Jonathan Lachman, ish-shefi i projekteve speciale në një prej pionierëve të inteligjencës artificiale “OpenAI”, ka lënë së fundmi detyrën për t’iu bashkuar një kompanie të re të themeluar nga shqiptarja Mira Murati, që dikur ishte zyrtare e lartë po ashtu në “OpenAI”, transmeton Koha.net.
Siç ka shkruar “Wired.com”, ky është zyrtari më i lartë që Murati ka angazhuar në kompaninë e themeluar së fundmi. Ajo është e fokusuar në atë që quhet “inteligjenca e përgjithshme artificiale”.
Murati tashmë ka marrë afër vetes 10 hulumtues e inxhinierë të njohur nga rivalët përfshirë “OpenAI”, “Character AI” dhe “Google DeepMind”. Sipas raportimit, kompania e saj është në fazën fillestare e nuk ka as emër, sipas burimeve.
Murati nuk ka folur për këtë çështje për “Wired”.
Murati u largua nga “OpenAi” në shtator. Ajo aty pati rolin e shefes për teknologji. Ndërkohë në një periudhë shërbeu edhe si shefe ekzekutive e kompanisë.
“OpenAI” mori hov kur e lansoi bashkëbiseduesin “ChatGPT” në vitin 2022. Prej asaj kohe ajo ka bërë revolucion me inteligjencën artificiale dhe është një prej kompanive më me vlerë.