YouTuber-ët në “zonë gri” dhe pa mbikëqyrjen e ASHMAA, a nevojitet rregullim i influenserëve?

Çështja për shkallën e rregullimit të YouTuber-ëve u ngrit pas rastit të emisionit të Stefan Llazarovit të publikuar në YouTube ku të ftuar kishte Dragan Pavlloviq-Llatasin, e të cilët u gjendën para gjykatës nën akuzën për përhapje të materialeve raciste dhe ksenofobike nëpërmjet një sistemi kompjuterik, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Nga vlerësimet promocionale për produkte të caktuara, vlerësimet për ushqimet në restorante dhe video intervistat me personazhe publike e deri tek prodhimi i një lloji të emisioneve informative në video format. Profesioni i YouTuber-it, si krijim i përmbajtjeve mediatike audiovizuele me kërkesë të personave fizik, po merr përmasa të mëdha edhe në Maqedoni, e bashkë me këtë parashtrohet edhe çështja për shkallën e rregullimit të tij.

Në Maqedoni për momentin janë aktuale ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit për shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, të cilat duhet të miratohen më së voni deri më 31 maj dhe me të cilat legjislacioni maqedonas do të duhet të harmonizohet me Direktivën për shërbime mediatike audiovizuele të BE-së.

Çështja për shkallën e rregullimit të YouTuber-ëve u ngrit pas rastit të emisionit të Stefan Llazarovit të publikuar në YouTube ku të ftuar kishte Dragan Pavlloviq-Llatasin, të cilët u gjendën para gjykatës nën akuzat për përhapje të materialeve raciste dhe ksenofobike nëpërmjet të një sistemi kompjuterik, për çka Prokuroria Themelore Publike ngriti rast për shkak se Dragan Pavlloviq-Llatas, i ftuar në emisionin e Llazarov në YouTube, duke qeshur rrëfeu një rast të dhunës seksuale ndaj një gruaje nga koha kur ai ka qenë adoleshent, ndërsa drejtuesi Llazarov reagoi me të qeshura dhe krahas kësaj i parashtroi edhe pyetje për ta bërë më të qartë përmbajtjen e asaj ndodhie.

Edhe pse Prokuroria Themelore Publike reagoi duke ngritur një aktakuzë për këtë rast, publiku fitoi përshtypjen se Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) i ka “duar të lidhura” për video emisionin e Llazarovit të publikuar në YouTube, gjë që nuk do të ndodhte nëse podkasti i njëjtë do të transmetohej si emision në radio apo në stacionet radiotelevizive të vendit.

ASHMAA: Subjekt i rregullimit mund të jenë influenserët

Rregullimi i të ashtuquajturve YouTuber-a ose influenserë, pra personave fizikë që kanë kanalet e tyre në një nga rrjetet sociale në të cilat publikojnë video që i krijojnë vetë, në praktikën evropiane të rregullimit të shërbimeve mediatike audiovizuele njihen me termin “shërbime mediatike audiovizuele me kërkesë”, thonë për Meta.mk nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA).

Nga ASHMAA theksojnë se Ligji aktual për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele (LSHMAA) i përfshin edhe shërbimet me kërkesë, mirëpo në nenin në të cilin nga afër përcaktohet regjistrimi i shërbimeve të tilla tek ato kërkohen të dhëna/dokumente që mund t’i sigurojnë vetëm personat juridikë.

“Shpresojmë që me ndryshimet e Ligjit që duhet të miratohen në fazën e parë, do të bëhen përshtatje që do të mundësojnë rregullimin e personave fizikë që ofrojnë shërbime mediatike audiovizuele me kërkesë”, thuhet në përgjigjen nga ASHMAA.

Megjithatë, nëse ndryshimet e tilla ligjore miratohen, kjo nuk do të thotë se të gjithë personat që publikojnë video në ndonjë nga rrjetet sociale do t’i nënshtrohen automatikisht rregullimit nga ASHMAA.

