Sot për lexuesit e Portalb.mk sjellim bisedën me studiuesen Zenepe Dibra, e cila ka lënë gjurmë të mëdha në evidentimin e historisë së grave shqiptare. Dibra është autore e 14 librave dhe studimeve kushtuar gruas shqiptare. Ajo foli për emrat e grave të shquara që kanë dhënë kontribut të veçantë në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe emancipimin shoqëror të gruas, rrugëtimin e saj dhe shumë tema të tjera që do ju lëmë kureshtjen gjatë leximit të kësaj bisede.
Zenepe Dibra lindi në Shkodër më 13 mars 1948 ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Më 1970 u diplomua inxhinieri ndërtimi në Universitetin e Tiranës. Deri në vitin 1974 ka punuar inxhiniere projektuese në Zyrën urbanistike, pranë komitetit ekzekutivë në rrethin e Shkodrës. Për 13 vite ka qenë pedagoge në Universitetin e Tiranës. Më 1986 mmori gradën shkencore “Kandidat i shkencave ” (konvertuar në doktore shkencash më 1993) në vitin 1997 ka punuar drejtore pranë “Drejtorisë rajonale të rrugëve Shkodër ” deri në vitin 2000. Më pas emërohet inxhiniere e degës teknike pranë kësaj ndërmarrje. Më 2006 është bashkautorë në librin “Fjalor biografik i lëvizjes femërore dhe feminizmit i Evropës qendrore, lindore dhe juglindore të shekullit 19 dhe 20”.
Portalb.mk: Jeni studiuese e letërsisë dhe botuese e shumë pioniereve me shkrime të ndryshme qysh në moshë më të re, na përshkruaj në disa pika për synimet e juaja të hershme?
Zenepe Dibra: Në fakt unë kam mbaruar shkollën e lartë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë, Dega ndërtim ku në vitin 1970 jam diplomuar inxhiniere ndërtimi. Atëherë pavarësisht prirjes tonë dhe kërkesave tona, e drejta e studimit të dilte ashtu si vendosnin organet ekzekutive të qytetit. Por dëshira dhe prirja ime ishte për shkencat shoqërore e veçanërisht për letërsinë. Kam qenë që fëmijë në kursin e letërsisë në Shtëpinë e Pionierit Shkodër ku aty janë botuar edhe poezi dhe proza të shkurtra që ne krijonim nën udhëheqjen e mësuese së letërsisë. Pastaj dëshira për të shkruar ka vazhduar ku unë kam botuar poezi në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe kam dërguar në “Radio Shkodra” shumë lajme dhe informacione nga shkolla e mesme. Pastaj mbas viteve 1990, mbasi krijova dhe shoqatën “Gruaja Intelektuale Shkodrane”, për herë të parë botova më 2004 librin “Bijat e Rozafës-Gra të shquara të hapësirës shkodrane” për të vazhduar pastaj me libra të tjerë.
Portalb.mk: Keni krijuar shoqatën “Gruaja intelektuale shkodrane”, sa aktivitete keni organizuar me këtë shoqatë dhe sa kanë qenë të dobishme për shoqërinë?
Zenepe Dibra: Po më 1998 kam krijuar shoqatën “Gruaja Intelektuale Shkodrane”, misioni i të cilës ishte demokratizimi i jetës së gruas shqiptare në përgjithësi dhe asaj shkodrane në veçanti, rritja e statusit ekonomik të gruas, lufta kundër dhunës në shoqëri e familje ndaj gruas, promovimi i vlerave të gruas shqiptare, etj. Kemi zhvilluar shumë aktivitete të ndryshme. Një nga ato më të rëndësishmet ishte edhe ndihma ekonomike ndaj gruas artizane ku dihet që në Shkodër, artizanati i grave ishte i zhvilluar. Kemi bërë punë për të promovuar vlerat artizanale të grave nëpërmjet zhvillimet të afro 16 panaireve në Shkodër, Tiranë, Mal të Zi, Kosovë, Itali. Me këtë rast në kuadër të iniciativës “Si të hapim dhe zhvillojmë një biznes” janë bërë edhe konkurse me çmime të vlerësuara me para për gratë me idetë më të mira në këtë fushë. Gjithashtu në zonat rurale janë bërë kurse për biznesin, kurse gatimi si dhe për të drejtat e tyre në luftë kundër patriarkalizmit. Mendoj se të dobishme kanë qenë edhe kurset kundër analfabetizmit që kemi zhvilluar me një pjesë të komunitetit egjiptian duke kombinuar dhe me kurse rrobaqepësie. Aktivitete janë bërë edhe kundër prostitucionit që në vitet e para mbas 1990, kishte marrë përhapje. Janë prodhuar pos tera, fletëpalosje dhe janë botuar katalogë, dhe dy libra shkencorë për nxitjen e punësimit të grave.
