Nesër fillon debati për ligjin e parë për korridorët 8 dhe 10D në Komisionin për çështje evropiane

Komisioni kuvendor për çështje evropiane e cila sonte duhej t’i shqyrtojë ndryshimet e propozim-ligjeve për korridorët 8 dhe 10D, e miratoi vetëm rendin e ditës, ndërsa me debatin për pikën e parë duhet të fillojë nesër, njofton Portalb.

Për rendin e ditës në të cilin janë të vendosura gjashtë pika, pesë propozim-ligjet për korridorët dhe Propozim-ligji për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publikë, nëntë deputetë votuan “për”, ndërsa nuk kishte asnjë kundër dhe të përmbajtur. Kryetari i Komisionit për çështje evropiane Arbër Ademi e ndërpreu seancën dhe vazhdimin e caktoi për nesër në ora 11.

Deputetët në seancën e sotme të 115-të e votuan nevojën me procedurë të shkuruar për miratimin e disa ligjeve që kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, raporton MIA.

Deputetët i miratuan propozim-ligjet e propozuara nga Qeveria për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor (seksioni: Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe Projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafthanë) dhe Korridorin 10 d (pjesa e autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në procedurë të shkurtuar, si dhe ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Urbanistikë, Ligji për Ndërtim, Ligji për Shpronësimin dhe Ligji për Marrëdhëniet e Punës, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, tha se shumica qeverisëse me miratimin e këtyre propozim-ligjeve të Qeverisë, shkel aktin më të lartë në vend, së bashku me Rregulloren e Kuvendit.

Ai kërkoi që në përputhje me nenin 136, Kryetari i Kuvendit t’i kthejë këto ligje në këtë fazë dhe të kërkojë nga propozuesi harmonizimin e dispozitave.

Borislav Kërmov nga e Majta iu drejtua proceduralisht disa anëtarëve. Sipas tij, disa ligje mbahen qëllimisht në sirtar, e disa vijnë në seancë në kundërshtim me Rregulloren e punës.

Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike iu referua disa neneve të Rregullores së Kuvendit, pasi siç tha ai, pikat e propozuara në seancë janë në kundërshtim me nenin 135.4, nenin 136, nenin 170, 171.

“Në këtë mbledhje Qeveria propozon 5 ligje me flamur evropian dhe askund nuk kemi parë që të ketë harmonizim të legjislacionit vendor të këtyre ligjeve me legjislacionin e BE-së. Bëhet fjalë për mbulimin e marrëveshjeve korruptive të marrëveshjes së arritur me “Behtel dhe Enka” dhe në thelb këto 5 ligje janë ligje amnistie të Marrëveshjes me “Behtel dhe Enka”, po flasim për elementët korruptiv. Është duke u bërë krim institucional që Kuvendi të mbulojë veprimet kriminale që do të rezultojnë me zbatimin e marrëveshjes”, tha Trajanov.

Maja Moraçanin nga DOM tha se nuk është e pranueshme që këto pesë ligje të miratohen dhe të rishikohen me flamur evropian sepse legjislacioni nuk është i harmonizuar me legjislacionin evropian.

Këto ligje, siç i propozon Qeveria, e cila është propozuese, do të shqyrtohen nga Komisioni për Çështje Evropiane, gjegjësisht janë me flamuri evropian.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.