“Siç tregon praktika e organeve të tjera rregullatore në Evropë, është e nevojshme të përcaktohen kriteret se kur duhet të rregullohet një influenser/e i/e caktuar. Për shembull, në Holandë kriteret bazohen në numrin e abonentëve dhe ndjekësve, është caktuar një numër minimal i videove që personi ka ngarkuar në kanalin e tij gjatë një viti dhe realizimi i fitimit ekonomik nga ky aktivitet. Cilat do të jenë kriteret në vendin tonë dhe si do të përcaktohen pragjet për këto aktivitete (sa abonentë, sa video etj.) do vendoset atëherë kur do të miratohen ndryshimet e nevojshme ligjore”, sqarojnë nga organi rregullator.

Nga ASHMAA thonë se vetëm pas kësaj influenserët dhe influenseret që i plotësojnë këto kritere do të duhet ta respektojnë plotësisht ligjin dhe për mosbindje ato do u nënshtrohen masave të parapara ligjore.

Rregullimi i YouTuber-ëve – një “temë e nxehtë” edhe në Evropë

Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave për Meta.mk shpjegon se çështja e rregullimit të shërbimeve mediatike audiovizuele me kërkesë të personave fizik është diçka e re edhe në nivel të BE-së.

Për momentin në Maqedoni ASHMAA nuk ka autoritet të drejtpërdrejtë mbi aktivitetet e tyre, ndërsa duhet të diskutohet sa i përket asaj se sa dhe çfarë ingerencash.

“Disa nga problemet janë konceptuale dhe kanë të bëjnë me kuptimin dhe qasjet e ndryshme ndaj lirisë së shprehjes, lirisë së informimit etj. Ka edhe probleme të natyrës praktike, gjegjësisht organizimit të mbikëqyrjes, që që të jetë efektive do të kërkojë një investim të madh në burime njerëzore (dhe pajisje adekuate)”, shpjegon Dejan Georgievski.

Për çështjet që janë të rregulluara në legjislacionin penal, sigurisht që ASHMAA nuk duhet të ketë kurrfarë ingerencash, sepse ato do duhet t’i ketë vetëm gjyqësori, shton ai.

Iluzioni i krijuar nga një pjesë e qytetarëve në Maqedoni se në internet mund të bëhet çdo gjë, pa mbajtur përgjegjësi, është jashtë realitetit ligjor në vend, ndërsa kjo vlen edhe për videot e publikuara në YouTube dhe platforma të tjera online ku shpërndahen përmbajtje të tilla.

Georgievski thotë se legjislacioni penal dhe civil që ka të bëjë me parandalimin e formave të ndryshme të të shprehurit e dëmshëm, ku përfshihet edhe gjuha e urrejtjes, vlen edhe për YouTuber-ët.

“Kuptohet që në disa raste zbatimi i ligjit është i vështirë për shkak të përhapjes së përdorimit anonim të platformave të tilla ose ‘fshehjes’ pas pseudonimeve”. Unë gjithashtu mendoj edhe se disa nga dispozitat përkatëse, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, duhet të rishikohen dhe të bëhen më të sakta dhe më koncize, si dhe të vendoset një ekuilibër më i mirë me nevojën për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe fjalës”, thotë Dejan Georgievski.

Ndërkohë, me ndryshimet e ardhshme në LSHMAA prezantohen detyrime kryesisht për ofruesit e platformave për shpërndarjen e videove, siç është YouTube dhe platforma të ngjashme, ose Facebook-u dhe rrjetet dhe mediat e tjera sociale, si dhe për shërbimet për video me kërkesë (Netflix dhe të ngjashme ) që funksionojnë në internet dhe ofrojnë shërbime të transmetimit të videove. Detyrimet e tyre kanë të bëjnë me regjistrimin, pagesën e një tarife vjetore ndaj ASHMAA për ushtrimin e mbikëqyrjes, si dhe detyrimet për vendosjen e rregullave dhe kujdesin për parandalimin dhe heqjen e përmbajtjeve të dëmshme në reklama, pornografinë e fëmijëve dhe dhunën e tepruar, si dhe në aspektin e të shpehurit të dëmshëm ose gjuhës së urrejtjes.

