Vijojnë mashtrimet, MPB-ja thirrje qytetarëve të mos bien pre e mesazheve të rreme nga “Qyteti i Sigurt”

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka regjistruar sulme fishing që kryhen përmes mesazheve të rreme SMS, e-maileve, faqeve të internetit, aplikacioneve mobile dhe mesazheve në rrjetet sociale. Për këtë arsye, MPB-ja u bën apel qytetarëve të mos hapin mesazhe të rreme, që pretendohet se janë dërguar nga “Qyteti i Sigurt”, dhe të mos ndajnë të dhëna personale, transmeton Portalb.mk.

Sipas MPB-së, mesazhet e rreme pretendohet se vijnë nga “departamenti i automjeteve”, si njoftim nga sistemi “Qyteti i Sigurt”. Në to përfshihet një link i rremë, përmes së cilës qytetarët ridrejtohen për të kryer pagesën e një gjobe të pretenduar për kundërvajtje në trafik.

“U bëjmë apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të internetit, të mos hapin linqe dhe mesazhe të dyshimta, të mos ndajnë kurrë të dhëna personale, si numrat e kartave bankare, fjalëkalimet ose identifikuesit personalë përmes kanaleve të paautorizuara, të kontrollojnë adresën e dërguesit dhe të përdorin autentifikimin me dy faktorë (2FA) për mbrojtje shtesë të llogarive të tyre”, thonë nga MPB-ja, duke shtuar se institucionet dhe kompanitë zyrtare përdorin domene zyrtare.

Qytetarët duhet t’i raportojnë të gjitha mesazhet e dyshimta tek institucionet kompetente ose në bankën përkatëse.

Nga MPB-ja informojnë se njoftimet SMS për një kundërvajtje të kryer duhet të vijnë nga dërguesi “MVR-SC”. Teksti duhet patjetër të përmbajë targën e automjetit që ka kryer kundërvajtjen dhe një link në formatin “https://safecountry.mvr.gov.mk…”.

“Sektori për Kriminal Kibernetik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme vazhdon me hetime aktive dhe ndërmarrjen e masave për zbulimin dhe sanksionimin e autorëve të këtyre llojeve të mashtrimeve”, deklarojnë nga policia.

Ndryshe, në RMV qytetarët vazhdimisht pranojnë mesazhe të rreme me mashtrime për vjedhjen e të dhënave personale.

Autoritetet edhe më parë kanë bërë thirrje që qytetarët të mos klikojnë në linqe të panjohura dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare përmes mesazheve të tilla.

GjobaMashtrime online - vjedhje e te dhenave personaleMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Qyteti i Sigurt safe city