Në fundjavë fillon aplikimi i Ligjit për praktika të padrejta tregtare në RMV, pritet të ulen çmimet e produkteve ushqimore

Në fundjavë hyn në fuqi Ligji për praktikat e padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, i cili duhet të ulë edhe më shumë çmimet e produkteve ushqimore, transmeton Portalb.mk.

Zgjidhja ligjore përfshin një listë me mbi 2500 produkte bujqësore dhe ushqimore, rebati i të cilave do të kufizohet në 10 përqind, gjë që do të ndikojë në uljen e çmimeve me pakicë.

Përveç zbritjes së kufizuar, ligji parashikon që tregtarët nuk mund të ngarkojnë kosto shtesë për marketingun, përfaqësimin, si dhe për ekspozimin e një produkti të caktuar në raft.

Ligji është miratuar në mars të këtij viti, ndërsa sot përfundon periudha gjashtëmujore e parashikuar për respektimin e dispozitave ligjore nga furnitorët dhe blerësit që kanë lidhur kontrata për furnizimin e produkteve. Përndryshe, kontratat bëhen të pavlefshme.

Periudha gjashtëmujore për harmonizimin e statutit dhe akteve të përgjithshme me dispozitat e këtij ligji i është dhënë edhe Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit. Komisioni gjithashtu inicon procedurë kundërvajtëse në rast të shkeljes së dispozitave ligjore.

Nga Ministria e Ekonomisë njoftuan se procedura për kundërvajtje fillon sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të personit fizik ose juridik që ka interes të ligjshëm për të vërtetuar ekzistimin e kundërvajtjes dhe duhet të përfundojë brenda tre muajve.

“Vendimet për kundërvajtje publikohen në faqen e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Kur konstatohet se janë shkelur dispozitat e ligjit, caktohet gjobë, gjegjësisht lartësia e gjobës, duke përcaktuar shkallën e saj dhe afatet e pagesës. Komisioni i Mbrojtjes së Konkurrencës, gjatë vendosjes së gjobave, merr parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, si peshën, shtrirjen dhe kohëzgjatjen e veprës dhe pasojat që kjo vepër ka për furnitorët”, informojnë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

Varësisht nga ashpërsia dhe rëndësia e shkeljes, Ligji parashikon dënime për kundërvajtjet më të rënda dhe kundërvajtjet. Shuma më e lartë e gjobës për kundërvajtjen më të rëndë mund të jetë deri në 20.000 euro për një tregtar të madh dhe nga 350 deri në 500 euro për personin përgjegjës. Shuma më e lartë e gjobës për kundërvajtje që mund të shqiptohet në procedurë është 5000 deri në 6000 euro për tregtarin e madh dhe 350 deri 500 euro për personin përgjegjës.