Portalb.mk: Çka ju nxiti që të merreni me studimin e grave shqiptare, dhe cilat histori të grave shqiptare të kanë prekur më shumë?
Zenepe Dibra: Siç e përshkrova ma lart dëshira e ime për të shkruar në fëmijëri dhe rini, u konkretizua kur krijova shoqatën “Gruaja Intelektuale shkodrane” ku një nga pikat e programit tonë ishte edhe promovimi i gruas shqiptare. Por natyrisht e fillova me gratë shkodrane kontributet e të cilave në çdo fushë dallohen, cilësohen dhe evidentohen qartë si nder ma kontribuueset në rang kombëtar. Historia e grave shqiptare është ndër nga më të rëndësishmet në përpjekjen e kombit tonë për çështjen kombëtare, zhvillim, arsim dhe kulturë. Gjatë studimeve të mija më kanë bërë përshtypje së pari përpjekja e gruas shqiptare për të luftuar krah për krah me burrin në luftërat për çlirim kombëtar gjë që e kanë venë re dhe e kanë shprehur edhe të huajt në vëzhgimet e tyre kur kanë studiuara historinë tonë dhe kur kanë udhëtuar në viset shqiptare. Po kaq e madhe asht përpjekja e grua shqiptare për arsimim, kulturë dhe zhvillim që ka sjellë emancipimin e saj , një përpjekje shekullore që nuk ka qenë rrugë e lehtë.
Portalb.mk: Cila është një nder vetitë më të rëndësishme të gruas shqiptare?
Zenepe Dibra: Mendoj se është dashuria për vendin, familjen për të cilat ka bërë sakrificat ma të mëdha. Ajo gjithmonë ka vënë të tjerët para vetes, ka bërë gjithçka që të gëzojnë e të lumturohen të tjerët familja, shoqëria, etj.
Portalb.mk: A janë të evidentuara të gjitha gratë të cilat kanë dhënë kontribut në çështjen shqiptare?
Zenepe Dibra: Në librin tim “Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare” jam përpjekur të evidentoj gra me personalit dhe integritet në të gjitha fushat si ato të luftës për çlirim kombëtar të arsimit, kulturës dhe sportit etj. Por gjithmonë nuk mund të arrihet përsosmëria dhe ajo që duhet bërë edhe nga studiues të tjera është që enciklopeditë të ribotohen të shtohen personalitete apo ngjarje të gruas që ndoshta janë harruar pa qëllim pse jo edhe të korrigjohet ndonjë gjë, por deri tani nuk shoh se ka ndonjë përpjekje të tillë. Mendoj se i kam borxh grave shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi që besoj se studiuese të tjera do marrin iniciativën të tregojnë më gjerë historinë e tyre.
Portalb.mk: Cili është vlerësimi juaj për rolin e grave dhe vajzave në familje dhe shoqëri?
Zenepe Dibra: Mendoj se sidomos familja është një nga rolet më të rëndësishme të gruas në menaxhimin e jetës familjare, edukimin e fëmijëve dhe bashkekzistencës paqësore pa kontradikta të thella. Pastaj roli në shoqëri po bëhet evident dita ditës duke pasur se tani kemi gra që japin kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në çdo sektor të zhvillimit duke arritur në pozicionet më të larta të marrjes së vendimeve si president, kryetare kuvendi, ministre etj. Por mendoj se shoqëria ka akoma borxhe ndaj gruas në drejtim të drejtave të saj dhe trajtimit si të barabartë që të mos flasim pastaj për fenomenin e dhimbshëm të dhunës në familje e shoqëri. Shoqëria shqiptare ka akoma nevojë për një emancipim më të madh në drejtim të trajtimit të gruas si e barabartë në të gjitha drejtimet.
Portalb.mk: Na trego sa ishte i vështirë arkivimi i gjithë këtyre materialeve sepse ka edhe nga ato të cilat janë humbur apo janë shkatërruar për arsyeje të ndryshme?
