Shkruan: Liridona Beqiri
Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut hedh poshtë gjitha “vitrinat” stilizuese të politikbërjes mbi kornizën e saj kombëtare të politikave për integrimin e barazisë gjinore dhe përafrimin me acquis-in e BE-së. Cila shuplakë me radhë është kjo nga BE?
Vlerësimi i këtij statusi përmes lenteve të treguesve kyç të qeverisjes së mirë dhe parimeve të demokracisë liberale zbulon një realitet shqetësues. Si shoqëri dhe si shtet, ne kemi dështuar vazhdimisht në ruajtjen e barazisë gjinore, duke reflektuar një tendencë më të gjerë globale të rritjes së erozionit të mosbesimit në angazhimin tonë ndaj kësaj kauze jetike. Proceset e përgjithshme shoqërore, me theks, ato politike, kanë pësuar një lloj depresioni duke shkaktuar një ngecje nëse jo dhe kthim prapa, sa i përket avancimit të pozitës së gruas në vend.
Qeverisja e mirë matet me transparencë, llogaridhënie, pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje. Megjithatë, kur bëhet fjalë për barazinë gjinore, këta tregues nxjerrin në pah mangësi të konsiderueshme. Gratë mbeten të nënpërfaqësuara në rolet vendimmarrëse, si në qeveri ashtu edhe në sektorin privat. Kjo mungesë përfaqësimi çon në politika që nuk adresojnë plotësisht nevojat dhe shqetësimet e gjysmës së popullsisë dhe politika në këtë aspekt ka humbur kredibilitetin. Jemi në rrethana te kontradiktave politike ku paraqiten politikanë me moral të dyfishtë dhe ky qëndrim jo vetëm që minon integritetin e diskursit politik, por gjithashtu përjetëson stereotipe të dëmshme kundrejt grave dhe pengon përparimin drejt barazisë.
Gratë shpesh janë kapur në një rrjetë pritjesh dhe kufizimesh të formuara nga normat shoqërore që i japin përparësi maskulinitetit politik tradicional. Një shovinizem i tillë politik me qasje seksiste që inxhekton ekuivalentin e dhunës ndaj grave në shoqëri në cdo formë, padyshim dërgon një mesazh se mizogjinia është e pranueshme.
Intoleranca e poltikanëve burra ndaj intelektit të grave, me vite ka ushqyer dhe avansuar një kulturë konsumiste, ku gratë kanë qenë pre e evidentimit vetëm të hireve fizike të tyre dhe të folurit pa shije, gjë që ka rritur egon dhe ndjenjën e përfitimeve.
Nga këtu, padyshim që mungon pacifizmi moral në shoqëritë tona që vajzat dhe gratë ëndërrimtare dhe të afta i gjykon si të përdala, dhe i gjithë ky gjykim nga paaftësia për tu përballur me intelektin e tyre dhe duke e penguar rrugën drejt suksesit përballë superhero grash mes një deti burrash! E gjithmonë është kështu, meshkujt zakonisht i quajnë të meta cilësitë e grave që ata vetë nuk i kanë!
Aventurieret politik që lëshojnë rrënjë, vazhdimisht ekzistojnë, ndonjëherë edhe duke qenë të dobishem ose te paktën duke shërbyer si shembull si nuk duhet te jenë politikanët, por të njejtët duhët të ç’rrënjosen sepse demtojnë bërthamën e demokracisë dhe i fryejnë pasigurisë së grave për të kontribuar dhe për t’u përfshirë.
Ky fenomen që dominon në elitat tona politike, kulturore dhe intelektuale, bëjnë që proletarë e arrivistë të akomoduar, të përcaktojnë modelin e të jetuarit duke ushtruar një staturë komplet antifemerore dhe në vazhdimsi dëshmojnë vlerat jo-evropiane.
