Xhaferi kërkoi nga Gjykata Administrative të mbrojë rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit

Kryeministri teknik në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, njëkohësisht deputeti i ardhshëm i BDI-së, kërkoi nga Gjykata Administrative që të mbrojë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën me 8 maj, transmeton Portalb.mk.

“Kam pranuar raporte nga pjesëmarrës në procesin zgjedhor për shqetësime në lidhje me tentativa për inzhinjering zgjedhor me marrëveshje ndërpartiake jashtë-institucionale për votim dhe mbivotim në Komisionin Shtetëror Zgjedhor në lidhje me ankesat e dorëzuara simptomatike nga ana e pjesëmarrësve në zgjedhje”, deklaroi Xhaferi.

Ai theksoi që ka tentim për ndryshimin e rezultatit zgjedhor me qëllim ndryshimin e raportit të numrave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

“ Kredibiliteti i zgjedhjeve dhe procesit demokratik, i pranuar dhe përshëndetur nga të gjitha partitë dhe komuniteti ndërkombëtar, tash është në duart e gjykatës administrative dhe unë ftoj të gjitha institucionet të veprojnë në përputhje me Ligjin, pa direktiva partiake ose politike nga cilado palë, dhe të mbrojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor deri në fund, pa hedhur asnjë njollë mbi vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje”, deklaroi Xhaferi.

Ndryshe, koalicioni VLEN ka reaguar në lidhje me vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për ankesat në lidhje me zgjedhjet parlamentare. Ata theksojnë se KSHZ-ja vërtetoi manipulimet e bëra nga Fronti Evropian. Ndërkaq, Fronti Evropian reagoi duke thënë se do ta ankimojnë vendimin në Gjykatën Administrative.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituuohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Fronti EvropianKomisioni Shtetëror i Zgjedhjeve RMV (KSHZ)Talat XhaferiZgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje parlamentare/lokale