SPB Tetovë informoi se gjatë këmbim zjarrit të sotëm që ka ndodhur në Tetovë një person është vrarë dhe katër të tjerë kanë marrë plagë nga armë zjarri, njofton Portalb.mk.
“Më datë 10.08, në SPB Tetovë, në ora 12:30, është raportuar se në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” me rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, ka ndodhur një shkëmbim zjarri mes personave nga dy automjete, me ç’rast ka ndodhur edhe një aksident trafiku, pas së cilës të dyja automjetet e kanë lëshuar vendin e ngjarjes, njëri prej tyre është drejtuar drejt rrugës “113”, ndërsa tjetri në drejtim të panjohur. Nga informatat e marra nga qytetarët dhe dëshmitarët okularë në vendngjarje, është marrë informacion se automjeti që është drejtuar drejt rrugës “113” është një automjet pasagjerësh “Ford Fiesta” me targa të Tetovës. Gjatë kontrollit është konstatuar se bëhet fjalë për targa të çregjistruara nga i njëjti automjet, në pronësi të personit E.M.(19) nga fshati Gajre e Tetovës. Gjatë marrjes së masave, në kryqëzimin e rrugës “Bllagoja Toska” me rrugën “107” është gjetur një automjet pasagjerësh “Volkswagen Golf” me targa të Tetovës, në pronësi të F.R.(46) nga Tetova, ndërsa brenda automjetit është gjetur një person i vdekur me plagë nga arma e zjarrit”, thuhet në kumtesë.
Nga SPB Tetovë potencojnë se për ngjarjen është formuar një ekip i cili drejtohet nga prokurori publik kujdestar në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë dhe një ekip inspektues nga SPB-Tetovë.
Shtojnë se në Spitalin Klinik-Tetovë janë transferuar tre persona me lëndime, nga të cilët një vajzë e mitur nga Tetova me plagë nga arma e zjarrit, e cila është mbajtur nën vëzhgim. Ndërsa dy persona të tjerë, O.O.(34) dhe R.T. me plagë nga arma e zjarrit, si raste urgjente janë transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup. Në shkëmbim zjarrin nga automjetet është lënduar edhe një këmbësor A.S.(60) nga Tetova, i cili ka qenë kalimtar i rastit dhe është transferuar në klinikat e Shkupit. Nga SPB Tetovë theksojnë se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
Nga Spitali Klinik i Tetovës informuan se sot rreth orës 12:20, në Urgjencën e Spitalit janë sjellë katër pacientë me lëndime të ndryshme trupore.
“Në Urgjencë janë sjellë A.S., 60 vjeç, me frakturë në pjesën e këmbës, R.T., 37 vjeç, me trup të huaj në regjionin e kraharorit, D.R., 12 vjeç, me trup të huaj në pjesën e femurit, O.O., 32 vjeç, me trup të huaj në zonën e gjoksit. Pas ekzaminimeve të menjëhershme mjekësore dhe trajtimit sipas protokolleve të urgjencës, pacientët janë transferuar për trajtim të mëtejshëm në Klinikën Universitare në Shkup. Spitali Klinik i Tetovës mbetet i përkushtuar në ofrimin e ndihmës mjekësore të shpejtë dhe profesionale në të gjitha rastet urgjente”, thonë nga Spitali Klinik i Tetovës.
Rasti zanafillën e ka që nga viti i kaluar dhe përleshjeve midis dy vëllezërve nga fshati Gajre dhe një familjeje nga Tetova.
Më 11 janar 2024 para Spitalit të Tetovës me armë zjarri u plagosën dy vëllezër, njëri prej të cilëve ndërroi jetë disa ditë më vonë.
Në lidhje me këtë rast, të shtëna pati edhe më 11 prill 2024, por nuk pati të lënduar.
Ndërkaq më 5 korrik 2024 mbeti i vrarë një person tjetër.
Një muaj më pas, më 24 gusht 2024 Policia e plagosi të dyshuarin e vrasjes gjatë tentimit për ta arrestuar, ai më pas ndërroi jetë.
- LEXO: Policia me detaje për vrasjen në Gajre të Tetovës: Nuk zbatoi urdhrat andaj policia e qëlloi
- LEXO: Vdiq i dyshuari për vrasjen në Tetovë, u plagos gjatë arrestimit nga policia
- LEXO: MPB për vrasjen në Tetovë: Bastisje në tri lokacione, sende të sekuestruara dhe një person i arrestuar
- LEXO: MPB: Ekzistojnë baza dyshimi për autorin e mundshëm të vrasjes në Tetovë
- LEXO: Policia me detaje për vrasjen në Tetovë
- LEXO: Krisma me armë në Tetovë, nuk ka të lënduar
- LEXO: Ndërroi jetë njëri nga vëllezërit e plagosur me pistoletë në Spitalin e Tetovës
- LEXO: Katër të arrestuar lidhur me plagosjet në Tetovë, njëri ende lufton për jetën
- LEXO: Krisma me armë para Spitalit të Tetovës, dy të plagosur