Xhorxhia ngren aktakuzë ndaj ish presidentit Trump për komplot për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020

Një juri e madhe e shtetit amerikan të Xhorxhias ka akuzuar ish-presidentin Donald Trump dhe 18 të tjerë, në lidhje me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, transmeton Zëri i Amerikës.

Trembëdhjetë akuzat kundër ish-presidentit Trump, që u hapën të hënën vonë, përfshijnë shantazhin, shkeljen e betimit të tij, komplotin për të kryer falsifikim dhe për të paraqitur dokumente false, dhe vepra të tjera.

Në mesin e të akuzuarve së bashku me ish-presidentin Trump janë edhe ish shefi i kabinetit të tij Mark Meadows, avokati i Trump, Rudy Giuliani dhe ish zyrtari i Departamentit të Drejtësisë, Jeffrey Clark.

Prokurorja e Qarkut Fulton Fani Willis, u tha gazetarëve se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një ndërmarrjeje kriminale në qark dhe gjetiu me synimin për të “përmbushur qëllimin e paligjshëm për t’i lejuar Donald J. Trump të marr mandatin presidencial”, që ka filluar në janar të vitit 2021.

Akuza ngre pretendime të shumta si pjesë e kësaj përpjekjeje të supozuar, duke përfshirë përpjekjen për të bindur ligjvënësit e Xhorxhias që të veprojnë kundër rezultatit të zgjedhjeve, të emërojnë një listë votuesish të kolegjit zgjedhor të favorshëm për Trump dhe vjedhjen e të dhënave të votimeve.

“Të gjitha zgjedhjet në vendin tonë administrohen nga shtetet, të cilave u jepet përgjegjësia për të siguruar një proces të drejtë dhe një numërim të saktë të votave. Roli i shteteve në këtë proces është thelbësor për funksionimin e demokracisë sonë”, tha prokurorja Willis.

Duke shtuar, se koha e gjykimit në këtë çështje është në diskrecionin e gjyqtarit të caktuar, por se zyra e saj do të propozonte që gjyqi të zhvillohet në gjashtë muajt e ardhshëm. Ajo tha gjithashtu se ndërsa juria e madhe lëshoi urdhra arresti për të akuzuarit, zyra e saj do t’i lejojë ata të paraqiten vullnetarisht deri në mesditën e 25 gushtit.

Fushata e ish-presidentit nuk priti që akuzat të hapeshin përpara se të lëshonte një deklaratë duke e akuzuar prokuroren Willis si një “partizane të tërbuar” e cila ka vendosur kohën e hetimit të veprimeve të Trump “në përpjekje për të ndërhyrë maksimalisht në garën presidenciale të 2024-ës dhe të dëmtojë fushatën dominuese të zotit Trump”.

Pas një hetimi 2.5 vjeçar, prokurorja Willis filloi të thërriste dëshmitarët para një jurie të madhe në Atlanta të hënën për të dëgjuar provat se si ish-presidenti Trump dyshohet se u përpoq në mënyrë të paligjshme të përmbyste humbjen e tij të ngushtë përballë demokratit Joe Biden në Xhorxhia.

Prokurorja Willis u tha gazetarëve se vendimet e saj mbështeten në fakte dhe se ligji është “plotësisht jopartiak”.

Akuza pasoi një hetim 2.5 vjeçar që buroi nga një telefonatë e regjistruar e Trump në fillim të vitit 2021 me zyrtarët e zgjedhjeve në Xhorxhia, në të cilën ai dëgjohet duke kërkuar që t’i “gjenin” atij 11,780 vota, një më shumë se diferenca e fitores së presidentit Joe Biden në këtë shtet.

Donald Tramp (Trump)Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Xho Bajden (Joe Biden)Zgjedhje presidenciale