Britania e Madhe projektligj për ndalimin e protestave jashtë shtëpive të zyrtarëve

Qeveria britanike po planifikon një projektligj që synon ndalimin e protestave jashtë shtëpive të zyrtarëve të zgjedhur, gjyqtarëve dhe këshilltarëve vendorë. Sipas projektligjit të ri, policia do të ketë fuqinë për të ndaluar demonstratat që synojnë të ndikojnë te zyrtarët në kryerjen e detyrave të tyre ose në jetën e tyre personale, raporton Euronews.

Ata që dënohen sipas legjislacionit të ri rrezikojnë deri në gjashtë muaj burg. Ministri britanik i Sigurisë, Dan Jarvis u shpreh se niveli i abuzimit me të cilin përballen zyrtarët që janë të përfshirë në politikën britanike është tronditëse dhe një kërcënim për demokracinë e vendit.

“Njerëzit duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në politikë pa u shqetësuar për sigurinë e tyre ose të familjes së tyre”, shtoi Jarvis.

Një sondazh parlamentar zbuloi se 96% e deputetëve britanikë janë ngacmuar, ndërsa një organ i pavarur që mbikëqyr zgjedhjet në Britani theksoi se më shumë se gjysma e kandidatëve në zgjedhjet e fundit të përgjithshme u përballën me kërcënime ose frikësime.

Përpara se të fitonte zgjedhjet korrikun e kaluar, kryeministri britanik Keir Starmer u vu në shënjestër të aktivistëve pro-palestinezë, të cilët vendosën këpucë fëmijësh dhe një banderolë jashtë shtëpisë së tij në Londër, duke i bërë thirrje atij të mbështeste një embargo armësh ndaj Izraelit.

Në vitin 2023, aktivistët e klimës u mblodhën jashtë shtëpive të kryeministrit të atëhershëm britanik Rishi Sunak në Londër dhe Yorkshire të Veriut. Projektligji përfshin gjithashtu vepra të tjera penale të reja që do të kenë të bëjnë me forma të caktuara të protestës, duke përfshirë ngjitjen në monumente lufte, përdorimin e fishekzjarrëve ose flakëve dhe mbulimin e fytyrës për të fshehur identitetin.