Zbatimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare në kohë lufte

Luftërat gjithmonë sjellin tragjedi për popujt. Më së shumti vuan popullata e pambrojtur e cila detyrohet të zhvendoset, të bëhet cak i sulmeve dhe i bombardimeve të pafajshme nga ushtritë armike. Shtetet ndodhë që të arsyetojnë veprimet ushtarake mbi popullatën për interesa më madhore. Por kjo dihet se nuk është e drejtë. Për më shumë, rasti i fundit në Gazë ku për arsye të bllokadës dhe bombardimeve nga ushtria e Izraelit (IDF), qytetarët Palestinës tashmë po vriten.

Paralelisht, edhe qytetarët izraelitë janë bërë peng i politikave të apartedit të qeverisë izraelite. Kështu të dyja palët si IDF dhe Hamasi po e dëmtojnë popullatën e pafajshme. Shtetet agresore kanë tendencë që në emër të sigurisë së shtetit dhe luftës kundër terrorizmit të ndërmarrin aksione që shkelin të drejtat themelore të njeriut dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare. Në konventat e botuara në databazën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (ICRC), theksohet se e drejta humanitare ndërkombëtare dhe ligji për të drejtat e njeriut janë ligje plotësuese të së drejtës ndërkombëtare.

Në të dhënat e publikuara thuhet se “ligji ndërkombëtar humanitar dhe ligji për të drejtat e njeriut mbrojnë jetën, dhe dinjitetin e individëve në rrethana të ndryshme qoftë në paqe ose në kohë lufte”. E drejta ndërkombëtare humanitare dhe ligji i të drejtave të njeriut, ndalojnë torturën ose trajtimin mizor të individëve. Të dyja ligjet thuhet se “ndalojnë diskriminimin, përmbajnë dispozita për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve dhe rregullojnë kushtet e jetës në burgje dhe në paraburgim”.

Megjithatë, zbatimi i të dyja ligjeve në kohë lufte ose të paqes shumë pak vjen në shprehje. Lufta në Ukrainë, dhe në Palestinë pa përfshirë konfliktet tjera globale, vërtetojnë se asnjeri ligj nga shtetet nuk zbatohet, dhe në disa momente refuzohet të aplikohet.

Në të dhënat e ICRC-së përfshihen disa konventa ndërkombëtare të nënshkruara nga anëtarët e OKB-së si: Konventa për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit (1948); Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor (1965); Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike (1966); Pakti ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore (1966); Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit kundër grave (1979); Konventa kundër torturës dhe trajtimeve ose ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese (1984); Konventa për të drejtat e fëmijës (1989); Konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre (1999); Konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukja me forcë (2006); Konventa për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara (2006); Konventa evropiane  për të drejtat e njeriut (1950)…, dhe shumë konventa tjera që nuk vinë në shprehje në konfliktet aktuale globale dhe kohë paqeje.

Historikisht në politikën ndërkombëtare nuk ka humanizëm, andaj nuk duhet të habitemi se pse shtetet që janë nënshkruese të traktateve, konventave thirren po ashtu në parime demokratike, ndërsa në emër të hegjemonisë rajonale dhe rolit global janë shkelësit më të mëdhenj të ligjeve ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut. Për lexuesit tanë duhet të sqarojmë se e drejta ndërkombëtare humanitare zbatohet gjatë konflikteve të armatosura, ndërsa ligji për të drejtat e njeriut zbatohet në kohë paqeje dhe gjatë konflikteve të armatosura.

Zakonisht qeveritë kanë tendenca të bëjnë leximin e traktateve dhe konventave më ndryshe ose bëjnë shmangien e tyre sipas interesave shtetërore dhe aspak humanitare apo njerëzore. Në konfliktin që shpërtheu në mes forcave ushtarake të Hamasit dhe të Izraelit, asnjëra palë nuk ju përmbahet ligjeve të lartpërmendura. Është fakt se IDF në momente lufte nuk bën respektimin e asnjë ligji, dhe sipas organizatave ndërkombëtare po bën gjenocid. Gjithashtu edhe për forcat e Hamasit që janë shpallur si organizatë terroriste, ka kritika të keqpërdorimit të popullatës palestineze.

Si gjithmonë, në luftëra të tilla si në Gazë dhe në tërë territoret e okupuara palestineze, historikisht e në veçanti në katër dekadat e fundit, palestinezët kanë qenë më të goditurit. Palestina dikur ishte e banuar me mbi 80 përqind me qytetarë palestinezë. Me Deklaratën e Balforit të vitit 1917, dhe ndihmën e Anglisë filloi dyndja e izraelitëve drejt Palestinës, duke e rrumbullakuar shtetin izraelit në vitin 1947-48. Konflikti për tokë në mes palestinezëve dhe izraelitëve vlerësohet të jetë një ndër më të komplikuarit dhe pa ndonjë zgjidhje. Mijëra palestinezë dhe izraelitë kanë humbur jetën që nga viti 1948.

Ekspertët ndërkombëtarë thonë se palestinezët kanë të drejtë të formojnë shtetin e tyre, pasi toka palestineze e cila ishte nën pushtimin Osman padrejtësisht ju dha izraelitëve. Mirëpo, për shkak se izraelitët që në kohërat e lashta nuk kishin shtet, dhe Jerusalemin e konsideronin si bazë të fesë së tyre, Fuqitë e Mëdha në atë kohë vlerësuan se Palestina ishte vendi ku duhet të formohet shteti i Izraelit. Aktualisht, SHBA-ja dhe shtetet islamike janë të brengosur për mundësinë e përhapjes së konfliktit në të gjithë Lindjen e Mesme. Në një situatë të tillë, ligji ndërkombëtar si vështirë do të respektohej dhe vihej në zbatim nga palët në konflikt. Për më shumë, nëse konflikti shihet nga këndi fetar të dy fetë botërore, Hebraizmi dhe Islami janë fe monoteiste.

Në fund, pavarësisht raportit të Palestinës me shtetet tjera dhe në veçanti me shqiptarët dhe refuzimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, politika shqiptare në Ballkan duhet të mbështesë zgjidhjen e “dy shteteve”. Bashkëpunimi i palestinezëve me popujt tjerë dhe me Izraelin me siguri se do të sjellë siguri më të madhe në Lindjen e Mesme dhe zbatim minimal të ligjeve ndërkombëtare. Dilema mbetet nëse lufta e fundit ka qëllime tjera, ku interesat e Rusisë dhe Kinës në Lindjen e Mesme bashkë me Perëndimin nuk shkojnë në favor të paqes dhe krijimit të shtetit palestinez.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi