Mexhiti aludon në hyrjen e Selës në qeveri, Sela: Jo krah atyre që duan të na zhbëjnë të drejtat si popull
Zëvendëskryeministri në largim për në krye të Çairit, njëri nga liderët e VLEN-it në qeveri, Izet Mexhiti nuk e ka mohuar që Ziadin Sela nga AKI-ja opozitare, me subjektin e tij politik t’i bashkohen qeverisë. Megjithatë, një gjë e tillë u mohua menjëherë nga Sela, raporton Portalb.mk.
Mexhiti mbrëmë në TV21 tha se pritet të shpërbëhet AKI-ja opozitare dhe të ketë lëvizje të reja. Ndërsa nuk e mohoi që Ziadin Sela me subjektin e tij politik të bëhen pjesë e qeverisë.
“Nuk e mohoj. Mund të edhe të jetë. Komunikojmë. Aq shumë është përzier skena politike, shumë turbulenca janë bo derisa janë përpiluar dy tabora. Edhe mendoj që do ketë ende turbulenca derisa t vijmë te ajo që duhet”, tha Mexhiti.
Por, Ziadin Sela menjëherë reagoi ndaj kësaj deklarate duke e mohuar hyrjen e tyre në qeveri.
“Aq shumë është përzier skena politike tha Izeti e nuk e din me cilin ka komunikuar… E ngatërruar është gënjeshtra Izet, propaganda dhe e pavërteta. E vërteta është çdoherë e pastër e pa përzier, është vetëm një e s’mund të jetë dy e as më shumë. Dhe kjo e vërtetë tingëllon kështu Izet! Ti në komunikim me mua jo. Unë pjesë e qeverisë jo. Unë në krah të atyre që duan të na zhbëjnë të drejtat si popull jo”, tha Sela.
I pyetur se a është e mundur hyrja e Ziadin Selës pas zgjedhjeve lokale në qeveri, kryeministri Hristijan Mickoski tha se “në politikë është gjithçka e mundur”.
Në ndërkohë në opinion dhe mediat maqedonase ka filluar të aludohet se pas zgjedhjeve lokale Lëvizja Besa e Bilall Kasamit do të del nga Qeveria dhe do të zëvendësohet nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës e cila thuhet të jetë regjistruar si parti e re.
Megjithatë, këto lëvizje politike mbeten të pakonfirmuara.
Nga ekipi i Kasamit të pyetur nga Portalb.mk për këto çështje, thanë se nuk i komentojnë spekulimet.