Vrasjet që vrasin ardhmërinë e të rinjve në Çair 

Çdo vit, që nga 2021-shi në Çair të Shkupit ndodh së paku nga një vrasje. Sa herë që banorët tronditen nga tragjedi të tilla, ringjallet frika dhe pasiguria tek ata. Madje, dëmtohen dhe bizneset. Rasti më i ri është vrasja e Amarit 29 vjeçar dhe plagosja e dy të tjerëve. Qytetarët kërkojnë rikthimin e “policit të lagjes” ndërkaq prindërit sugjerojnë kyçjen e të rinjve në më shumë aktivitete si dhe realizim profesional. Komuna e Çairit në mungesë të kompetencave kërkon nga organet e rendit të ndërmerren masa ndërsa policia thotë që po punon, shkruan Portalb.mk. 

Rasti i Amarit tronditi çairasit, në veçanti të rinjtë e ata që njihnin personalisht të ndjerin. Nëpër rrjetet sociale ende sheh dhjetëra “porosi lamtumire” të shkruara me përmbajtje të dhimbshme. Te të tjerët frikë e pasiguri, madje dëshirë për tu larguar nga vendi. 

Vetëm 4 vitet e fundit në këtë komunë janë regjistruar gjashtë vrasje, edhe atë katër nga viktimat ishin riosh 20-30 vjeç, ndërkaq dy prej të rinjve pa dosje kriminale. Ministria e Punëve të Brendshme në pyetjen që drejtuam ne si redaksi, thotë se janë marrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e rasteve.   

“Janë marrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e rasteve. Në evidencën nga ana e Sektorit të Punëve të Brendshme – Shkup në periudhën kohore 2020-2024, janë regjistruar gjashtë ngjarje penale juridike sipas nenit 123 “Vrasje” nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e MPB-së, për Portalb.mk. 

Amar Ismani, ishte viktima e fundit në këtë raport. Në shoqëri njihet si person i afërm dhe i shoqërueshëm. Ai merrej me muzikë, njashtu kishte edhe një blog personal, mirëpo mëngjesin e 27 majit, një muaj pas fejesës së tij, ndërroi jetë në Spitalin e qytetit “Shën Naum Ohridski”, pas të shtënave nga një autor i panjohur.  

Bizneset në Çair mes sfidave 

Ditët në vijim mbretëronte një heshtje. Rrugëve të Çairit komentohej rasti, por nuk kishte prononcime për media. Ky rast reflektoi edhe te bizneset që ndodhen aty pranë, përkatësisht “Rrugës së Plastikave”, “Lagjja e Dyqanxhikut” dhe “Bit Pazarit”. Vërehej një frekuencë më e ulët e blerësve.  

Pavarësisht se sipërmarrësit ngurrojnë të flasin, ato prapa kamerave tona thonë se vrasjet në Çair, në veçanti ato në afërsi të lokacioneve ku posedojnë bizneset e tyre krijon frikë dhe pasiguri te popullata, dhe e njëjta nguron të frekuentojë këto biznese.  

Rikthimi i policit të lagjes 

Në një hulumtim që realizoi organizata “Eurothink” vërejmë se 58% e të anketuarve mendojnë se prania e policisë në lagjet e tyre mungon. Më tej në raport theksohet se 56% e të anketuarve kanë kërkuar rikthimin e “Policit të lagjes”. Polici i lagjes si punonjës në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka për detyrë të operojë në zonat urbane, qendrat industriale dhe të trafikut, si dhe në vendet turistike në bazë të raportit të përgatitur nga komisariati në zonën e të cilit kryhet. Prania e tyre sipas qytetarëve rrit sigurinë dhe parandalon veprat kriminale. 

Gjysma e të anketuarve shqiptarë, përkatësisht 50,3% vlerësojnë se policia kryen detyrat në mënyrë profesionale, andaj patrullat dhe kontrollet rutinë janë të domosdoshme. 

Ariton Rama, foto nga Portalb.mk

Pedagogët si prindër sugjerojnë kyçjen e të rinjve në më shumë aktivitete 

Profesori dhe aktivisti Ariton Rama për Portalb.mk në retrospektivë freskon kujtimet, duke na bërë të ditur se në Çair kishte aktivitete formale dhe jo-formale rinore, por që sot mungojnë. 

“Në të kaluarën ka pasur shumë më shumë aktivitete jo-formale, qendra rinore, organizime të ndryshme formale dhe jo formale rinore, ndërsa sot, fatkeqësisht na mungon. Ndoshta është mungesë jo e duhur dhe jo me ideale të pastra të organizatave jo-qeveritare, të cilat sot ndoshta variojnë vetëm për interesat e tyre personale, të strategjive formale dhe kapitale, por jo edhe për qëllimet e formësimit të tyre. Mungon një lloj strategjie reale, komunale dhe kombëtare mbi bazën e asaj të së cilës themi se ka të bëj me ngritjen profesionale”, tha profesori Rama. 

