Xheneta Zeneli: Rinia sot largohet nga tradita, ndikimi i trendeve dhe kulturave të huaja ka zbehur interesin për vallen tradicionale

Vallëzimi nuk është vetëm lëvizje, por rrëfim i gjallë i identitetit, emocioneve dhe kujtesës kulturore. Për Xheneta Zenelin, ai nuk ka qenë kurrë thjesht hobi, por rrugë e zgjedhur herët, e ndërtuar me sakrificë, disiplinë dhe dashuri të palëkundur për artin. E rritur me frymëzimin e babait dhe e formuar që në moshën 6-vjeçare në Ansamblin “Emin Duraku”, ajo sot shquhet si një nga emrat më të vlerësuar në skenat dhe festivalet ku merr pjesë, shpesh e cilësuar si valltarja më e mirë. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo foli për misionin e saj për ruajtjen e valleve tradicionale shqiptare, sfidat e të qenit artiste në një shoqëri që jo gjithmonë e vlerëson artin, dhe përgjegjësinë që vjen bashkë me suksesin.

Portalb.mk: A e mban mend momentin kur kuptove se vallëzimi nuk ishte thjesht pasion, por fati yt?

Xheneta Zeneli: Po, që shumë herët. Vallëzimin e kam trashëguar nga babai im, i cili ka qenë frymëzimi im i parë. Që në moshën 6-vjeçare, kur fillova në ansamblin “Emin Duraku”, e kuptova se vallëzimi nuk ishte thjesht pasion, por rruga ime. Sakrifikova kohë dhe lodhje, por asnjëherë nuk u ndala, sepse vallëzimi ishte pjesë e identitetit tim.

Portalb.mk: Në një shoqëri ku arti shpesh nënvlerësohet, pse zgjodhe pikërisht vallëzimin si mënyrë për të folur me botën?

Xheneta Zeneli: Sepse vallëzimi flet edhe kur fjalët heshtin. Përmes trupit, lëvizjes dhe emocionit mund të transmetosh histori, dhimbje, krenari dhe identitet. Vallëzimi për mua është gjuhë universale dhe mënyra më e sinqertë për të komunikuar me botën.

Fotografi nga arkivi personal i koreografes dhe valltares Xheneta Zeneli. Foto: Xheneta Zeneli

Portalb.mk: A mendon se vallëzimi kuptohet mjaftueshëm si art serioz te ne?

Xheneta Zeneli: Fatkeqësisht jo gjithmonë. Ende ka perceptime se vallëzimi është vetëm argëtim, jo profesion. Por situata po ndryshon gradualisht. Me punë, disiplinë dhe rezultate konkrete, vallëzimi po fiton respektin që e meriton si art serioz dhe i thellë.

Portalb.mk: Sa e rëndësishme është për ty ruajtja e valleve tradicionale shqiptare, cila valle shqiptare të emocionon më shumë dhe pse?

Xheneta Zeneli: Ruajtja e valleve tradicionale është mision për mua. Ato janë identiteti ynë kulturor. Çdo valle bart histori, zakone dhe shpirt. Më emocionojnë veçanërisht vallet e trevave shqiptare që kanë forcë dhe dinjitet në lëvizje, sepse më kujtojnë rrënjët tona dhe sakrificat e brezave para nesh.

Portalb.mk: A mendon se të rinjtë sot po largohen nga tradita apo po e zbulojnë në një formë tjetër?

Xheneta Zeneli: Fatkeqësisht, mendoj se shumica e të rinjve sot po largohen nga tradita. Ndikimi i trendeve të reja, rrjeteve sociale dhe kulturave të huaja ka bërë që interesi për vallen tradicionale të zbehet. Tradita kërkon durim, disiplinë dhe përkushtim, gjëra që sot shpesh anashkalohen. Prandaj është përgjegjësi e jona, si artistë dhe institucione kulturore, ta mbajmë gjallë vallen dhe t’ua rikthejmë të rinjve dashurinë për rrënjët e tyre.

Fotografi nga arkivi personal i koreografes dhe valltares Xheneta Zeneli. Foto: Xheneta Zeneli

Portalb.mk: Në pothuajse çdo festival zgjidhesh valltarja më e mirë a është kjo dëshmi e talentit tënd, apo edhe përgjegjësi e rëndë?

Xheneta Zeneli: Është një kombinim i të dyjave. Çmimet janë vlerësim për punën dhe përkushtimin tim, por njëkohësisht janë edhe përgjegjësi e madhe. Të detyrojnë të mos ndalesh, të mos kënaqesh me suksesin dhe të japësh gjithmonë maksimumin.

Portalb.mk: A është më e vështirë të arrish majën apo të qëndrosh mbi të?

Xheneta Zeneli: Pa dyshim, më e vështirë është të qëndrosh mbi të. Arritja kërkon punë, por qëndrimi kërkon vazhdimësi, disiplinë dhe forcë mendore për të përballuar pritshmëritë.

Portalb.mk: Si koreografe, a është më e vështirë të krijosh një vallëzim të mirë apo të udhëheqësh valltarë që të besojnë plotësisht vizionin tënd?

Xheneta Zeneli: Të dyja janë sfida, por udhëheqja e valltarëve kërkon më shumë përgjegjësi. Një koreografi e mirë lind nga ideja, por merr jetë vetëm kur valltarët besojnë dhe e jetojnë atë vizion me shpirt.

Fotografi nga arkivi personal i koreografes dhe valltares Xheneta Zeneli. Foto: Xheneta Zeneli

Portalb.mk: Kur koreografia jote fiton, a ndihesh më krenare si krijuese apo si valltare që e jeton vallen nga brenda?

Xheneta Zeneli: Ndjehem krenare në të dy dimensionet. Si krijuese sepse ideja ime merr vlerësim, dhe si valltare sepse vallja nuk është vetëm mendim, por emocion i jetuar nga brenda.

Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi yt për gjithë lexuesit tanë?

Xheneta Zeneli: Të besojnë në pasionin e tyre, edhe kur rruga duket e vështirë. Arti kërkon sakrificë, por shpërblen me përmbushje shpirtërore. Ruani traditën dhe respektoni kulturën.

Barazi gjinoreGra të suksesshmeIntervistëKultura shqiptareKulturë lajme