ASH e Selës: Ministri i Drejtësisë të jep dorëheqje, provimi i jurisprodencës të mbahet në gjuhën shqipe

Aleanca për Shqipëtarët e Ziadin Selës sot kërkoi që ministri i Drejtësisë Igor Fillkov të jep dorëheqje. Thonë që provimi i jurisprodencës për studentët e fakulteteve të juridikut të mbahet në gjuhën shqipe, njofton Portalb.mk.

“Kryeministri Hristian Mickoski sot konfirmoi dy fakte të pamohueshme e të cilat shumë vartës të tij tentonin t’i mohojnë ose manipulojnë. Juristët e rinj shqiptarë kanë të drejtë që provimin e jurispodencës ta mbajnë në gjuhën shqipe, ndërsa për refuzimin e deritanishëm dhe shkeljen e kësaj të drejtë, ministri i drejtësisë duhet të shkarkohet pasi ka shkelur edhe ligjet edhe vetë Kushtetutën si aktin më të lartë juridik në vend. Fakti i dytë që ne e kemi mbrojtur vazhdimisht duke besuar në përkushtimin tonë dhe në drejtësi, është se me ndryshimet e vitit 2018 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që ishte kusht i ASH për Qeveri asokohe, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në gjithë vendin dhe në nivel qëndror”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Nga Aleanca për Shqiptarët vlerësojnë se nuk mjafton vetëm një deklaratë e kryeministrit për të mbyllur këto tema, por nevojiten edhe veprime konkrete në të mirë të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.

“Fillimisht nga institucionet dhe skena politike duhet të largohen individë si ministri aktual i drejtësisë dhe gjithë të tjerët të cilët kanë mbajtur haptas qëndrime kundër gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve, që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Më pas të fillojë urgjentisht procedurë për ndryshimin e të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore të cilat duhet të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjujëve dhe Amendamentin V të Kushtetutës. Nëse nuk ndodh kjo, deklarata e sotme e kreut të Qeverisë mund të vlerësohet vetëm si një tentim aktrimi për tu dukur politikan i moderuar dhe i mirë ndaj shqiptarëve, në një kohë që Qeveria dhe institucionet veprojnë të kundërtën”, thuhet në reagimin e ASH-së të Selës.

Edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali përmes një postimi në Fejsbukka përgëzuar studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut në kërkesën e tyre për dhënie të provimit të jurisprodencës në gjuhën shqipe.

“Përgëzojmë studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi. Vlerësojmë gjithashtu gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht kryeministrit Mickoski dhe zëvendëskryeministrit Sali, për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit”, shkruan Spiropali.

Ministrja Spiroplai në postim potencoi se dialogu, zgjidhjet institucionale dhe respekti për të drejtat mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit dhe standardeve demokratike.

Përkundër Ministrisë së Drejtësisë që thotë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase,kryeministri Hristijan Mickoskisot tha se s’ka arsye se pse të mos jepet në shqip provimi jurisprudencës, lidhur me peticionin e studentëve shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut me të cilin kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet.

“Nuk shoh pse nuk mos jepet (në shqip). Ligji i Gjuhëve është i qartë, në këtë rast. Në qoftë se dikush ka kërkuar të japë provimin në gjuhën shqipe, duhet t’i lejohet”, tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali në Fejsbuk ka shkruar se provimi i jurisprudencës do të jepet edhe në gjuhën shqipe.

“Provimi i jurisprudencës do të jepet edhe në gjuhën shqipe”, shkroi Sali.
Së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.
Screenshot nga peticioni.
Screenshot nga peticioni.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike (gjyqtar, prokuror, avokat, noter, përmbarues).

Duke e komentuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Ministria e Drejtësisë thotë se zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të izoluar, por në korelacion me rregulloret e tjera relevante, edhe atë: me Ligjin për avokatinë, Ligjin për gjykatat, Ligjin për prokurorinë publike, Ligjin për përmbarim dhe Ligjin për noterinë, si tërësi.

“Përkatësisht, provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për të hyrë në profesione të ndryshme në sistemin e gjyqësorit, e me këtë rast nga natyra dhe qëllimi i këtyre profesioneve buron edhe nevoja e njohjes aktive të gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.

Të gjitha lajmet për këtë temë mund t’i gjeni KËTU.