Zejna Halimi dhe kontributi i saj i palodhur për etnokulturë, avancimin e gruas dhe arsimin

Zejna Halimi është një intelektuale e cila përveç kontributit të madh që ka dhënë në Lidhjen e Gruas Shqiptare në Maqedoni me shumë pasion dhe dashuri ka mbledhur këngët, ritet dhe veshjet në Rekën e Epërme, emri i saj është përmendur edhe krahas temave të arsimit si këshilltare në Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Për lexuesit e Portalb.mk sjellim profilin e saj duke qenë edhe një shembull gruaje i suksesshëm që shërben për frymëzimin e gjeneratave të reja. Në kuadër të promovimit të grave të suksesshme propozoni dhe ju profile grash që t’i ndjekim në vazhdimësi.

Nuk ka asnjë moment në të cilin ajo s’bën asgjë, pasi siç duket ajo pushon më mirë kur punon. Shquhet për një zell të jashtëzakonshëm për punë dhe si një mbështetëse dhe promovuese e madhe e grave për mundin e të cilave flet kudo. Femrat gjithnjë duhet t’i mbështesin femrat, aq më tepër kur mjediset në të cilat kanë vepruar dhe veprojnë ato nuk kanë qenë dhe aq terrene të lehta. Zejna Halimin rekasit e mbajnë mend si zonja e cila që si e re gjithkund është shfaqur me një fletore, kalem dhe fotoaparat me qëllimin që mos ia lër gjithë ato pasuri të kësaj ane prej nga vjen dhe vet ajo, harresës.

Fotografi gjatë promovimit të librit në UT

Lind në fshatin Leunovë (Lemnovë) të Gostivarit më 05 mars 1955, po atë vit familja e saj shpërngulet në Tetovë prej ku do të bëhej migrimi për në Turqi, me qëllim të shpëtojnë prej dhunës sllavo komuniste dhe gjendjes ekonomike të rënduar pas konfiskimit të pasurisë të familjes në fshat dhe në qytetin e Gostivarit. Por fati deshi që familja të ngelë në Tetovë, pasi kishte problem me rregullimin e dokumenteve për mërgim (vizikat) pas refuzimit të mbiemrit që administrata turke ua kishte caktuar. Ajo e kreu shkollën fillore dhe gjimnazin në Tetovë, kurse studimet universitare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi ” në Shkup, Fakultetin Filozofik. Pa i kryer studimet, punësohet si mësuese në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Tetovë, ku dha kontribut në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave dhe njëkohësisht ndihmoi shumë nëna që të mësojnë shkrim- lexim duke shkuar në shtëpitë e tyre dhe duke i pajisur me libra.

Fotografi nga albumi personal i Zejna Halimit

Zejna Halimi ishte drejtoresha e parë shqiptare që menaxhoi kopshtet për fëmijë në qytetit e Tetovës (2002 – 2006), ajo për herë të parë formoi grupet e fëmijëve me përkujdesje në gjuhën shqipe dhe e bëri që kopshtet të frymojnë edhe në gjuhën shqipe që ishte një ndihmesë për nënat shqiptare të punësuara. Për çështje politike nga partia në pushtet ajo u largua nga puna dhe pas shtatë muajsh pauze, prej vitit 2007 deri në vitin 2021 u punësua si këshilltare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Byroja për Zhvillimin e Arsimit në Shkup në Sektorin për Programe Mësimore. Si këshilltare tregoi sukses në realizimin e shumë seminareve dhe vizitave nëpër shkolla me qëllim avancimin e arsimit në gjuhën shqipe.

Fotografi nga albumi personal i Zejna Halimit

Zejna Halimi prej vitit 2012 deri 2017 ishte nënkryetare e Shoqatës të Pedagogëve Shqiptarë (SHPSH) në Tetovë ku kontribuoi në afirmimin e punës të pedagogëve në rrethin e Tetovës. Në kuadër të SHPSH ajo dha kontribut në organizimin e konferencave shkencore me qëllim të përmirësimit të cilësisë në arsim si dhe organizimin e Akademive solemne për nder të festive 22 Nëntori, Dita e Alfabetit në Gjuhën shqipe dhe 7 Marsi, Dita e Mësuesit.