Zenepe Dibra: Po është e vërtetë që ka shumë materiale që kanë humbur por unë jam përpjekur të shfletoj, hulumtoj aq sa kam mundur të gjej sepse për gruan për pozitat e saj nuk asht shkruar shumë sepse ajo duke qenë e nënvlerësuar nga shoqëria, e pa ndalur në shoqëri por e mbyllur brenda kafazit të shtëpisë edhe të huajt që kanë shkruar për gjendjen e saj e kanë parë shumë në mënyrë sipërfaqësore sepse ka qenë i pamundur komunikimi i drejtpërdrejtë. Pastaj zhvillimi i saj drejt emancipimit ka filluar vonë mbas vitit të pavarësisë me arsimimin e saj dhe me vonë me krijimin e shoqatave dhe shtypit të saj ku deri diku edhe janë ruajtur materialet. Me pjesëmarrjen e saj në luftën naconal-çlirimtare fillon edhe angazhimi në politikë, lufta kundër analfabetizmit heqja e perçes, etj. Deri në çlirim dhe më vonë gjatë viteve 1944-1990. Pastaj një histori tjetër kanë gratë e Kosovës apo Maqedonisë, apo të Ulqinit apo krahinave të tjera me popullsi shqiptare, që pavarësisht se jam përpjekur ta shtrij në hapësirë këtë libër mendoj se ato kërkojnë një enciklopedi në vete, sepse këtu ka kenë e vështirë gjetja e materialeve dhe hyrja në arkiva.
Portalb.mk: Ndër botimet e tuaja të shumta keni edhe librin që ka bërë jehonë të madhe “Enciklopedia e Gruas Shqiptare” na flisni për eksperiencat tuaja rreth hulumtimit dhe shkrimit të këtij libri aq i veçantë për publikun në përgjithësi?
Zenepe Dibra: Ka qenë një punë me shumë emocion, me përgjegjësi, por edhe me kujdes duke shmangur dallimet fetare apo krahinore por duke marrë parasysh vetëm kontributet që gratë shqiptare kanë dhënë. Në këtë enciklopedi nuk janë vetëm biografi të jetës së grave të shquara por është gjithë historia e saj në kontributin për liri e pavarësi, të gjitha shoqatat e grave, gjithë revistat dhe gazetat e botuara nga gratë, kontributet në arsim, emancipim, kulturë, sport etj, dhe ka qenë mjaft e vështirë të përmbledhësh gratë e gjithë krahinave shqiptare përfshirë këtu edhe nga Kosova, Maqedonia, Çamëria. Janë futur edhe gra të huaja, albanologe që kanë studiuar për gjuhën dhe historinë tonë apo kanë ndihmuar në disa fusha edhe në kohë paqeje me projekte dhe kontribute humanitare.
Portalb.mk: Mund të na tregoni emrat e disa grave shqiptare që kanë bërë histori dhe vazhdojnë të kujtohen për të bëmat e tyre edhe sot?
Zenepe Dibra: Unë gjithmonë si të parat gra që janë për tu shënuar në historinë janë ato që dhanë jetën për liri e pavarësi, heroinat e popullit, dëshmoret që nuk i mungojnë këtij vendi deri në ditët e sotme, si Fato Berberi, Ylbere Belibashi, Shkurte Cara, Zonja Curre, Qeriba Derri, Inajete Dumi, Liri Gero, Bule Naipi, Persefon Kokëdhima, Shejnaze Juka, Xheve Llavdrovci, Gratë dhe fëmijët e Familjes Jashari, etj.
Si luftëtaret e para për arsim dhe emancipim të gruas janë Motrat Qiriazi, Nderi i Kombit Shqiptar si dhe gra që hapen shoqatat e para në qytete Shkodër-Shaqe Coba, Urani Rumbo Gjirokastër, Marigo Posio Vlorë që qëndisi edhe Flamurin e Pavarësisë. Musine Kokalari që konsiderohet gruaja e parë që arriti ti bëjë opozitë rrëgjimit komunist. Pastaj janë shumë gra në fushën e kulturës si Marie Logoreci, Marije, Kraja, Tefta Tashko, Vaçe Zela etj.
Portalb.mk: Si një grua me karakter të fortë dhe shembull për grat dhe vajzat e tjera cili do të ishte mesazhi i juaj deri te lexuesit e kësaj interviste?
Zenepe Dibra: Mesazhi im për të gjitha gratë, (mbasi kam parë dhe studiuar historinë e tyre në shekuj), është që ato duhet të luftojnë gjatë gjithë jetës së tyre për personalitet dhe integritet, të jenë vetvetja duke realizuar ëndrrat e tyre por duke mos ju shmangur vështirësive por me ngulmim, sakrifica dhe vetëmohim deri në fund pa u përkulur, ta ruajnë shenjtërinë e tyre si nëna, familjare, bashkëshorte të mira dhe gjithçka në të mirë dhe në dobi për shoqërinë.