Videoja e manipuluar me imazhin e ish kancelares gjermane Merkel

Në një video që po qarkullon në internet, me titull “Merkel trondit botën- shqiptarët janë populli më i bekuar në Evropë”, pretendohet se ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë fjalë lavdëruese për shqiptarët. Në video duket Merkel me sy të lagur, me një flamur shqiptar në duar. Videoja shoqërohet me emocione të forta dhe pamje që synojnë të manipulojnë publikun kinse Merkel ka qarë dhe është mbështjellë me flamurin e Shqipërisë, shkruan Sbunker.

Narratorja pretendon se deklaratat janë dhënë në forumin ekonomik botëror, në një diskutim për sfidat e demografisë dhe fuqisë punëtore. Por nuk jepet kurrfarë konteksti, nuk përmendet vendi as data kur është mbajtur ky forum.

“Kur bëjë një analizë për përgjithshme shoh një komb me pasuri të pashoqe kulturore dhe njerëzore. Ata kanë diasporën më të suksesshme kudo që shkon në Europë apo Amerikë has në shqiptarë të suksesshëm, mjek të shquar e shkencëtarë”, citohet kinse ka thënë Merkel, që sipas videos ka nxitur reagime të mëdha tek politika e gjermane, por mbështetje në Kosovë e Shqipëri. Kanali që e ka publikuar ka edhe video të tjera me përmbajtje dezinformuese e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.

Analiza dëshmon se videoja është e prodhuar me inteligjencë artificiale (deepfake). Nuk ka asnjë burim të verifikueshëm që Angela Merkel ka bërë deklarata të tilla pas pensionimit të saj. Asnjë fjalim i Merkel në arkiva zyrtare (Bundesregierung Archive) nuk përmban këto fraza. Shembuj realë fjalimesh publike janë të postuara aty (p.sh. fjalimi i Merkel në Parlamentin Evropian në flasin për tema evropiane, klimatike, të drejta themelore — pa referenca specifike për shqiptarët me tone patriotike).

Simbolet e përdorura në video tregojnë teknika të manipulimit emocional. Merkel me sy të përlotur përpiqet të përcjellë dhimbje empatie, ndërsa flamuri shqiptar në duar përforcon narrativën se ajo është solidare me shqiptarët. Këto gjeste vizuale janë të tipit teatral dhe shpesh përdoren për të shpërndarë versione të përpunuara të personave publikë.

Videoja ka marrë mijëra shikime, me qindra pëlqime dhe komente pozitive duke i marrë si faktike deklaratat e Merkel. Shumë persona kanë shpërndarë videon pa e verifikuar, duke e interpretuar si fakt të vërtetë dhe duke e promovuar në forume dhe rrjete sociale si dëshmi që Evropa ka empati për shqiptarët.

Por ky është një shembull i qartë i dezinformatave moderne të cilat bëhen me fotomontazhe, prodhime AI, dhe përdorim të emocioneve për të ndikuar opinionin publik. Kur përdoren figura politike si Merkel për të përkrahur një kauzë që nuk e kanë deklaruar kurrë, tentohet të krijohet narrativë e ndaj kundërshtarëve politikë, ashtu siç përmendet në video, gjoja deklaratat e Merkelit kanë shkaktuar “tërmet” në Gjermani.

DisinfohubInteligjenca Artificiale (IA)Propagandë - ManipulimSbunker