Armata e Maqedonisë së Veriut mori 13 milionë euro ndihmë nga Këshilli i BE-së

Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka pranuar 13 milionë euro ndihmë, vendosi dje Këshilli i Bashkimit Evropian në kuadër të Fondit Evropian për Paqe, raporton MIA.

“Masa e ndihmës do të forcojë kapacitetet e Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në operacione dhe misione në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së dhe misioneve të tjera ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të Këshillit të BE-së.

Kjo, sipas Këshillit, reflekton lidhjen e BE-së me vendin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Fondi Evropian i Paqes për Ushtrinë e Maqedonisë do të sigurojë teknologji të destinuara për inteligjencë, vëzhgim, zbulim, luftë elektronike dhe inteligjencë sinjalistike, si dhe pajisje logjistike dhe inxhinierike, si dhe sisteme komunikimi dhe informacioni.

Nëpërmjet fondit, BE financon aktivitete që synojnë forcimin e kapaciteteve të vendeve të treta, organizatave rajonale dhe ndërkombëtare në lidhje me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.

Kujtojmë se Republika e Turqisë për nevojat e njësive speciale të ARM-së, dhuroi donacion të dronëve, pajisjeve për komunikim, pajisje për shikim natën dhe pajisjeve Quartermaster.