Një shtetas i Shqipërisë i arrestuar për drogën në Pejë, në kërkim të paktën 6 të tjerë

Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës të premten kanë bërë të ditur se një shtetas i Shqipërisë është arrestuar për drogën e gjetur në fshatrat Kliçin dhe Sferkë të Pejës, ndërsa në kërkim janë shpallur mbi gjashtë persona të tjerë. I arrestuari, sipas hetimeve, ka qenë në cilësinë e punëtorit, raporton Koha.net.

Sot paradite u njoftua nga zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, se “është realizuar një nga operacionet më të mëdha antidrogë në historinë e pasluftës së Kosovës”. U sekuestruan mbi 1 ton drogë me vlerë rreth pesë milionë euro.

Në një konferencë për media nga vendi ku u gjet droga, togeri Astrit Jasiqi ka bërë të ditur se hetimi ka zgjatur mbi dy muaj, ndërsa sasia dhe vlera e drogës mund të ndryshojë pasi janë ende në fazat e para të hetimit.

“Këto dy lokacione ku kemi bërë veprime hetimore janë lokacione të përmasave të mëdha të kultivimit të kanabisit. Jemi në fazën e përpunimit të vendit të ngjarjes dhe në vlerësimet tona, sasia dhe vlera mund të dalin më të mëdha. Njëra nga plantacionet ka qenë e rritur në nivelin ku konsiderojmë se një bimë kanabisi mund të japë produkt të marihuanës gjysmë kilogrami. Ka qenë hetim i gjatë, mbi dy muaj, i koordinuar me njësitet respektive të Policisë. Një person është i arrestuar, shtetas i Shqipërisë, i cili ka qenë në cilësinë e punëtorit për këto dy parcela. Kemi edhe persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë në fazën e kërkimit dhe identifikimit. Për këta nuk kemi detaje të tjera”, ka thënë Jasiqi.

Më pas Nikçi i pyetur nga gazetarët se sa persona janë të kërkuar, u shpreh: “Më tepër se gjashtë persona”.

Ai shtoi se shumë shpejt do të bëhet i mundur edhe arrestimi i tyre pasi janë shpallur në kërkim nga Policia.