Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore: Nuk kemi marrë udhëzime nga Qeveria për aktivitete konkrete për rrugën Tetovë-Prizren

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore nuk ka marrë udhëzime nga Qeveria për të ndërmarrë aktivitete konkrete në lidhje me projektin për ndërtimin e lidhjes rrugore Tetovë-Prizren. Kështu kanë thënë nga Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore për Portalb.mk lidhur me këtë rrugë.

Nga ana tjetër nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve si dhe nga Komuna e Tetovës deklarohen se po punohet në këtë drejtim.

Zëvendës-ministrja e Transportit dhe Lidhjeve të RMV-së Kaltrina Zekolli Shaqiri deklaroi se edhe pse ka një memorandum mes Ministrisë së Transportit të RMV-së dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës sa i përket rrugës Tetovë-Prizren, që nga janari i vitit 2024, asnjë progres konkret nuk është bërë në zhvillimin e këtij projekti të rrugës.

“Në koordinim me Ministrin Liburn Aliu, kemi vendosur që së shpejti të nënshkruajmë një marrëveshje projektimi dhe të krijojmë një grup punues, në përputhje me memorandumin e mëparshëm të nënshkruar. Ky grup punues do të përbëhet nga pesë anëtarë nga dy shtetet, duke bërë një total prej dhjetë anëtarësh, të cilët do të kenë për detyrë përzgjedhjen e projektuesit të projektit dhe më pas mbikëqyrjen e implementimit të tij”, tha Zekolli Shaqiri.

Sipas saj, kjo pritet të nënshkruhet më 4 tetor 2024 në Shkup, ndërsa nuk ka nevojë për ratifikim nga Kuvendi.

Që po punohet në këtë drejtim thotë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

“Dëgjuat edhe deklaratën e zëvendës-ministres së Transportit që duhet të përmbyllet procedura e komisionit edhe e dakordësimit për shpallje të tenderit për projektim të tenderit i cili është projekt i përbashkët mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe sigurisht si i tillë duhet të shkojë. Sa i përket segmentit nga ndarja rruga Tetovë-Kodra e Diellit deri në hyrje të tunelit aty do të punojmë bashkë me qeverinë që sa më shpejtë të nisë projektimi i asaj rruge dhe sigurisht edhe në kuadër të qeverisë por edhe me resurse lokale do të shohim mundësinë që sa më shpejtë të nisë rikonstruimi apo ndërtimi i trasesë ku duhet trase e re ku duhet të rikonstruohet ajo lokalja që edhe ne të jemi gati që atë që e bën Kosova në tunele edhe ne pjesën tonë deri në tunel ta kemi gati”, tha Kasami.

Ai shtoi se për shkak se Komisioni duhet të jetë në Maqedoni dhe në bazë të marrëveshjes, procedura e tenderimit duhet të bëhet në Maqedoni, nuk ka nevojë të kalojë në Kuvend.

“Në Kuvendin e Kosovës ka kaluar, merr përgjegjësi komisioni prej 10 anëtarësh që do të jetë në Maqedoni, domethënë me procedurat që do të përcillen në Maqedoni të nis procedurën e shpalljes së tenderit dhe përzgjedhjes së operatorit që do të projektojë tunelin”, tha Kasami.

Nga shërbimi për informim i Kuvendit të RMV-së theksuan se “për momentin në Kuvend nuk është paraqitur asnjë projektligj në këtë drejtim”.

Lidhur me këtë projekt kërkuam sqarime edhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës, ministri dhe zëvendës ministri. Por nga atje nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.