Zi në Kosovë – aheng në Tiranë

Dje në Teatrin e Operës në Tiranë, Filarmonia e Beogradit mbajti koncert me rastin e 100 vjetorit të themelimit të saj. Për pakurrizorët që organizuan këtë ngjarje kulturore me prapavijë të fortë politike, që synon prezantimin e Serbisë para botës si vend kulture, në një stinë kur ajo ka mbetur shteti i vetëm që përkrah agresionin rus ndaj Ukrainës dhe që përpiqet ta destabilizojë Evropën me nxitjen e një lufte të re në veriun e Kosovës. Për të arsyetuar këtë vaki tipike shqiptare, që ndodhi javën kur ushtria serbe kidnapoi brenda territorit të Kosovës 3 policë kufitarë që paskan rrezikuar fqiun e militarizuar prej vitesh, drejtoresha “mendjehapur” e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Abigeila Voshtina, deklaroi: Programi me maestron është paracaktuar që në tetor. Sa i takon fakteve që ndodhin tani, mendoj se vetëm mendjet e mbyllura mund të krijojnë situata të pakëndshme dhe që janë kurthe që historia do t’i zhdukë. Është nismë e Ballkanit të hapur me rastin e 100 vjetorit të orkestrës së tyre. Gjithnjë sipas zonjës Voshtina: shqiptarët e paskan pritur prej kohësh koncertin fantastik të Filarmonisë së Beogradit, të cilin ajo e konsideron “ngjarje historike”.

Justifikimi mjeran i “ngjarjes historike” në kryeqytetin e Shqiptarisë bie ndesh me mënyrën se si e shohin tironsit tjerë festën e Filarmonisë serbe në Shqipëri. Në dallim prej drejtoreshës  së TKOB, diplomati Mal Berisha nuk e zbut turpin me prezencën e dirigjentit të madh Zubin Mehta, as me Ballkanin e Hapur që s’është tjetër pos instrument për sendërtimin e Botës Serbe të pinjollëve të Kasapit të Ballkanit, po me dinjitetin e munguar të atyre që nuk janë të vetëdijshëm për shërbimet që ia bëjnë aktualisht shtetit që cenon seriozisht pavarësinë e Kosovës. Sipas z. Berisha, kjo festë serbe në kryeqytetin e Shqipërisë do të zhgënjejë bashkëkombësit e esëllt dhe do të thellojë edhe më shumë hullinë ndarëse ndërmjet dy vëllezërve të një gjuhe e gjaku, njëri prej të cilëve ka zi në shtëpi, kurse tjetri bën aheng.

I zhgënjyer nga ovacionet e publikut të hallakatur shqiptar, ai ua kujton budallenjve se Orkestra Simfonike e Beogradit është themeluar para 100 vitesh nga antishqiptari më i përbetuar serb Nikolla Pashiqi, që i ka sjellë Shqiptarisë një mal me tmerre.

Se ngjarja ka qenë kryekëput në shërbim të politikave hegjemoniste të tjetrit, kuptohet  lehtësisht nga shkrimet e medieve serbe, që e theksojnë që në tituj se koncerti për nder të 100 vjetorit të themelimit të Filarmonisë së Serbisë u organizua në kuadrin e iniciativës së “Ballkanit të Hapur”. Pra në kuadër të një kurgjëje fund e krye politike.

“Ngjarja e madhe historike” serbe në zemrën e tokave shqiptare nuk është e para e këtij lloji. Një ngjarje tjetër “e madhe” qe ajo kur Edi Rama, asokohe kryetar bashkie, e shpalli rokerin serb Goran Bregoviq qytetar nderi të kryeqytetit dhe e dekoroi me Çelësin e Tiranës. Sigurisht që në rrethana paqeje kjo do të konsiderohej si diçka që ndodh kudo në vendet e qytetëruara, por rasti nuk qe i tillë, sepse akoma nuk ishin tharë varret e civilëve të pafajshëm shqiptarë të masakruar në aktet gejnocidiste të neoçetnikëve të Millosheviqit, të njohur për pashpirtësinë e demonstruar në akte dhunimesh, pushkatimesh masive dhe shkrumbimesh të vendbanimeve shqiptare.

Në të njëjtën kohë kur Bregoviqi shihej si jashtëtokësor nga shqiptarët, këngëtarja e njohur serbe Tijana Dapçeviq, kërkoi të mbajë një koncert në sheshin e kryeqytetit kroat, por kroatët “e prapambetur”, nuk e lejuan këtë për të njëjtat arsye që kanë mundur ta pengojnë edhe maskaradën e Bregoviqit në Tiranë. Mjerisht, paria shqiptare (respekt përjashtimeve të rralla!) është e veçantë dhe, jo rastësisht, e ka shndërruar Shqipërinë në një vend të braktisur prej gjysmës së popullatës; në një vend ku, për shkaqe të kequdhëheqjes, vriten njerëzit si në luftëra civile; në një vend, të cilin përpiqen ta shpëtojnë nga kthetrat e hajnisë politike edhe ambasadorët e shteteve mike; në një vend të katandisur prej prijësish me imazh kapobandash kolumbiane; në një vend, të cilin xhambazët tentojnë ta shesin copa-copa tezgave të fqinjëve nëpërka; në një vend që, akoma pa u tharë mirë varret e viktimave civile në Kosovë dhe pa u terur lotët e mijëra grave të dhunuara…, u lejohet goranbregoviqëve të hallakatin shqiptarët e painformuar me këngët Kallashnikov dhe Jurish, të cilat çetnikët i këndojnë si himne luftarake, sa herë që i ndërsehen qenies sonë; në një vend ku figura të njohura që drejtojnë medie nacionale qytetin e ABC-së shqipe e quajnë Bitolje; në një vend ku edhe një përqindje e madhe intelektualësh e kanë për turp t’i pagëzojnë fëmijët me emra të bukur shqip; në një vend ku Flamuri shqiptar unj kokën për t’i bërë vend valëvitjes së simbolit nazist të bishave të Bularatit, në një vend pushtetarët e të cilit shqiptarët e mbetur nën thundrat e të tjerëve i konsiderojnë si diasporë; në një vend ku matrapazët shesin legalisht robinka shqiptare për serbët e fshatrave, prej të cilëve ikin nga sytë-këmbët vajzat serbe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir Sulejmani
Comments (0)
Add Comment