Macron shtyu vizitën në Gjermani për shkak të protestave të dhunshme në Francë
Presidenti francez Emmanuel Macron ka shtyrë vizitën e tij të planifikuar në Gjermani për shkak të protestave të vazhdueshme të dhunshme në vendin e tij, transmeton Anadolu.
Vizita ishte planifikuar të zhvillohej nga e diela deri të martën, njoftoi zyra e presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier.
Protestat vazhduan të premten për natën e katërt në gjithë Francën pasi policia qëlloi për vdekje adoleshentin Nahel M. gjatë një kontrolli trafiku në periferinë e Parisit në fillim të kësaj jave.
Policia franceze arrestoi 1.311 persona në gjithë vendin gjatë demonstratave, tha sot Ministria e Brendshme.
Rreth 45 mijë oficerë policie të mbështetur nga automjete të blinduara u vendosën për të shuar protestat, në të cilat protestuesit i vunë zjarrin kontejnerëve dhe makinave dhe dëmtuan ndërtesat.
Sipas ministrisë, 79 zyrtarë të sigurisë, përfshirë policë dhe xhandarë, u plagosën gjatë natës.
Nahel M., një i ri 17-vjeçar me origjinë afrikano-veriore, u qëllua nga një oficer policie të martën në zonën periferike të Parisit, Nanterre.
Oficeri përballet me një hetim zyrtar për vrasje me dashje dhe është vendosur në paraburgim.