Vuçiq kërkoi falje pas votimit pro rezolutës së OKB-së për paqen në Ukrainë, Rusia pranoi kërkim-faljen

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia votoi pro rezolutës evropiane për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por që ai beson se ajo bëri gabim dhe duhej të kishte abstenuar, transmeton Agjencia Anadollu.

“Unë mendoj se Serbia ka bërë një gabim sot. Për këtë u kërkoj falje qytetarëve të Serbisë dhe vet mbaj përgjegjësi për këtë, sepse ndoshta jam i lodhur dhe i ngarkuar dhe nuk mund të arrij gjithçka”, tha Vuçiq si ftuar në një televizion lokal.

Ai shtoi se Serbia duhej të kishte abstenuar në votimin e rezolutës evropiane për Ukrainën, ashtu siç bëri në votimin e rezolutës amerikane.

“Sa i përket rezolutës amerikane, abstenuam, ashtu siç duhej. Sipas mendimit tim, duhej të kishim abstenuar edhe për rezolutën evropiane”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se Serbia nuk duhet t’i bëjë lajka as Rusisë dhe as SHBA-së, por se do të ishte në interesin e saj më të mirë të ushtrojë përmbajtje.

Rusia nga ana tjetër ka pranuar faljen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për votën e Serbisë në Kombet e Bashkuara (OKB).

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov komentoi ngjarjet aktuale, përfshirë votimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutën evropiane për Ukrainën.

Peskov, duke kujtuar se Vuçiq u kërkoi falje qytetarëve të Serbisë për faktin se vendi i tij votoi për rezolutën evropiane për Ukrainën, tha se “Rusia e kupton se ishte një gabim i vërtetë”.

“Sigurisht, ne e dëgjuam këtë dhe e morëm parasysh”, tha ai kur u pyet nëse Kremlini e kishte pranuar faljen e Vuçiqit.

“Gabime teknike ndodhin”, tha Peskov.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi sot një rezolutë të hartuar nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë me rastin e përvjetorit të tretë të luftës në Ukrainë.

Rezoluta bën thirrje për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Rusia dhe SHBA-ja votuan kundër saj.

Ajo riafirmon rezolutat e mëparshme të OKB-së që kërkonin tërheqjen e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të Rusisë nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Aleksandar Vuciq VuçiçOrganizata Kombet e Bashkuara (OKB)RusiaSerbia