Cilat janë qytetet evropiane ku paga minimale nuk mjafton as për qira?

Në shumë kryeqytete evropiane, paga minimale nuk është e mjaftueshme as për të mbuluar qiranë e një apartamenti me dy dhoma, tregon analiza nga Konfederata Evropiane e Sindikatave bazuar në të dhënat nga Eurostat, transmeton Portalb.mk.

Sipas analizës, kostot dhe faturat e strehimit përfaqësojnë shpenzimin më të madh për familjet evropiane, dhe mesatarisht 23.6 përqind e konsumit familjar në Bashkimin Evropian shkon për strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe energji të tjera.

Situata është më e vështirë në Pragë, ku qiraja mesatare për një apartament me dy dhoma është 1.710 euro, ndërsa paga minimale është 924 euro. Kjo do të thotë se 185 përqind e pagës minimale është e nevojshme për qira. Menjëherë pas Pragës është Lisbona me 168 përqind.

Në disa kryeqytete evropiane, duke përfshirë Parisin, Madridin, Dublinin dhe Varshavën, paga minimale gjithashtu nuk është e mjaftueshme për të mbuluar qiranë.

Nga ana tjetër, Brukseli vlerësohet si kryeqyteti më i favorshëm për punëtorët me pagë minimale. Atje, qiraja është rreth 70 përqind e pagës minimale, ndërsa në Berlin kjo pjesë është 76 përqind.

Sekretarja e përgjithshme e Konfederatës Evropiane të Sindikatave, Esther Lynch, paralajmëron se kostot e larta të strehimit dhe pagat e ulëta po i shtyjnë gjithnjë e më shumë njerëz drejt varfërisë dhe pasigurisë financiare.