Escobar: Anëtarësimi në BE është ende popullor në Ballkan, por jo edhe burokracia e procesit

Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, tha në një konferencë në Uashington se ai mendon se ideja e Evropës dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian është ende e gjallë dhe popullorë në Ballkanin Perëndimor, por që ajo që ka humbur besueshmërinë është burokracia e BE-së për zgjerim, transmeton Portalb.mk.

“Ju lutem, mos lejoni që dikush t’ju thotë se Bashkimi Evropian ka humbur besimin e njerëzve. Njerëzit po rrezikojnë jetën e tyre për të shkuar në BE”, tha Escobar, i cili e quajti Evropën një “magnet” në rajon.

Sipas Escobar, vendet e Ballkanit janë vende evropiane, më shumë kulturore, me themele historike dhe ekonomike. Megjithatë, ai theksoi nevojën për reforma institucionale në rajon.

“Reformat krijojnë përfitime reale për njerëzit, veçanërisht në fushën e antikorrupsionit. Pra, ne duam më shumë Evropë në Ballkanin Perëndimor. Nuk e kemi harruar faktin se çdo vend që është anëtarësuar në BE është më demokratik, më i qëndrueshëm dhe më i begatë se kurrë. Dhe kjo është aspirata jonë më e lartë për Ballkanin Perëndimor. Popullsia në masë dërrmuese e beson këtë dhe ne e dimë këtë sepse kur largohen nga vendet e tyre, nuk shkojnë në Kinë, nuk shkojnë në Rusi, Arabinë Saudite apo Emiratet. Ata po shkojnë në Evropë”, tha Escobar.

Kujtojmë se tendencat inkurajuese për zgjerimin e BE-së dhe perspektivat e anëtarësimit të rajonit nuk kanë pasur ndikim pozitiv në mbështetjen për anëtarësimin e vendit në BE, tregoi Analiza e opinionit publik për procesin maqedonas për pranimi në BE (2014-2023), e Institutit për Demokraci Societas Civilis. Në vitin 2023, 60% e popullsisë së Maqedonisë mbështet perspektivat e anëtarësimit të vendit në BE. Këto rezultate paraqesin një rënie prej 4% krahasuar me një vit më parë dhe shënojnë përqindjen më të ulët të mbështetjes deri më sot. Arsyeja më e mundshme për rënien e fundit të mbështetjes për anëtarësimin në BE është ngërçi aktual në procesin e anëtarësimit që po ndodh si rezultat i mosmarrëveshjes me Bullgarinë.