Në suazat e edicionit të 53-të të festivalit “Mbrëmjet operistike të majit”, sonte do të ngjitet në skenë kryevepra “Nabuko” nga Xhuzepe Verdi

Në skenën e Operës dhe të Baletit Nacional në Shkup sonte me fillim nga ora 20:00, do të vihet në skenë interpretimi i kryeveprës së fuqishme “Nabuko” nga Xhuzepe Verdi në suazat e edicionit të 53-të të festivalit “Mbrëmjet operistike të majit”, shkruan Portalb.mk.

Opera do të interpretohet nën dirigjimin e mysafirit nga Greqia, Miron Mihailidis, me regji të Renato Bonajutos (Itali), skenografia dhe kostumet janë të Flavio Arbetit dhe Artemio Kabasit nga Italia, koreografe është Maja MitrovskaBogoevska, mjeshtër i koncertit është Jane Bakevski, mjeshtër kori Jasmina Gjorgeska, ndërsa ndriçimi është i Millço Aleksandrovit.

Fotografi nga vepra “Nabuko” nga Xhuzepe Verdi. Foto:OBN
Fotografi nga vepra “Nabuko” nga Xhuzepe Verdi. Foto: OBN

Rolin kryesor (Nabuko) do ta interpretojë Luis Kancino (Spanjë), rolin e Abigejllit do ta luajë Hanjing Co (Kinë), Nikolina Janevska do ta interpretojë rolin e Fenenës, Ugo Tarkvini (Itali) do ta luajë rolin e Ismailit, kurse rolin e Zaharies do ta ketë Xhovani Parodi (Itali). Rolet e tjera do t’i interpretojnë Dime Petrov, Ana Rojdeva, Dejan Stoev, kori, orkestra, ansambli i Baletit të Operës dhe të Baletit Nacional dhe studentët e QShShMB “Ilija Nikollovski – Luj”.

Fotografi nga vepra “Nabuko” nga Xhuzepe Verdi. Foto:OBN
Fotografi nga vepra “Nabuko” nga Xhuzepe Verdi. Foto: OBN

“Nabuko” është operë liriko-dramatike në katër akte, një nga veprat më të njohura të Verdit dhe një nga të preferuarat e publikut. Kjo operë pati premierën e saj në vitin 1842 në “Shkallën milaneze”. Është opera e tretë e Verdit dhe konsiderohet se ia ka vendosur përgjithmonë reputacionin si kompozitor.

Tema e operës është historia e vështirë e popullit hebre, i sulmuar dhe i mundur, i dëbuar nga atdheu i tyre, megjithëse ngjarjet historike përdoren vetëm si sfond për komplotin romantik dhe politik. Brenda një nate, Verdi shkroi arien korale të njohur gjerësisht që u bë shtylla dramatike dhe muzikore e veprës “Va, pensiero, sull’ali dorate” (“Fluturo mbi krahë të artë”).