Gashi: Apeloj që partitë të gjejnë vullnet politik për marrëveshje për zgjedhjen e Avokatit të Popullit
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u bëri thirrje grupeve parlamentare që të gjejnë vullnet politik dhe të zgjedhin Avokat të Popullit në Kuvend. Në takimin e sotëm me gazetarët, ai tha se do të angazhohej personalisht për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, sepse është një institucion i rëndësishëm dhe se është e papranueshme që të mos ketë udhëheqës për kaq gjatë, transmeton Portalb.mk.
“Sa i përket procedurës, ne kemi bërë gjithçka që të sigurohemi që ajo të shkojë pa probleme, por jemi zënë në befasi nga vullneti politik i partive politike. Ju e dini që duhet të votohet me shumicë dhe me një Badinter të madh (20 deputetë nga komunitetet). Po e shfrytëzoj këtë mundësi përmes jush, mediave, për t’u bërë thirrje të gjitha partive politike që ta zhbllokojnë këtë proces, të gjejnë zgjidhje, që aktorët politikë të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje. Mbi të gjitha, le të jemi të ndërgjegjshëm ndaj një institucioni shumë të rëndësishëm siç është Avokati i Popullit. Do të doja që kjo të ndodhte sa më shpejt të ishte e mundur dhe do ta thërrisja menjëherë seancën. Pika është në rend të ditës, do ta votojmë që të funksionojë edhe në lidhje me zgjedhjet e përsëritura më 11 janar”, tha Gashi.
Kujtojmë se pas disa apeleve drejtuar Parlamentit për të zgjedhur një Avokat të Popullit, pasi Avokati i Popullit Naser Ziberi doli në pension në korrik, punonjësit e institucionit, i cili ekziston në çdo vend demokratik për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, iu drejtuan sot mediave. Ata po kërkojnë që Parlamenti të bëjë punën e tij dhe të zgjedhë një Avokat të Popullit i cili do të nënshkruajë llogarinë përfundimtare dhe do të sigurojë ekzistencën e institucionit të Avokatit të Popullit, pagat për punonjësit, qiranë, shërbimet.
Përndryshe, në një intervistë për Portalb.mk, zëvendës Avokati i Popullit, Ylber Rufati, sqaroi se institucioni vazhdon të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore pa ndërprerje, duke u mbështetur në profesionalizmin e stafit dhe në koordinimin e brendshëm. Megjithatë, ai pranon se mungesa e kryesuesit ndikon në peshën e përfaqësimit institucional dhe në adresimin publik të çështjeve madhore, duke theksuar nevojën që Kuvendi të përmbyllë sa më shpejt procedurën ligjore për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
- LEXO: Punonjësit e revoltuar: Avokati i Popullit drejt shuarjes, Kuvendi nuk e përzgjedh kreun e ri
- LEXO: Avokati i Popullit pa kryesues, zëvendësi Ylber Rufati: Mungesa e kreut ndikon në përfaqësimin e plotë institucional
- LEXO: RMV, funksioni i Avokatit të Popullit duhet të mbetet jashtë marrëveshjeve partiake
- LEXO: Faton Selami është konfirmuar si propozim për Avokat të ri të Popullit në RMV