Vjeshta e larmisë dhe e zhurmës

Do të vijë vjeshta me flladin dhe shirat. Gjethet do ta zhveshin petkun e gjelbër dhe do ta përqafojnë tokën në vallëzimin e tyre të fundit. Do të shkurtohet dita e do të zgjatet nata. Do të rikthehen kujtime e trishtime për gjërat e humbura ose të largëta. Vetmitarët do të shijojnë muzikën e valëve dhe të pulëbardhave buzë plazheve të zbrazura.

Vjeshta sërish do t’i frymëzojë artistët, sepse “është më shumë stinë e shpirtit sesa e natyrës” (Nietzche). Van Gogh-ut nuk i mjaftonin ngjyrat që ta vizatonte bukurinë e kësaj stine. Poetët i krahasuan stinët e vitit me stinët e jetës, siç bëri edhe Shekspiri me sonetin 73.

“Ti sheh tek unë atë stinë të motit / Kur gjeth’ i verdhur zë e bie përdhé / Nga degët që tani dridhen së ftohtit,/ Ku zogjtë më s’ia thonë as bëjnë̈ fole. // Ti sheh tek unë ngrysjen e një dite / Që perëndon e fiket pak nga pak, / Gjersa vjen terri, që ti nuk e prite, / Me eternen prehje si të fundmin cak.  // Ti sheh tek unë një zjarr tek zvogëlohet / Mbi hirin që nga pas rinia la, / Gjersa në shtrat të vdekjes dorëzohet / Kur me se të ushqehet më nuk ka. // Prandaj edhe më fort, gjithë ankth e frikë, / Ti dashuron dikë që shpejt do t’ikë.” (Përktheu: Soneta Barxhaj).

Për Albert Camus-in, “vjeshta është pranverë të dytë ku çdo gjethe bëhet lule”, kurse John Keats-i e quajti “stinë e mjegullave dhe e frytshmërisë së shkëlqyeshme”.

Vjeshta i frymëzoi edhe poetët shqiptarë. Migjeni e shkroi  “Vjeshta në parakalim”, kurse poezitë e Frederik Reshpjes janë plot imazhe vjeshte…

Vjeshta mund të vijë edhe me zhurmën që i mbyt tingujt magjiplotë të violinave të saj. Mund të vijë me skema e klishe të njëjta për qëllime të ndryshme. Me guelfë e gibelinë. Me kainë e abelë. Me një palë që e mbron të fituarën dhe me palën tjetër që synon të rikthejë të humburën. Me optimistë që flasin për të ardhmen e ndritur dhe me pesimistë që flasin për të ardhmen e zymtë. Me fjalime për djaj e shenjtorë, për ndershmëri e pandershmëri, për të aftë e të paaftë, për largpamës e shkurtpamës.

Heshtja do të mbetet vetëm për poetët dhe mendimtarët, të cilëve nuk ua var askush. Le të merren ata me qiellin, me fantazmat, me hijet dhe obsesionet e tyre…

Pushimet verore kanë përfunduar. Prijësit e kanë shijuar kënaqësinë e verës në vilat e bukura. Tani janë më të kthjellët dhe të mbushur me energji për ta shpërndarë zhurmën e re.

Loja mund të fillojë… Duhet të përligjen privilegjet. Duhet të trandet mali për lindjen e një miu.

Rolet janë zëvendësuar. Sistemi ka mbetur i ngrirë. “Mjerë të humburit!”. Të humbur nuk janë as ata që sulmojnë dhe as ata që mbrohen. Të humbur janë ata që mashtrohen nga përrallat artistikisht të dobëta dhe politikisht të leverdishme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu