Kodra e Diellit kujtohet përsëri para zgjedhjeve, deputeti Azizi paralajmëroi investim 500 milonë euro pa dhënë detaje
Kodra e Diellit e cila është harruar me vite të tëra nga institucionet dhe e lënë pa asnjë investim, shpesh përmendet para zgjedhjeve dhe praktika ka treguar se më pas nuk është investuar në terren. Së fundmi, pak javë para zgjedhjeve lokale, deputeti i VLEN, Adnan Azizi paralajmëroi se së shpejti pritet investim 500 milionë euro për këtë qendër turistike, por pa dhënë detaje, shkruan Portalb.mk.
Azizi për Gazetën Lajm tha se në Kodrën e Diellit pritet të bëhet investim prej 500 milionë eurove, por duke mos zbuluar detaje të tjera.
“Kemi sjellë investitorë që janë të kalibrit botëror, ku pritet një investim në Kodrën e Diellit mbi 500 milionl euro, shumë shpejtë do të bëhet publike edhe kush janë investitorët, kanë qenë ata në vizitë, kanë sjellë këtu zyrat e veta, dhe përveç fizibilitetit është duke u bërë edhe projekti i investimit dhe kjo do jetë një bum i madh i zhvillimit ekonomik në fushën e Pollogut që është tejet i rëndësishëm për ekonominë shqiptare ose zonat me shumicë shqiptare”, tha Azizi.
Kujtojmë që kanë kaluar dy vite e gjysmë nga prezantimi i investimit italian dhe pavarësisht premtimeve e deklaratave të shumta nga autoritetet, ende nuk është nënshkruar marrëveshje me investitorin italian për revitalizimin e qendrës turistike malore “Kodra e Diellit”.
Nga Qeveria VMRO–VLEN nuk deklarohen për këtë projekt se ku ka ngecur.
Që ky projekt është zvarritur gjithë këtë kohë e konfirmojnë edhe nga kompania italiane ‘TechnoAlpin’ me të cilët Portalb.mk tani e dy vjet është në komunikim të vazhdueshëm.
“Momentalisht, ende nuk kemi detaje të reja në lidhje me këtë çështje”, thanë nga TechnoAlpin.
Investimi shumë i premtuar italian për Kodrën e Diellit vazhdon të zvarritet dhe mos të ketë epilog apo marrëveshje.
Autoritetet vazhdimisht nxjerrin diçka të re, ndërsa në terren nuk shihet asgjë.
‘TechnoAlpin’ më 19 dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.
Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.
Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.
Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.