Vetëm një në tre qytetarë në Maqedoninë e Veriut është i kënaqur me transparencën e procesit të vendimmarrjes në komunën ku jeton, këtë e tregojnë rezultatet e hulumtimit të realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” Shkup (IDSCS). Të dhënat nxjerrin në pah se, megjithëse qytetarët shfaqin interes për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse, pjesëmarrja e tyre vazhdon të mbetet e kufizuar, kryesisht për shkak të mungesës së informimit dhe konsultimeve publike, shkruan Portalb.mk.
Sipas rezultateve, kënaqja me transparencën e vendimmarrjes komunale varion nga 22% në Bogovinë deri në 42% në Strumicë. Në Gazi Babë të kënaqur janë 37%e të anketuarve, në Kumanovë 36%, në Shkup 36%, në Shtip 35% dhe në Manastir 34%.
Kur bëhet fjalë për mënyrën se si informohen për vendimet dhe politikat e komunës, qytetarët deklarojnë se burimet kryesore të informimit janë televizioni dhe rrjetet sociale. Ndërkohë, më së paku përdoren kërkesat personale për informata dhe tabelat e shpalljeve, çka tregon se kanalet tradicionale të komunikimit me administratën lokale kanë ndikim të kufizuar.
Edhe qasja në informacion mbi punën e komunave nuk perceptohet si e lehtë. Në Gazi Babë, 43% e qytetarëve vlerësojnë se kanë qasje të lehtë në informacione si vendimet dhe analizat komunale. Kjo përqindje është 33% në Kumanovë dhe Shkup, 31% në Shtip, 27% në Bogovinë, 20% në Strumicë dhe vetëm 16% në Manastir.
Rezultatet tregojnë gjithashtu se një pjesë relativisht e vogël e qytetarëve kanë kërkuar ndonjëherë informacion ose vendime përmes faqes zyrtare të komunës. Përqindja më e lartë është regjistruar në Gazi Babë me 31%, pasuar nga Shkupi me 24%, Kumanova me 22%, Bogovina me 17%, Manastiri me 14% dhe Strumica e Shtipi me përkatësisht 12%.
Sa i përket gatishmërisë për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse, rezultatet tregojnë dallime të konsiderueshme ndërmjet komunave. Interesimin më të madh e kanë shprehur qytetarët e Bogovinës, ku 67% deklarojnë se do të dëshironin të merrnin pjesë në konsultime, forume komunale apo dëgjime publike. Në komunat e tjera kjo përqindje është dukshëm më e ulët: 32% në Gazi Babë, 25% në Kumanovë, 23% në Shkup, 22% në Manastir, 19% në Shtip dhe 16% në Strumicë.
Megjithatë, pavarësisht këtij interesi, shumë pak qytetarë thonë se janë ftuar ose informuar për konsultime publike apo diskutime të organizuara nga komunat. Përqindja më e lartë është regjistruar në Bogovinë me 23% , ndërsa në Gazi Babë dhe Kumanovë vetëm 11% e qytetarëve kanë marrë ftesë të tillë. Në Strumicë kjo përqindje është 8%, në Shtip 7%, ndërsa në Shkup dhe Manastir vetëm 6%.
Nga ana tjetër, shërbimet digjitale komunale duket se përdoren më gjerësisht. Mbi dy të tretat e qytetarëve në të gjitha komunat e përfshira në hulumtim deklarojnë se kanë përdorur të paktën një shërbim komunal në mënyrë elektronike. Përqindja më e lartë është regjistruar në Manastir me 82%, pasuar nga Bogovina me 79%, Shtipi me 77%, Kumanova dhe Strumica me nga 76%, Gazi Baba me 70% dhe Shkupi me 69%.
Të dhënat sugjerojnë se, megjithëse komunat kanë bërë përparim në ofrimin e shërbimeve digjitale, transparenca, qasja në informacion dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen lokale mbeten sfida të rëndësishme për shumicën e njësive të vetëqeverisjes lokale.
Instituti për Demokraci “Societas Civitas” së fundmi botoi edhe një hulumtim tjetër lidhur me besimin e qytetarëve në institucione, sipas rezultateve, gjyqësori dhe Prokuroria Publike vazhdojnë të mbeten institucionet me besim më të ulët me 3.5% dhe 3.6%, ndërsa qytetarët besim më të lartë kanë ndaj ushtrisë (6%) dhe bashkësive fetare (5.9%). Besimi në parlament u rrit simbolikisht nga 4.6 në 4.8%.