Zonja e parë e ShBA-së pozitive me Covid-19, testi i Bidenit negativ

Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, ka rezultuar pozitive me Covid-19, njoftoi Shtëpia e Bardhë, transmeton Portalb.mk.

Simptomat e gruas 72-vjeçare të Bidenit, në një deklaratë nga drejtori i saj i komunikimit, u përshkruan si të lehta dhe ajo do të qëndrojë në shtëpinë e saj në Rehoboth Beach, Delaware.

Pas testit pozitiv të Jill, Shtëpia e Bardhë thotë se edhe presidenti Biden u testua menjëherë, por rezultoi negativ. Nga aty shtojnë se presidenti do të testohet rregullisht gjatë kësaj jave.

Testi pozitiv i Jill Biden vjen vetëm disa ditë përpara se Presidenti Joe Biden të udhëtojë në samitin e Grupit 20 në Indi.

CNN raporton se sipas informacioneve të një përfaqësuesi zyrtar të administratës, për momentin nuk ka ndryshime në protokollet për Covid në Shtëpinë e Bardhë apo në orarin e Presidentit Biden.

Kjo është hera e dytë që Jill Biden ka Covid-19. Ajo edhe më herët u infektua me virusin ndërsa ishte me pushime me presidentin dhe familjen në gusht të vitit të kaluar.

Presidenti Biden për herë të fundit pozitiv për Covid-19 ishte në korrik 2022.

Korona Virusi COVID19Shtëpia e Bardhë SHBAShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Xhill Bajden (Jill Biden)