Në Vitin 1992/3 u angazhua në themelimin e Shoqatës Joqeveritare Lidhja e Gruas Shqiptare në Maqedoni dhe u caktua në pozitën e nënkryetares, ku u angazhua për avancimin e gruas në çdo sferë. Në kuadër të kësaj shoqate bashkë me anëtaret tjera organizuan tribuna, konferenca ku në mes tjerash u morën vendime për mënyrën e arsimimit të gruas, shëndetin dhe fuqizimin ekonomik të saj. Aktivitetet kryesore si Kryetare e Komisionit për Arsim pranë LGSHM ishin: zhdukja e analfabetizmit në viset rurale, veprimtari në teren me prindër, për regjistrimin e vajzave në shkollë të mesme dhe angazhim i veçantë për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore për të cilin kishte edhe takime me themeluesin Z. Shtul.

Vlen të theksohet se në periudhën 1992-1998, Zejna Halimi pati shumë takime me euro parlamentarë dhe delegacione tjera humanitare të interesuar për gjendjen e popullit shqiptar në Maqedoni. Pati takime me shumë gra të ambasadorëve të akredituar në Maqedoni të cilat tërthorazi interesoheshin se a janë të vërteta të thënat e pushtetarëve sllav se shqiptarët nuk janë autokton në Maqedoni, por janë të ardhur. Për këtë arsye ajo organizoi vizita nëpër vise të banuara me shqiptarë, nëpër kisha e manastire të cilat ishin shqiptare me çka i bindi ato, se shqiptarët janë vendas në këto troje.

Për sa i përket angazhimit, për avancimin e gruas ajo kontribuoi edhe në Shoqatën Women Civic Antiko duke realizuar trajnime për fuqizimin e grave si dhe në Forumin e Gruas Shqiptare në Tetovë në pozitën e anëtares në konferenca që i realizonte FGSH në lidhje me tema që kanë të bëjnë kundër dhunës ndaj grave.

Prejardhja e saj nga Reka e Epërme, dashuria e saj ndaj vendlindjes, njohja e të folmes së Rekës, pjesëmarrja në shumë ngjarje në terren dhe më gjerë, motivimi nga nëna dhe gjyshja e saj, mundësuan që ajo të bën vjeljen e materialit që dëshmon trashëgiminë e pasur etno-kulturore të zonës Reka e Epërme dhe ta sistemon në libër. Prej moshës 15 vjeçare Zejna filloi të vjelë folklorin në një zonë të getoizuar nga pushteti, në Rekën e Epërme.

Me decenie ajo mblodhi të dhëna për historinë, jetën, ritet këngët, fjalë të urta popullore, mjekësinë popullore dhe çdo gjë që kishte të bën me trashëgiminë kulturore në Rekën e Epërme. Këto të dhëna i sistemoi në vitin 2004 kur botoi librin me këngë nga folklori i Rekës së Epërme “Ç’vojta kputa nji lul në bgjeshk”, kurse në Vitin 2022 botoi librin “Trashëgëmia etnokulturore e Rekës së Epërme.” Me themelimin e Shoqatës për Kulturë “Reka e Epërme” në vitin 2015, si anëtare e kryesisë, jep kontribut në realizimin e pikave programore për afirmimin e etno-kulturës dhe trashëgiminë në rajonin e Rekës së Epërme. Zejna Halimi mori pjesë në konferenca shkencore, në mediume dhe evente tjera ku shpalosi të dhëna nga hulumtimet e saj për Rekën e Epëme dhe më gjerë.

Fotografi nga albumi personal i Zejna Halimit

E pasionuar pas bukurisë dhe vlerës artistike të veshjeve popullore te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ajo grumbulloi shumë kostume popullore dhe elemente të veshjes të cilat i rruan në thesarin e saj. Udhëtoi në viset e banuara me shqiptarë në MV, ku hulumtoi për veshjet popullore të cilat i fotografoi si dëshmi të pasurisë tone kombëtare. Artin popullor e shprehu duke botuar monografinë për veshjet popullore të titulluar: “Arti popullor i shprehur në veshjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut” të mbështetur nga Ministria e Kulturës të RMV dhe e ribotuar nga Universiteti i Tetovës.

aktivitet mediatik për çështjen e gruas shqiptare
Barazi gjinoreForumi i GruasKultura shqiptareKulturë lajme