VMRO dhe LSDM edhe sot me akuza të ndërsjella se kush është për dhe kush kundër integrimit në BE

Pas debatit të së premtes në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, përplasjet nuk kanë të ndalur midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, ata kanë vazhduar edhe sot, të dy partitë akuzojnë njëra-tjetrën se nuk janë për në BE, transmeton Portalb.mk.

VMRODPMNE-ja thotë se kryeministri – Dimitar Kovaçevski i cili vjen nga radhët e LSDM-së të mos e mbajë peng vendin për shkak të mandatit të tij, dhe se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.

“Për më shumë se një vit, Kovaçevski pretendon se VMRO-DPMNE ka pranuar amendamentet kushtetuese. Të premten u fundosën të gjitha gënjeshtrat e LSDM-së, jo vetëm që nuk kishin 80 deputetë, por nuk i kishin as 70. LSDM-ja e di që në momentin që do t’i hedhin në votim amendamentet kushtetuese do të dështojnë, prandaj po e zvarritin me shpresën se do të qëndrojnë edhe një muaj në pushtet. LSDM-ja po e largon Maqedoninë nga BE-ja me krimin, korrupsionin dhe politikën e paaftë. Zgjedhjet janë e vetmja rrugëdalje. Zgjedhje për ndryshim”, thanë nga VMRODPMNE.

Nga LSDM-ja iu përgjigjën këtij reagimi. Sipas tyre, është e qartë si dit se kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski është politikan anti-BE, njëlloj si Gruevski.

“Tani është e qartë për të gjithë: Mickoski është një politikan anti-BE. Njëlloj si mentori dhe shefi i tij Nikolla Gruevski. Gruevski e mbajti vendin të izoluar për 11 vjet, jashtë BE-së dhe NATO-s. Hristijan Mickoski nuk ka votuar për anëtarësim në NATO dhe gjatë gjithë kohës ka punuar kundër anëtarësimit në BE. Ai dëshiron që gjuha maqedonase të mos jetë pjesë e BE-së, ai dëshiron të bllokojë të ardhmen evropiane. LSDM-ja nuk do të dorëzohet, së bashku me popullin maqedonas dhe me të gjithë qytetarët që në masë të madhe duan ta shohin vendin në BE, do të luftojnë për një të ardhme evropiane dhe do të fitojnë”, thanë nga LSDM.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e djeshme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita. Më pas pati përplasje mes partive pozitë – opozitë.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Dimitar KovaçevskiEurointegrime Negociata RMV-BEHristijan Mickoski HristianKushtetuta e RMVLidhja Social Demokrate (LSDM)Ndryshime Kushtetuese RMVVMRO-DPMNE