Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje nga Konferenca e Sigurisë në Mynih kritikoi zëvendëssekretaren e përgjithshme të NATO-s, Radmilla Shekerinska, duke vlerësuar se një pjesë e deklaratave të saj “nuk kanë shumë kuptim” dhe nuk e pasqyrojnë realitetin. Pas kësaj LSDM-ja opozitare e Maqedonisë, e dënoi qëndrimin e Vuçiqit dhe e akuzoi për qasje shoviniste, transmeton Portalb.mk.
Presidenti serb reagoi ndaj deklaratës së Shekerinskës, në të cilën ajo theksoi se Kroacia dhe Shqipëria janë partnerë të sigurt të NATO-s dhe kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke aluduar në bashkëpunimin e dy vendeve anëtare të Aleancës me Kosovën në fushën e mbrojtjes.
“Por ajo foli edhe për disa gjëra të tjera që nuk kanë shumë kuptim. Duke dashur, supozoj, të kritikojë Republikën Srpska, ajo foli për shqetësimin e saj lidhur me disa deklarata dhe vendime separatiste në rajon që nuk kontribuojnë për paqen. Këtë na e thonë gruaja dhe njerëzit që çuan në shkëputjen, të paktën sipas tyre, të një pjese të territorit të Serbisë – ndërmjet 13 dhe 14 për qind të territorit të Serbisë”, tha Vuçiq.
Pas kësaj deklarate ka reaguar partia opozitare LSDM nga RMV-ja, pjesë e së cilës ka qenë vetë Shekerinska.
LSDM-ja e dënoi sjelljen e presidentit serb Aleksandar Vuçiqit ndaj zëvendëssekretares së përgjithshme të NATO-s, Radmilla Shekerinska, duke e akuzuar për qasje poshtëruese dhe shoviniste, si dhe për përdorim të fyerjeve në vend të argumenteve.
“E njohur për fyerjen e të gjithë atyre që nuk ndajnë qëndrimet e tij ose i pengojnë, këtë herë synimi i tij ishte Radmilla Shekerinska. Vuçiq në mënyrë keqdashëse theksoi se ‘kjo grua dhe njerëzit që çuan në shkëputje’ (duke theksuar gjininë e saj në një mënyrë poshtëruese, si të ishte e rëndësishme për argumentin), e akuzoi Shekerinskën për lidhje me shkëputjen e 13–14 për qind të territorit të Serbisë (duke iu referuar Kosovës)”, thanë nga LSDM.
Ata theksuan se zëvendëssekretarja e NATO-s nuk ka asnjë lidhje me akuzat për separatizëm dhe gjithmonë ka promovuar dialogun dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Sipas LSDM, roli i Radmilla Shekerinskës në NATO është dëshmi e fuqisë dhe kompetencës së grave në politikën ndërkombëtare, ndërsa sulmet e presidentit serb Vuçiq i vlerësuan si përpjekje për të minimizuar këto arritje.
Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Beta tha se Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleatë të sigurt dhe të vlerësuar në kuadër të Aleancës, por edhe kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon përmes bashkëpunimit me Kosovën në fushën e mbrojtjes.
Duke folur për këtë çështje, Shekerinska theksoi se NATO nuk merr pjesë në diskutimet apo konsultimet për deklaratën e nënshkruar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi, por se anëtarësimi në Aleancë nuk i pengon vendet të kenë marrëveshje shtesë mbrojtjeje me palë të treta.
Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin se NATO e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Ajo që shohim në përgjithësi është se situata globale gjeopolitike ndikon edhe në rajon. Jemi dëshmitarë të më shumë stërvitjeve ushtarake, investimeve më të mëdha në mbrojtje dhe siguri, por njëkohësisht i ftojmë aleatët dhe partnerët të përfshihen në dialog politik për të zgjidhur çështjet e hapura në rajon. Prania jonë në Ballkanin Perëndimor ka për qëllim të mbështesë pikërisht një lloj të tillë dialogu politik”, tha Shekerinska.
Ndryshe, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia në mars të vitit të kaluar nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ky bashkëpunim e zemëroi Serbinë, presidenti i së cilës, Aleksandar Vuçiq, e përshkroi marrëveshjen si një aleancë ofensive të drejtuar kundër serbëve dhe Serbisë.