VMRO-DPMNE u shfaq edhe në Serbi

Emri i partisë më të madhe në pushtet në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, ka një muaj që figuron si shoqatë (person juridik) në regjistrin e vetëm të taksapaguesve në Serbi. “VMRO-DPMNE Srbija” quhet lëvizja e cila u themelua në Beograd më 25 gusht, ndërsa më 9 shtator dorëzoi kërkesë për regjistrim, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Si përfaqësues i saj është regjistruar shtetasi i Maqedonisë Marjan Jovanoski, ndërsa si fushë në të cilën lëvizja do t’i realizojë qëllimet e saj është “promovimi dhe popullarizimi i kulturës, historisë dhe veçorive maqedonase”, tregojnë dokumentet nga regjistri serb të cilat i siguroi Radio Evropa e Lirë (REL).

Ngjashmëri mes shoqatës serbe dhe partisë në Maqedoninë e Veriut ka edhe në shenjën, e cila, siç shkruhet në statutin e lëvizjes “VMRO-DPMNE Srbija”, është “një figurë e stilizuar e një luani me një kurorë të kuqe në kokë. .”

Si VMRO-DPMNE ashtu edhe themeluesi i shoqatës për Radion Evropa e Lirë konfirmuan se partia vetëm ishte informuar para se të themelohej lëvizja serbe. Por sipas përgjigjes nga të dyja palët, kjo parti nuk qëndron pas shoqatës.

“Si parti politike jemi informuar për këtë iniciativë, për të cilën dhamë pëlqim sepse gjithmonë i kemi përkrahur angazhimet për përkrahje dhe promovim të komuniteteve maqedonase edhe jashtë Maqedonisë. Sa i përket qëllimit, u informuam se bëhet fjalë për regjistrimin e një Lëvizjeje që do t’i avancojë gjendjet ekonomike, kulturore, civile dhe politike në Maqedoni dhe në Serbi dhe do i promovojë ato”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Edhe themeluesi Jovanoski në një bisedë me REL thotë se strukturat partiake kanë qenë të njoftuara se në Serbi do të themelohet një shoqatë e tillë, por thotë se iniciativa për regjistrim është ide autoktone – personalisht e tij dhe e një grupi maqedonasish që jetojnë dhe punojnë në Serbi.

“Meqenëse ne donim që emri i Lëvizjes ta përmbajë emrin VMRO-DPMNE, e konsideruam si gjënë e duhur që të zhvillojmë një bisedë joformale me strukturat udhëheqëse të partisë VMRO-DPMNE nga Maqedonia, të cilët i konsultuam për përdorimin e emrit VMRO-DPMNE si pjesë e emrit të lëvizjes në Serbi, për çka morëm pëlqim dhe na u tha se nuk ka asnjë pengesë nga ana e tyre që ta përdorim si pjesë të emrit të Lëvizjes”, tha Jovanoski për Radion Evropa e Lirë.

Themeluesi Jovanoski është ish-punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë (MPJ), ndërsa nga muaji prill është sekretar i Këshillit Nacional të Pakicës Kombëtare Maqedonase në Serbi.

Bëhet fjalë për organe që formohen sipas Ligjit serb për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare. Këtyre këshillave, sipas shpjegimit të Мinistrisë për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe dialogut social të Serbisë, u janë besuar kompetenca publike për të marrë pjesë në vendimmarrje për çështje të caktuara të kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit të gjuhëve me qëllim për të realizuar të drejtat kolektive të pakicave.

Për momentin ka 24 të tilla, duke përfshirë këtu edhe Këshillin Kombëtar të Pakicës Maqedonase. Nga pranvera e vitit 2024 kryetare e tij është Zorica Mitroviq, e cila pastaj e emëroi Jovanoskin për sekretar.

“Jemi të hapur për bashkëpunim edhe me opsione politike”

Të dy, si përfaqësues të këshillit, kanë pasur një takim me liderin e VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër aktual, Hristijan Mickoski, një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në Maqedoninë e Veriut.

“Në takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrin e ardhshëm të Qeverisë së Maqedonisë. Ramë dakord për bashkëpunim në shumë fusha pas përfundimit të zgjedhjeve dhe mbështetje të madhe për maqedonasit në Serbi dhe Këshillin Kombëtar”, thuhet në një postim në Facebook nga data 10 prill– në faqen e Këshillit Kombëtar të Maqedonasve në Republikën e Serbisë.

