Pasaporta e Maqedonisë së Veriut në vendin e 36-të në listën e pasaportave më të fuqishme

Pasaporta e Maqedonisë së Veriut gjendet në vendin e 36-të në listën e pasaportave më të fuqishme, publikuar nga platforma “Pasaporta indeks”, raportoi Meta, përcjell Portalb.mk. Pas pasaportës së Maqedonisë së Veriut gjendet pasaporta e Malit të Zi dhe Turqisë.

Nga vendet e rajonit, pasaporta e Bullgarisë gjendet në vendin e 9-të, ajo e Serbisë në vendin 32-të, ndërsa ajo e Kroacisë në vendin e tetë.

Vendin e parë e ka pasaporta e Emirateve të Bashkuara Arabe, vendin e dytë Gjermania, Spanja, Franca, Italia dhe Holanda (shtetet me pasaportat e të cilëve mund të udhëtojmë në mbi 170 vende pa viza ose me viza për kalim kufitar), ndërsa në vendin e tretë Suedia, Finlanda, Luksemburgu, Austria dhe Zvicra.

Me pasaportën e Maqedonisë së Veriut, pa viza mund të udhëtohet në 81 shtete, viza është e nevojshme për 68 shtete, ndërsa në 49 shtete duhet viza gjatë kalimit kufitar.

Me pasaportën e kategorisë së parë, mund të udhëtohet në 130 shtete, viza është e nevojshme për 18 shtete, ndërsa në 50 shtete duhet viza vetëm gjatë hyrjes.

Shtetet si Siria, Afganistani, Iraki, Somalia dhe Pakistani janë shtetet që kanë pasaportat më të dobëta, në pozitën e 98-të. Me pasaportat e tilla mund të udhëtojmë vetëm në 8 shtetet.