Pavarësisht kësaj ,ai vlerëson se në Çair mund të gjejmë individ të cilët kanë arritur vetë realizimin, edhe atë që nga fushat e kulturës sportit, e deri te bizneset e vogla dhe të mesme. Rama po ashtu thekson se motivacioni familjar mund të ndikojë në këtë drejtim si dhe angazhimet jo-formale.   

“Kemi shumë talent në kulturë, sport, në nivele menaxheriale, të cilët i shoh dhe i vërej, njerëz që menaxhojnë mjaftë mirë, bizneset e tyre, të vogla njëkohësisht edhe të mesme, njerëz të cilët kanë aftësi për ta perceptuar jetën e tyre në mënyrë personale, sepse edhe kjo si pasojë e peripecive të përditshmërisë i provokon për tu ngritur në nivelet e tyre profesionale. Por nëse kemi motivacionin e brendshëm familjar i cili do ti paraprijë një sistemi arsimor të formuar mbi bazën e një pragmatizmi të tregut të punës i cili sot menaxhohet, normalisht që kjo do të ishte elementi më real për tu ngritur dhe zbuluar profesionet e tyre ideale, duke mos anashkaluar edhe mësimin, komunikimin e angazhimet jo-formale”, shtoi Rama. 

Mevlude Thaçi, foto nga arkivi personal.

Profesoresha Mevlude Thaçi, vlerëson se zbrazëtirat që lënë prindërit te fëmijët, krijojnë hapësirë të njëjtit të drejtohen modeleve që përmbajnë adrenalinë për moshën e hershme.  

“Sa herë që prindërit krijojnë zbrazëtira në modelet që fëmijët duhet të marrin, atëherë ndodh që ata i drejtohen modeleve që përmbajnë adrenalinën e nevojshme për moshën e tyre, përmes veprimeve të gabuara shëndetësore dhe sociale. Shpesh herë ata nuk e kuptojnë këtë rreth vicioz ku hyjnë ndaj dhe është shumë e vështirë që në moshë më të madhe të mund të kenë kthim në modele të shëndetshme”, theksoi për Portalb.mk profesoresha Thaçi. 

Profesoresha më tej thekson se kujdesi ndaj fëmijëve duhet të jetë i nivelit që ata të ndjejnë mbrojtje dhe mbështetje te prindërit. 

“Në këto kohë të vështira, është esenciale që të kujdesemi për fëmijët tanë dhe të sigurojmë që ata të ndihen të mbrojtur dhe të mbështetur. Kjo mund të arrihet vetëm përmes një koordinimi të ngushtë midis prindërve, mësuesve dhe komunitetit më të gjerë. Në bazë të gjithë këtij koordinimi është komunikimi i vazhdueshëm dhe i drejtë, jo me korrigjime, por me udhëzime. Fëmijët kanë nevojë për modele të shëndetshme dhe të suksesshme, këtë e mësojnë fillimisht nga prindërit. Fëmijët duhet të kenë qasje në një ambient të sigurt dhe të dashur, ku ata mund të zhvillojnë interesat e tyre personale dhe të ndjekin pasionet e tyre. Përmes aktiviteteve sportive, kurseve të ndryshme dhe pjesëmarrjes në shërbime vullnetare në sektorin civil, fëmijët mësojnë vlera të rëndësishme si bashkëpunimi”, shtoi Mevlude Thaçi. 

Ali Pajaziti, foto nga Portalb.mk

Profesori universitar, Ali Pajaziti thotë se vrasjet dhe devijimet shkaktojnë shqetësim për prindërit, mësimdhënësit dhe politikbërësit, ngase ato pengojnë të dalin në pah profilet e shëndosha. 

“Sot ballafaqohemi nga problemet që janë në mikro deri te ato probleme në makro-plan që shqetësojnë prindërit, mësimdhënësit nëpër shkolla dhe politikbërësit, sepse nuk arrijmë që të lançojmë profile të shëndosha, mirë të edukuara dhe arsimuara të cilët do të vetë-realizohen në shoqërinë tonë. Por, dhe do të japin mesazhe pozitive se megjithatë, ne përkundër furtunave me të cilat ia kemi dalë që të kemi një profil të rioshit të shëndoshë që ka një mision dhe vizion të tij, që e ka kuptuar qëllimin e jetës dhe që e sheh të ardhmen nga një dritare e dritës, e vetë-iluminimit dhe të tjerëve”, tha për Portalb.mk Ali Pajaziti. 

