VMRO – Vlen po negociojnë për qeverinë e re, sinjale nga koalicione tjera për t’iu bashkuar shumicës së ardhshme

Është e sigurt se koalicioni “Vlen” është partneri i besueshëm i VMRO-DPMNE-së për qeverinë e re. Sipas matematikës për numrin e deputetëve të fituar, një palë e tretë mund të hyjë ose jo në Qeveri. Mickoski tashmë e ka dërguar BDI-në në opozitë, por partia është në pritje të rezultatit të negociatave që po i fillon mandatari, transmeton Portalb.mk.

Me takimin e sotëm të kryetarit të VMRO-DPMNE-së dhe mandatarit Hristijan Mickoski dhe liderëve të 21 partive të koalicionit “Maqedonia juaj”, nisin negociatat për përbërjen e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Mickoski nga e hëna paralajmëroi bisedime me partitë opozitare që do të gjenin pikë të përbashkët lidhjeje me VMRO-DPMNE-në me qëllim që t’u jepet mundësi të gjithëve.

“Së shpejti do të nisim negociatat për qeverinë e re të Maqedonisë me partitë opozitare. Besoj për kohë të shpejtë do ta formojmë. Sonte u dëgjova me kryetarin e Tetovës Bilall Kasamin, i cili na uroi fitoren e dyfishtë, unë atij i urova për rezultatin e jashtëzakonshëm të koalicionit Vlen. Ndërsa gjatë ditës jam dëgjuar edhe me Arben Taravarin dhe Izet Mexhitin. Presim që sa më shpejt të negociojmë”, tha Mickoski përfundimit të zgjedhjeve.

Paraprakisht, pas mbylljes së kutive të votimit më 8 maj edhe njëri nga krerët e koalicionit VLEN tha se mund të shpallin koalicionin VMRO-VLEN.

“Koalicioni Vlen është fitues absolut dhe për këtë falënderojmë diasporën, të cilët erdhën dhe bënë ndryshimin. Me këtë, ata edhe njëherë treguan se janë faktori vendimtar dhe në këtë rast ne i falënderojmë në emër të çdo vote të marrë. Ne e kthyem rezultatin në të gjitha qendrat kryesore shqiptare dhe në të gjitha vendet ku shumicë absolute kanë qenë shqiptarët. Gjithë atyre që kanë qenë të shantazhuar, të kërcënuar nga BDI, ju themi se nga nesër janë të lirë. Kjo fitore iu dedikohet shqiptarëve dhe urojmë që sa më shpejtë Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së. Nga nesër mund të shpallim koalicionin e ndryshimit VMRO-Vlen”, tha Kasami.

Sipas afateve në Kushtetutë, Qeveria duhet të propozohet më së voni deri në fund të qershorit. Ajo duhet të votohet me shumicë prej 61 deputetësh nga gjithsej 120 në Parlament.

Mickoski është i bindur se në kohë sa më të shkurtër do ta formojë Qeverinë.

Matematika në favor të VMRO-DPMNE-së

Është e sigurt se Qeveria e re do të përbëhet nga VMRO-DPMNE me 58 deputetë dhe “Vlen”, koalicioni i partive opozitare të shqiptarëve me 13 mandate parlamentare të fituara.

Sipas Mickoskit, koalicioni “Vlen” me 107.000 vota në zgjedhjet parlamentare të 8 majit është partner kredibil në Qeverinë e ardhshme.

Por Mickoski ka matematikë tjetër – ai pret që 61 deputetë të konsolidohen deri më 28 maj (kur duhet të konstituohet Parlamenti). Disa deputetë të zgjedhur në Kuvend, individë nga koalicione të tjera, tashmë kanë dërguar “sinjale” se duan të anojnë nga VMRO-DPMNE.

Në këtë mënyrë koalicionet VMRO-DPMNE dhe “Vlen” së bashku do të mund të kenë 74 apo 75 deputetë në Kuvend.

“Qëllimi ynë është që si qeveri të kemi mbështetjen e dy të tretave në parlament. Duhet të bëjmë një rindërtim në vetë qeverinë, në vetë kabinetin qeveritar, që t’u përgjigjemi nevojave të qytetarëve dhe kohëve të reja”, tha Mickoski në emisionin “Samo intervju” në televizionin Kanalin 5.

Ai tashmë e ka dërguar BDI-në në opozitë.

Kryeministri teknik Talat Xhaferi nga BDI, pas fjalimit me rastin e 100 ditëve të qeverisjes, nuk ka komentuar nëse BDI është gati për opozitë pas më shumë se 20 vitesh në pushtet.

“Do të shohim sipas përllogaritjeve se si do të jenë bisedat mes subjekteve. Unë jam kryeministër dhe jam i fokusuar në obligimet e mandatit që duhet të kryej, i cili zgjat deri në konstituimin e një mandati të ri”, tha Xhaferi më 10 maj.

Por, VMRO-ja duhet të vendosë një parim të përbashkët edhe për ndryshimet kushtetuese, duke qenë se programet parazgjedhore të VMRO-DPMNE-së dhe “Vlen” kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje.

“VMRO-DPMNE është e vetëdijshme se do të trashëgojë barrën e rëndë të qëndrimit të papërgjegjshëm të pushtetit, i cili prodhoi probleme serioze në integrimet evropiane dhe e vendosi shtetin në pozitë të nënshtruar. Në këtë kontekst, VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin e mosndryshimit të Kushtetutës nën diktatin e një shteti të tretë. Zbatimi i vonuar i amendamenteve kushtetuese është alternativë e vlefshme që është plotësisht në përputhje me praktikën e mëparshme të të gjitha shteteve, të cilat para vetë aktit të anëtarësimit të tyre në anëtarësi të plotë, zakonisht i bëjnë ndryshimet kushtetuese të nevojshme ose të kushtëzuara, ose në atë fazë hyjnë në fuqi”, shkruhet në programin e VMRO-DPMNE-së.

Lidhja Evropiane për NdryshimQeveria e Maqedonisë së VeriutVMRO-DPMNE
Comments (1)
Add Comment