Jovanoski, i cili disa muaj më vonë e themeloi “VMRO-DPMNE Srbija”, thotë se ata si lëvizje janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha opsionet politike në të dyja vendet.

“Ne si Lëvizje mbetemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe organizatat e rëndësishme kulturore, ekonomike, politike dhe qytetare në Maqedoni dhe Serbi. Të gjithë ata subjekte apo individë dashamirës në Serbi dhe Maqedoni, të cilët mund të ndihmojnë në realizimin e qëllimeve tona, janë të mirëpritur të na bashkëngjiten dhe të na mbështesin në qëllimin për ta përmirësuar pozitën e komunitetit maqedonas në Serbi”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Një spektër i gjerë qëllimesh për “VMRO-DPMNE Srbija”

Lëvizja është e regjistruar në një adresë në një ndërtesë në Beogradin e Ri, ajo ka statutin e saj që thotë se organet e saj janë Kuvendi, Këshilli drejtues dhe Kryetari.

“Qëllimet janë të përcaktuara në statutin tonë, por mund të thuhet se qëllimi ynë është promovimi, kultivimi dhe ruajtja e identitetit, zakoneve dhe traditës gjuhësore, kulturore dhe kombëtare maqedonase në Serbi”, thekson Jovanoski.

Themeluesit ende nuk kanë vendosur se cilat do të jenë aktivitetet e para të kësaj lëvizjeje në Serbi.

“Pritëm që të përfundojë regjistrimi që të mund të vazhdojmë me përgatitjen e projekteve dhe planeve të planifikuara që do t’i realizojmë në të ardhmen”, thotë Jovanoski, duke theksuar faktin se lëvizja është regjistruar zyrtarisht para më pak se një muaji.

Në statut mund të lexohen qëllime si: respektimi i të drejtave të njeriut, ruajtja e traditës maqedonase, kujdesi për kulturën maqedonase në Serbi dhe promovimi i traditës dhe zakoneve maqedonase, avancimi i marrëdhënieve maqedonase-serbe etj.

Mirëpo spektri i qëllimeve është i gjerë, kështu që krahas atyre që kanë të bëjnë me traditën maqedonase mund të vihen re edhe: “harmonizimi dhe ruajtja e sovranitetit, sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”, “lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, “llogaridhënia nga bartësit e funksioneve publike”, “vendosja e rendit në sektorin joqeveritar”, “zhdukja e varfërisë”, “liria dhe pavarësia e mediave”, “promovimi i shëndetit të kombit”, “mbrojtja e mjedisit jetësor”.

Themeluesi ka qenë diplomat nga RMV-ja në Beograd

Para se të shpërngulej për të jetuar në Beograd përfaqësuesi i “VMRO-DPMNE Srbija” ka pasur kontakte me komunitetin maqedonas në Serbi në kuadër të karrierës së tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në biografinë e tij profesionale në “Linkedin” thuhet se para 18 vitesh në Ministrinë e punëve të jashtme fillimisht ka filluar punë në zyrën e ministrit të atëhershëm Antonio Milloshoski. Sipas përshkrimit të detyrave të punës që ai i ka deklaruar në këtë rrjet social, mes të tjerash ka pasur përgjegjësi për agjendën e ministrit, organizimin e udhëtimeve, marrëdhëniet bilaterale me fqinjët etj.

Ish ministri Milloshoski, i cili tani është deputet dhe anëtar i Këshillit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka informacion për lëvizjen në Serbi e që e mban emrin e partisë së tij,si dhe as nëse partia qëndron pas saj.

Milloshoski ka qenë shef i diplomacisë nga muaji gusht i vitit 2006 deri në fund të muajit korrik të vitit 2011. Pak kohë pas largimit të tij nga MPJ, Jovanoski ka vazhduar punë në mision diplomatik në ambasadën e Maqedonisë në Beograd, ku sipas biografisë, angazhimi i tij ka zgjatur rreth tre vjet. Ai ka punuar në ambasadë edhe në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2020, pas çka është larguar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Me zgjedhjet që u mbajtën më 8 maj të këtij viti partia VMRO-DPMNE u rikthye në pushtet në Maqedoninë e Veriut pas pothuajse shtatë viteve të kaluara në opozitë. Ajo ka bashkëpunim të ngushtë dhe është një parti simotër me Partinë Progresive Serbe (SNS), nga radhët e së cilës është edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Hristijan Mickoski HristianSerbiaVMRO-DPMNE