXO: RMV-ja nënshkroi marrëveshjen për mbikëqyrje në ndërtimin e korridorit 8 dhe 10 me IRD Engineering
- LEXO: “IRD Engineering” do të jetë konsulent dhe mbikëqyrës për autostradat e korridorit 8 dhe 10