Profesori Pajaziti sugjeron që mediat të promovojnë storie suksesi, për rioshët me vlera, që arritën të kyçen në sektorin publik a privat.  

“Mediat duhet t’i ndjekin storiet e suksesit të të rinjve tanë, të cilët që nga bankat universitare kanë arritur të kalojnë nëpër sektorë të ndryshme të punëdhënësve, qofshin ata publik apo privat, dhe të cilët janë faqja e bardhë e familjes dhe mjedisit ku ata janë rritur. Këta individ të cilët kanë edhe diploma në letër dhe certifikime, kanë edhe diçka më të vlefshme se kjo, humanen, dimensionin njerëzor, etik, moral. Këta profile duhet që të afirmohen nga të gjithë dhe të njihen nga shoqëria që kemi ne të drejtën të bëjmë me gisht, ja ky është profili e shëmbëlltyra se si duhet të jetë një i ri i kohës sonë. Jo vetëm që të kemi nëpër media individ të cilët janë pjesë e asaj që quhet pop-kulturë, e cila shenjtërohet e komercializohet, bashkë me kulturën e individëve dhe personave të cilët ekzagjerohen, propagandohen e reklamohen nëpër media ndonëse nuk kanë arritur asgjë të vlefshme a mirëfilltë, përpos se me skandalet e gafet që ata i bëjnë, përmes problemeve të cilat ata i shkaktojnë të cilat për fat të keq janë forcë tërheqëse për kulturën e sodit të ashtuquajtur të klikimeve”, shtoi profesori Pajaziti. 

Fari Hiseni, foto nga Portalb.mk

Komuna vlerëson se kompetencat i përkasin Ministrisë së Punëve të Brendshme 

Zëdhënësi i Komunës së Çairit, Fari Hiseni, tha se Komuna dënon fenomenet negative, por në mungesë të kompetencave të institucionit që përfaqëson, ai zgjidhjen e sheh te Ministria e Punëve të Brendshme. 

“Si komunë e Çairit, në këtë rast në suaza të qytetit të Shkupit, i dënojmë ashpër të gjithë këto fenomene negative që ndodhin jo vetëm te ne, por gjithandej, por në rastin konkret tani flasim për komunën tonë. Dënojmë ashpër për arsye se nuk shpie në asnjë përfundim pozitiv ky lloj veprimi. Këtu do të doja të drejtojmë gishtin edhe drejtë institucioneve kompetente, në këtë rast Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët janë përgjegjës për parandalimin e fenomeneve negative dhe veprave penale, mirëpo nga neglizhenca e tyre ndodhë që në fund rezultati të vijë deri te fatalitet, edhe me jetë, me rrahje e me gjithçka që drejtpërdrejtë në aspektin fizik e cenon trupin e njeriut. Ne si komunë nuk kemi kompetencë konkrete se si mund ti parandalojmë këto fenomene, mirëpo në afatgjatë mund të krijojmë dhe tentojmë të punojmë në këtë drejtim”, tha për Portalb.mk zëdhënësi Hiseni. 

Komuna e Çairit ai thotë se mbështet klubet sportive dhe organizatat joqeveritare që operojnë në të. Hiseni vlerëson se kyçja e rinisë në këto aktivitete, do të ngrit vetëdijen qytetare dhe si pasojë e kësaj do të minimizohen edhe veprat penale e dukuritë negative. 

“Si komunë në vazhdimësi jemi në mbështetje të klubeve sportive, të cilat në numër nuk janë pak në territorin e komunës sonë, si ato të futbollit, basketbollit, hendbollit, volejbollit e kështu me radhë, në vazhdimësi mbështesim por edhe jemi përkrahje e fuqishme e klubeve sportive. Çdo vit po ashtu jemi në mbështetje të organizatave jo-qeveritare të cilat janë dhe veprojnë në komunën e Çairit, kështu qe mendoj, që me kyçjen e rinisë në klubet e sportit ose duke qenë pjesë e ndonjë organizate jo-qeveritare, me automatizëm kemi edhe një ngritje të vetëdijes qytetare, dhe me këtë normalisht edhe mund të ndikohet në minimizimin e veprave penale por edhe dukurive tjera negative”, shtoi ai.  

Dhuna është e dënueshme me çdo formë të saj. Përpos që ka dënime që parashihen në Kodin Penal si privim nga liria ajo cenon dhe të ardhurat materiale, ndërkaq kur ajo nuk merr rrugën institucionale, përfundon tragjikisht.    

Ali PajazitiArtikuj të gjatëÇairiKomuna e ÇairitMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së VeriutVrasje - Ekzekutim