Zjari në depon afër Tetovës shfaqet kohë pas kohe, Kasami: Do bëhet inspektim i detajuar i objekteve me nivel të lartë të rrezikshmërisë për zjarre

Zjarri që shpërtheu para dy ditëve në depon “Evrokom” ku kishte hekurishte, sanitari, pajisje mobiliesh, ngjyra, llak dhe të tjera në fshatin Falisht të Tetovës është ende aktiv edhe përkundër intervenimit të ekipeve zjarrfikëse për dy ditë. Nga objekti ende del tym. Zjarrfikësit e Tetovës për Portalb.mk njoftojnë se se intervenojnë për shuarje të plotë. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami paralajmëroi që në të ardhmen do bëhet inspektim i detajuar i të gjithë objekteve industriale dhe publike me nivel të lartë të rrezikshmërisë për zjarre të tilla.

“Zjarri është ende aktiv në depo, shfaqet kohë pas kohe, ne jemi në vend ngjarje”, tha komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti.

Nga objekti vazhdon të del tym dhe në afërsi vjen erë e djegur.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami njoftoi se dje pas takimit me komandantin e zjarrfikësve të Tetovës kanë diskutuar çështjen e masave të cilat duhet të merren konform ligjit për mbrojtje dhe siguri dhe se është konstatuar që edhe në këtë objekt nuk ka hidrantë që do të ishte lehtësim i madh për njësinë kundër zjarrit për intervenim më të shpejtë.

“Diskutuam mundësinë që në të ardhmen të bëjmë inspektim të detajuar të të gjithë objekteve industriale dhe publike me nivel të lartë të rrezikshmërisë për zjarret të tilla, që më pas në bazë të studimit të vlerësojmë se cilat institucione dhe çfarë masash duhet të merren që në të ardhmen të ulet rrezikshmëria nga situata të tilla kur kemi zjarre që dëmtojnë pronat e bizneseve private por në masë të madhe rrezikojnë edhe shëndetin e qytetarëve”, tha Kasami.

Depoja e djegur në fshatin Falisht të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministrja e Mjedisit, Kaja Shukova dje theksoi se ndotja e këtillë nuk mund të matet pasi siç tha ajo nuk kanë metodë të akredituar për matjen e substancave organike.

Sa i përket asaj që ndodhi, është e qartë se do të ketë ndotje të ajrit, fatkeqësisht nuk mund ta matim, për shkak të substancave të paqëndrueshme organike”, tha Shukova.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës përmes një reagimi njoftoi se ajri në rajonin e komunës është i pastër dhe grimcat e ndotjes janë në nivelin e lejuar.

“Sipas matjeve të cilësisë së ajrit dhe sipas njoftimit të IPSH “Qendra e Shëndetit Publik-Tetovë” ajri në qytetin e Tetovës nuk është i ndotur, edhe përkundër asaj se ende ka tym që vjen nga hapësira e kompanisë “ Evrokom” që u përfshi nga flakët. Rekomandimet e djeshme tashmë janë shfuqizuar dhe se ajri në qytetin e Tetovës është i pastër”, thanë dje nga Komuna e Tetovës.

Depoja e djegur në fshatin Falisht të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërkaq Lëvizja Eco Guerilla shprehi keqardhje për atë që ka ndodhur si dhe për ndotjen enorme të ajrin me ndikim negativ në shëndetin e qytetarëve dhe ambientin. Ata thonë se kjo është hera e dytë në Tetovë të ndodhin fatkeqësi me përmasa katastrofale.

“Është koha që institucionet relevante dhe Inspektoratet të rishikojnë rregullativat ligjore me të cilat do të ketë kontrolle dhe standarde më të rrepta për mbrojtje nga zjarri për fabrikat apo depot te të cilat ka materiale kimike nga djegia e te cilave mund të shkaktohen katastrofa të mëdha si këto”, thanë nga Eco Guelilla.

Depoja e djegur në fshatin Falisht të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Zjarri në depon e “Evrokom” në Falisht të Tetovës ka rënë me 22 nëntor rreth orës 10:30. Shkaku i zjarrit sipas informatave ka qenë rryma elektrike, pasi depoja nuk ka pasur rrymë një ditë më parë dhe më pas të nesërmen kur rryma ka ardhur nuk ka qenë stabile dhe ka shkaktuar zjarrin. Në shuarjen e zjarrit përveç zjarrfikësve të Tetovës kanë marrë pjesë edhe zjarrfikëse nga Shkupi, Gostivari, Velesi, Kumanova dhe kompani private. Katër zjarrfikës të Tetovës për shkak të tymit morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Tetovës.

Kaja ShukovaKomuna e TetovësMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Ndotja e ajrit - ajër i ndoturTetovaZjarrZjarrfikës