Orban sot vjen për vizitë zyrtare dy-ditore në Maqedoninë e Veriut

Kryeministri hungarez Viktor Orbán së bashku me një delegacion nga qeveria hungareze do të qëndrojë sot dhe nesër për një vizitë zyrtare dyditore në vend. Hungaria aktualisht kryeson Bashkimin Evropian dhe Orbán është gjithashtu president i Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Hristijan Mickoski, siç informohet nga shërbimi për shtyp i qeverisë, të premten në vilën e kryeministrit në Ohër do të ketë takim zyrtar kokë më kokë me homologun e tij hungarez, ndërsa në kuadër të vizitës do të ketë një sërë takimesh bilaterale do të marrin pjesë ministrat e Maqedonisë me departamentet përkatëse.

Të premten në hotelin “Inex Olgica” në Ohër do të mbahet një takim i përbashkët ndërqeveritar, ndërsa pas takimit pritet që të dy kryeministrat të mbajnë konferencë për media në të njëjtin lokacion.

Siç informojnë nga Qeveria, në margjinat e vizitës dyditore është planifikuar një shëtitje në Ohër, një vizitë në kishën e Virgjëreshës Perivlepta, në Teatrin Antik dhe kompleksin e Manastirit të Shën Naumit, si dhe kryeministrat e të dy vendeve do të vendosin lule para monumentit të Shën Kirilit dhe Metodit në Ohër.

Në Ohër policia po merr masat e nevojshme të sigurisë, ndërsa është paralajmëruar regjim i përkohshëm i qarkullimit për lëvizjen e sigurt dhe të qetë të delegacionit nëpër qytet dhe rrethinë.

Pronarët e automjeteve të udhëtarëve dhe të automjeteve të tjera duhet t’i dislokojnë automjetet e tyre nga parkingjet në bulevardin “Turistika” dhe rrugët “Kosta Abrash”, “Car Samoil” dhe “Maqedonia”.

Në vitin 2013, Orban ishte për vizitë zyrtare në vend, kur iu dha Urdhri “8 Shtatori” për merita të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit paqësor ndërmjet Maqedonisë dhe Hungarisë. Urdhrin ia ka dorëzuar presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov, ndërsa ka pasur takime edhe me kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevski.