Vrasja e nëntë nxënësve në Serbi, burg për prindërit e autorit të veprës

Dënim me burg është vendimi i gjykatës për Miljana dhe Vladimir Kecmanoviq, prindërit e Kosta Kecmanoviqit, djalit që vrau nëntë nxënës dhe rojën e shkollës “Vladislav Ribnikar” në Vraçar më 3 maj 2023, transmeton Portalb.mk.

Babai, Vladimir Kecmanoviq, u dënua me 14 vjet e gjashtë muaj burg, ndërsa nëna, Miljana, u dënua me dy vjet e 11 muaj burg.

Prokuroria, në fjalët përfundimtare, propozoi që Kecmanoviqët të dënoheshin me dënimet maksimale me burg – Vladimir Kecmanoviq me 14 vjet e 11 muaj, ndërsa Miljana Kecmanoviq me tre vjet burg.

Nga ana tjetër, mbrojtja kërkoi lirimin e tyre nga akuzat, duke argumentuar se pretendimet në aktakuzë nuk janë vërtetuar, përkatësisht se të akuzuarit nuk i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Vladimir dhe Miljana Kecmanoviq u gjykuan në një procedurë të përsëritur pasi Gjykata e Apelit në Beograd urdhëroi rigjykimin dhe anuloi aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin Miljana ishte dënuar me tre vjet burg, ndërsa Vladimir me 14 vjet e gjysmë.

Pas vrasjes masive të kryer nga atëherë i mituri Kosta Kecmanoviq, nxënës në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, u iniciuan dy procese ligjore – procedura penale kundër prindërve të tij, si dhe kundër pronarit dhe instruktorit të poligonit të qitjes ku ai kishte mësuar të përdorte armën, si dhe disa procese gjyqësore për kompensimin e dëmit ndaj palëve të dëmtuara.

Prindërit e tij duhet të paguajnë rreth 3.5 milionë euro si kompensim dëmi.

Djali që qëlloi në shkollë ndodhet në një institucion psikiatrik që nga dita e tragjedisë. Megjithatë, kundër tij është ngritur një procedurë civile, pasi kjo është e vetmja kornizë ligjore në të cilën ai mund të mbajë formalisht përgjegjësi për pasojat e veprimeve të tij.

SerbiaVrasje - Ekzekutim