Më tej, Raporti thekson se gratë në RMV janë dukshëm më pak aktive se burrat në tregun e punës dhe se tregu i punës në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me probleme strukrurore duke përfshirë hendek të madh gjinor dhe që vendi duhet në veçanti të vazhdojë të zbatojë strategji për aktivizimin e tregut të punës për gratë. Forcimi ekonomik i grave është parakusht kryesor për avancimin e barazisë gjinore. Kur e shohim ekonominë e grave si një trajektore jetësore, ne pranojmë se gratë nuk janë vetëm ofrues apo kujdestare shërbimesh; ata janë individë me aspirata, talente dhe potencial. Kjo pikëpamje holistike përfshin arsimin, zhvillimin e karrierës dhe rritjen personale, duke pranuar se fuqizimi ekonomik është një udhëtim i vazhdueshëm që zgjat gjithë jetën.
Nga këtu, duke kërkuar që propozimet e buxhetit të përfshijnë vlerësime të ndikimit gjinor, bëhet më e lehtë që të bëhen përgjegjës politikëbërësit për angazhimet e tyre ndaj barazisë gjinore. Kur buxhetet pasqyrojnë nevojat e të gjitha gjinive, shohim rezultate më të mira sociale dhe ekonomike.
Përafrimi me këto standarde nuk është thjesht një ushtrim burokratik, është një hap thelbësor drejt garantimit që politikat tona pasqyrojnë praktikat më të mira dhe normat ndërkombëtare, përqafimi i barazisë gjinore mund të bashkëjetojë me integritetin kulturor, duke nxitur një shoqëri që respekton diversitetin duke promovuar drejtësinë.
Vendit sot i duhen institucione të forta dhe profesionalisht të përafqësuara, një parlament moralisht i denjë dhe intelektualisht i përgatitur, gjyqësor eficient, i pavarur dhe trim, ekzekutiv që të merret me punët e qeverisjes, jo me ruajtjen e pushtetit të liderit të radhës! Por fatkeqësisht në profilet e aktorëve politik nënvizojmë vetëm prirjen për marrjen e kompetencave dhe prerogativave institucionale, dhe asgjë nga politikat e shëndosha që integrojnë vendin. Ky boshllëk çon në një cikël mosveprimi ku retorika nuk përputhet me realitetin. Pa korniza të forta që zbatojnë përgjegjshmërinë dhe nxisin zbatimin, ne rrezikojmë të ngecim.
Ne kemi nevojë për lider që përqafojnë ndjeshmërinë, bashkëpunimin dhe respektin, lider që integrimin masiv të grave në ndërveprim e kanë në mendësi dhe jo detyrim ,lider që shtrojnë rrugën e suksesit për gratë duke i lënë të lira ata në ideologji dhe jo duke i nënrenditur, lider që do të edukojnë masën mbi fuqizimin e gruas duke dënuar dhunën ndaj grave dhe duke mos e romantizuar atë, lider që dhunën do e zhvesh nga sentimentalizma justifikues dhe që këto akte kriminele nuk do i transformon në krime pasioni, lider që beson në forcën e dijes, lider që nuk joshet nga nënshtrimi i tjetrit, lider që kërkon llogari kur i bëhet dem popullit te vet, dhe së fundmi lider që e sheh këtë vend si pjesë e familjes evropiane! Por nga i gjith ky realitet, unë prirem të besoj se liderët rrallë herë kanë qenë mbi mesataren në përzgjedhjen e bashkëudhëtarëve të tyre në fushëveprime të avancimit gjinor dhe jo vetëm, edhe moralisht edhe intelektualisht.
Barazia gjinore mund të bëhet një mjet politik. Disa politikanë mund të mbrojnë çështjet gjinore kur kjo i shërben agjendës së tyre, por shpejt tërhiqen kur përballen me kundërshtime ose kur është politikisht e papërshtatshme. Kjo mospërputhje minon progresin e vërtetë dhe gërryen besimin midis zgjedhësve që kërkojnë ndryshim të vërtetë.
Komisioni Evropian në raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut ka drejtuar kritika të shumta për mungesë të rezultateve në disa fusha, në veçanti në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mospërmbushjen e detyrimit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe polarizimin e skajshëm të skenës politike, por në Ditarin tim do lë më shumë faqe për të shkruar për të njëjtat sepse ky zinxhir shtrihet gjerë e gjatë dhe do hapësirën e duhur!