“VLEN” prezantoi kuadrin dhe programin: Nuk do të ketë “balancues” por do të ketë ligj për përfaqësim të drejtë

Koalicioni VLEN ka mbajtur sot në Holiday Inn një konventë promovuese për kuadrot që do të marrin pjesë në pushtetin ekzekutiv. Nga programi, i cili pritet të realizohet në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe lëvizjen ZNAM, fjalime mbajtën të gjithë ministrat, duke filluar nga Arben Taravari, Izet Mexhiti, Orhan Murtezani, Fatmir Limani dhe Besar Durmishi, si dhe zëvendësministrat, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari si ministër i ardhshëm i Shëndetësisë tha se do të angazhohet për zgjidhjen e problemit me kompresorët në sallat e operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, shkarkimin e drejtorit ekonomik në çdo institucion publik shëndetësor, digjitalizimi i shëndetësisë, i gjithë sistemi shëndetësor publik dhe privat, vazhdimi i punimeve për kompletimin e spitalit në Kërçovë dhe Spitalit klinik në Shtip.

Ai tha se kjo qeveri është garantuesi i rrugës evropiane të vendit. Do të bëhen ndryshime kushtetuese dhe do të hapen negociatat me BE-në. Gjithashtu, termi 20% do të hiqet nga Kushtetuta.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami, në prezantimin e prioriteteve të VLEN-it në mandatin katërvjeçar, theksoi se VLEN si pjesë e Qeverisë së re do të realizojë pikat e programit të saj, ndër të cilat është decentralizimi i plotë lokal.

Ai po ashtu tha se në qeverisjen VMRO-VPMNE-VLEN komunat do të forcohen dhe do të jenë niveli kryesor shtetëror, në aspektin e investimeve, administratës, rendit civil dhe shërbimeve publike.

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i ardhshëm i Ekologjisë, Izet Mexhiti, premtoi se balancuesi do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë.

“Balancuesi do të zëvendësohet me një ligj të drejtë të përfaqësimit. “Me këtë zgjidhje përfaqësimi i drejtë do të bëhet obligim ligjor”, tha Mexhiti.

Në programin e qeverisë është edhe heqja e balancuesit. Kandidati i propozuar nga VLEN-it për ministër të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha se VLEN-it ka programin e vet të qartë për zhvillim ekonomik, ky program është i përfshirë edhe në programin e Qeverisë së re. Ai tha se me qeverinë e re po fillojmë një proces të ri të zhvillimit dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Hristijan Mickoski më 18 qershor në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar përbërjen për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut e cila do të përbëhet nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM. Pritet që seanca parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së re të filljë të nesër (22 qershor 2024), dhe të përfundojë më së voni deri në mesnatën e së dielës (23/24 qershor 2024).

Qeveria e Maqedonisë së VeriutVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)