Për KSHPK-në, babai nuk është anëtar aq i ngushtë i familjes
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në seancën e tij të fundit vendosi të ndalojë procedurën kundër Ivica Tomovskit, drejtor i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHÇPP). Anëtarja e Komisionit Sofija Spasovska-Medarska shpjegoi se sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, aktualisht nuk ka lidhje pronësie ose menaxhimi midis Tomovskit ose familjes së tij të ngushtë dhe kompanisë City Outsourcing, transmeton Portalb.mk.
Edhe pse ka indikacione për marrëdhënie miqësore me pronarin e ri, KSHPK konstatoi se, ligji nuk i përcakton miqtë si “persona të afërt”, gjë që e bën të pamundur përcaktimin e një konflikti të drejtpërdrejtë interesi.
Për më tepër, kontrollet në Sistemin elektronik të prokurimit publik treguan se City Outsourcing nuk kishte lidhur kontrata direkt me SHÇPP nën udhëheqjen e Tomovskit me kompaninë e themeluar dhe të menaxhuar më parë nga babai i tij, por megjithëse lidhja familjare u ndërpre në vitin 2021, Komisioni njoftoi kontrolle shtesë mbi pasuritë e tij për shkak të dyshimeve për transaksione të mundshme financiare.

Çështja u iniciua nga partia opozitare LSDM, e cila bëri akuza për lidhje serioze midis qeverisë dhe sektorit privat. Sipas pretendimeve të tyre, kompania City Outsourcing mori gjithsej 161 tenderë nga institucione të ndryshme shtetërore, vlera totale e të cilave është rreth 5.3 milionë euro.
Opozita theksoi se kontratat më të mëdha, kryesisht për shërbime higjienike, u lidhën gjatë vitit të kaluar, duke arritur një vlerë prej gati 500,000 eurosh. Si provë e lidhjes, u publikuan edhe numrat e telefonit të kontaktit të kompanisë që dyshohet se çuan në emrin e Ivica Tomovskit, gjë që ai dhe kompania e mohuan në mënyrë eksprese.
Për KSHPK-në, nuk kishte asgjë të diskutueshme që pikërisht hulumtimi i tyre përmes Regjistrit qendror, zbuloi se babai i Tomovskit ishte tërhequr nga struktura e menaxhimit të City Outsourcing në vitin 2021, dhe që nga viti i kaluar kompania ka pronar të ri.
Partia Levica e identifikoi menaxherin aktual si Miliço Strezoski nga Struga, duke e përshkruar atë si mik të ngushtë të drejtorit. Analiza e të dhënave konfirmoi gjithashtu se Ivica Tomovski ishte donator i rregullt i VMRO-DPMNE-së në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023.
Emërimi i Tomovskit si drejtor i SHÇPP u bë në qershor 2024.
Pavarësisht pezullimit të procedurës së konfliktit të interesit, KSHPK njoftoi se çështja nuk është mbyllur plotësisht. Për shkak të interesit të madh publik dhe indikacioneve të marrëdhënieve me menaxherin e City Outsourcing, komisioni do të kryejë kontroll të detajuar të pasurisë së Ivica Tomovskit. Qëllimi i këtij hetimi shtesë është të përcaktojë nëse ka ndonjë transaksion të mundshëm financiar midis kompanisë dhe zyrtarit që nuk u raportua në pyetësorin e tij.
Tomovski e përshëndeti këtë vendim, duke pretenduar se është e vetmja mënyrë për të vërtetuar pafajësinë e tij, ndërsa njoftoi padi për shpifje kundër LSDM-së për akuzat e bëra.