“Në praktikë kjo do të thotë se ingerencat e Agjencisë zgjerohen për t’i përfshirë ofruesit e rinj të shërbimeve si “Gley” dhe eventualisht edhe rrjetet sociale kombëtare ose filialet kombëtare të rrjeteve sociale ekzistuese, për shembull, “Facebook Macedonia” ose “Tik-Tok Macedonia”, gjë që nuk ka shumë gjasa që të ndodhë, qoftë në platformat kombëtare të shkëmbimit të videove, qoftë në filialet e lokalizuara të platformave globale, të ngjashme me ato të lartëpërmendurat, “YouTube Macedonia”, “Dailymotion Macedonia” e kështu me radhë)”, sqaron Georgievski.

Georgievski shton se krijimi i platformave kombëtare ose rrjeteve sociale që do të rregulloheshin me ndryshime të tilla ligjore nuk ka shumë gjasa që të ndodhë, kështu që për YouTuber-ët individualë mbetet qasja aktuale e mbështetjes në rregullat dhe politikat e tyre të brendshme dhe mundësia e raportimit të përmbajtjeve të kontestueshme tek ata.

SHGM: Rregullorja duhet të jetë e harmonizuar me BE-në dhe të mos cenojë lirinë e shprehjes

Maqedonia nuk duhet të jetë përjashtim nga vendet e tjera, ajo duhet të ndjekë trendet e rregullimit dhe vetërregullimit që janë aktuale në vendet anëtare të BE-së, normalisht duke e pasur parasysh kontekstin tonë mediatik lokal. Por, SHGM paralajmëron se rregullimi i tepruar mund të krijojë autocensurë dhe të pengojë ose cenojë të drejtën e lirisë së fjalës.

“Shërbimet mediatike audiovizuele me kërkesë (on – demand) tashmë janë të përfshira në Ligjin aktual për shërbimet mediatike audio dhe audiovizuele, në nenin 56. Mirëpo, kjo dispozitë është formuluar në atë mënyrë që të nënkuptojë se ofruesit e këtyre shërbimeve mund të jenë vetëm persona juridikë. Debati aktual i udhëhequr nga MSHIA është se rregullimit mund t’i nënshtrohen edhe disa persona fizikë që ofrojnë shërbime të tilla (me qëllim për të realizuar interes komercial), sidomos YouTuber-ët që kanë një numër të madh ndjekësish”, thonë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë – (SHGM).

Por, ASHMAA me një akt të posaçëm do të duhet të përcaktojë se sipas cilit kriter do të jenë nën mbikëqyrjen e tyre ofruesit e shërbimeve mediatike audiovizuele me kërkesë.

“Në mënyrë të ngjashme kjo çështje rregullohet nga rregullatorët e vendeve të tjera evropiane, sepse jo çdo person fizik që publikon video përmbajtje e bën këtë për të realizuar një interes komercial dhe në këtë mënyrë të ketë një ndikim të madh në publik. Përndryshe do të ishte kufizim i lirisë së shprehjes në internet nëse do të përfshiheshin me rregullore të gjithë personat fizik që publikojnë ndonjë lloj të videove”, sqarojnë nga SHGM.

Për Meta.mk nga SHGM shtojnë se sipas Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, Agjencia e ka rolin e saj në hapësirën mediatike, e që në kontekstin më të përgjithshëm është të rregullojë mediat, gjegjësisht transmetuesit si dhe shërbimin publik që transmeton programe, e jo të rregullojë personat fizikë.

Nga SHGM rikujtojnë se YouTube dhe mediat e tjera sociale janë të ndaluara vetëm në vende jodemokratike në botë, si Sudani, Koreja e Veriut apo Siria.

Për dallim nga ndalimi i rrjeteve sociale, nga SHGM rekomandojnë që vetë qytetarët të reagojnë dhe t’i raportojnë përmbajtjet që i shqetësojnë në vetë rrjetet sociale dhe platformat. Shumica e këtyre platformave të disponueshme në internet ofrojnë mundësinë që vetë ndjekësit, pra qytetarët, të reagojnë dhe t’i raportojnë përmbajtjet që mund t’i shqetësojnë. Për të gjitha rastet e tjera më të rënda, ka ligje që e rregullojnë gjuhën e urrejtjes apo nxitjen e dhunës dhe për këto sanksione penale përgjegjëse janë policia dhe prokuroria, thonë nga SHGM.

Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA)CTRL Z – CTRLZRrjete socialeShoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)Smart BalkansYoutube
Comments (0)
Add Comment