BDI me akuzë për nepotizëm: Djali i deputetes Merita Koxhaxhiku i punësuar në MEPSO

“SPAK-u i BDI-së” ka publikuar rastin e parë të denoncuar për nepotizëm, duke përmendur emrin e Prentim Koxhaxhikut, djalit të deputetes Merita Koxhaxhiku. Sipas pretendimeve, ai është punësuar në MEPSO me pozicion dhe pagë të privilegjuar, pasi më herët kishte qenë i angazhuar përkohësisht edhe në M-NAV. Denoncuesit thonë se ky është një rast i hapur nepotizmi, ndërkohë që shumë të rinj të kualifikuar mbeten pa punë. Ata paralajmërojnë se do të vazhdojnë me publikimin e rasteve të tjera, transmeton Portalb.mk.

“SPAK po vazhdon me punën e saj. Denoncuesit e parë tashmë kanë dorëzuar kallëzimet e tyre. Qytetarët kanë filluar të flasin. Dhe ajo që po del në pah është shqetësuese. Rasti i parë që po e bëjmë publik ka emër dhe mbiemër: Prentim Koxhaxhiku. Djali i deputetes nga Çairi, Merita Koxhaxhiku, është punësuar në ndërmarrjen shtetërore MEPSO, me paga dhe pozicion të privilegjuar”, thonë nga BDI.

Ata shtojnë se para kësaj, ai ishte i punësuar përkohësisht në MNAV – një tjetër ndërmarrje elitare publike.

“Ndërkohë, dhjetëra të rinj të arsimuar, me diploma dhe profesion, mbesin pa asnjë mundësi punësimi. Jo sepse nuk janë të aftë, por sepse nuk janë “të lidhur”. Ky është nepotizëm i hapur. Nuk ka më as përpjekje për t’u fshehur. Nepotizmi po shitet si normalitet, si model suksesi. SPAK do të vazhdojë të dokumentojë çdo rast.
Sepse shteti nuk është pronë familjare. Dhe qytetarët nuk do të heshtin më”, thuhet në akuzat e kësaj partie.

Kujtojmë se duke ndjekur shembullin e Shqipërisë, e cila nga fundi i vitit 20219 ka Strukturë të Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që nga fundi i vitit 2019, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë  ka formuar dje SPAK (Sekretariat për Parandalimin dhe Antikorrupsion) lokal në Çair të Shkupit, qëllimi i të cilit, sipas partisë, është të analizojë të gjitha indikacionet e korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike në komunën e Shkupit.