Karriera muzikore e ndërtuar me durim, zgjedhje të vetëdijshme dhe refuzim të kompromiseve të shpejta është boshti mbi të cilin Vesa Luma ka ecur prej vitesh. Nga momenti kur muzika u shndërrua në vendim serioz jetësor, te përballja me trendet, klikimet dhe industrinë e sotme, ajo ka ruajtur një identitet të qartë artistik, duke vënë në plan të parë këngën, emocionin dhe lidhjen me publikun. Për këto etapa, dilema dhe pjekurinë muzikore që e shoqëron sot, Vesa Luma foli më gjerësisht në një bisedë për Portalb.mk, ku ndau reflektime për rrugën e saj artistike, sfidat e tregut muzikor dhe fazën artistike aktuale
Portalb.mk: Kur e ktheve për herë të parë muzikën nga pasion në vendim serioz për jetë?
Vesa Luma: Për herë të parë nëse mund të them e kam kthyer muzikën nga pasioni në vendim serioz për jetë, pas ‘Etheve të së Premtes Mbrëma’ ku isha pjesëmarrëse. Gjithsesi, unë do ta vazhdoja muzikën edhe si këngëtarët e tjerë që nuk kanë marrë pjesë në “Ethe”, dhe besoj se prapë do të isha këtu ku jam sot. Por “Ethe” ka qenë një audicion, dhe unë nuk e dija si do të vijonte, sepse nuk e dija nëse fillimisht do të vlerësohesha nga profesionistët, e pastaj nga publiku. Dhe kur e mora vlerësimin maksimal nga profesionistët, por edhe dashurinë e publikut, atëherë e kuptova që muzika është vendim serioz për jetën time edhe këtë talent që më ka dhënë Zoti duhet ta shfrytëzoj për të dhënë emocione të bukura për njerëzit edhe pse jo të jetë element thelbësor i karrierës time.
Portalb.mk: Në rrugën tënde, çfarë ka peshuar më shumë, talenti apo këmbëngulja për të mos u dorëzuar?
Vesa Luma: Në rrugën time, pavarësisht përveç talentit ka qenë këmbëngulja. Unë si fëmijë kam qenë këmbëngulëse, sidomos sa i përket muzikës, fillimisht te prindërit e mi, pastaj në çdo eveniment ku kam qenë pjesëmarrëse. Pastaj edhe gjatë kohës si e rritur, si e re, këmbëngulja dhe puna kanë qenë faktor thelbësor. Përndryshe talent mund të kesh, por nëse nuk ke ambicie pune dhe këmbëngulje, ai talent thjesht mund të jetë një ëndërr në sirtar.
Portalb.mk: A ka pasur momente kur ke refuzuar rrugë të shkurtra për të ruajtur veten si artiste?
Vesa Luma: Ka pasur momente nuk mund të them që nuk ka pasur momente, kam refuzuar rugë të shkurtra patjetër. Unë mundem me thënë që gjatë gjithë karrierës time jam munduar ta bëjë një balanc, kur them blanc është që në një anë të ruaj imazhin tim si artiste, imazhin e familjes time, që e kam pasur gjithmonë shumë të rëndësishme. Por në anën tjetër të jem edhe në hap me kohën. Dhe kjo më besoni është shumë shumë më e vështirë se sa të zgjedhësh disa rrugë të shkura që ndoshta të pasurojnë më shpejtë, apo të bëjnë të arrish në një pikë të caktuar të karrierës. Por gjithmonë nëse do të më kishte pyetur ndonjë këngëtarë i ri, apo ndonjë talent i cili do të merret me muzikë, unë do t’ua sugjeroja patjetër të mbajnë një balanc dhe këto rrugët e shkurta t’i konsiderojnë pak më gjatë.
Portalb.mk: Sa e vështirë ka qenë të mbrosh identitetin tënd muzikor përballë trendeve?
Vesa Luma: Ka qenë e vështirë por gjithmonë kame ecur me hapin e trendit, nuk kam qenë fanatike, ose me të thënë të drejtën nuk është se e kam pasur luksin të bëjë vetëm muzikë që më pëlqen mua dhe pikë, patjetër që unë kam pa se çka është ‘in’, edhe çka është e trendit e momentit dhe pastaj në bazë të trendit unë jam munduar përmes muzikës time, duke e ruajtur identitetin tim muzikor ta krijoj në këtë trend, të gjithin që ka qenë. Dhe mendoj që kam krijuar shumë hite që të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë luhen e këndohen nga të gjithë, pavarësisht moshës dhe pavarësisht sa kohë ka kaluar dhe kjo mendoj që është suksesi më I madh i imi.
Portalb.mk: Si e sheh muzikën sot, më shumë si art apo si produkt të shpejtë për klikime?
Vesa Luma: Sot mund të them që jam me fat, sepse kur ne krijonim muzikë, kënga kishte tekst, kishte melodi, kishte gjithçka ishte një kohë tjetër. Sot është krejt e kuptueshme që kohërat kanë ndryshuar. Edhe këngëtarët, edhe menaxherët e klubeve apo organizatorët e koncerteve, shpesh bazohen te klikimet. E kur gjithçka matet me klikime, bëhet më e vështirë të ruash artin brenda asaj që krijon po flas për trojet tona. Po të ishim jashtë vendit, pa dyshim tregu do të ishte më i madh. Gjithsesi do t’i kishe fansat e tu, dhe atëherë do të kishe mundësi të bëje muzikë për qejfin tënd, siç e ndjen ti, pa e pasur atë brengën e klikimeve. Por, sinqerisht, ky nuk është problem vetëm këtu është gjithandej. Jo vetëm klikimet, por edhe TikToku dhe rrjetet sociale në përgjithësi, sot shpesh ta “dirigjojnë” rrugën drejt suksesit. Prandaj e konsideroj veten me fat që karrierën time e kam zhvilluar në një kohë tjetër: kur këngët realisht dëgjoheshin, këndoheshin, dhe njerëzit i ndienin emocionet e tyre.
Portalb.mk: Sa nga këngët e tua janë histori personale dhe sa janë kompromis me industrinë?
Vesa Luma: Kompromise me industrinë nuk është se kam bërë, nëse mund të them kompromis, nëse kam bërë ndonjë këngë e cila nuk është se kam dashur ta bëj 100%, ka pas edhe nga ato këngë, por nuk do ta kisha quajtur kompromis me industrinë. Por histori personale, duke qenë se tekstet i kam bërë shumicën vet, ka pasur disa prej tyre, por nuk i them dhe nuk besoj që do t’i them ndonjëherë. Disa nga këngët më të dashura nga publiku kanë edhe histori personale prandaj.
Portalb.mk: A ke refuzuar ndonjë këngë që mund të ishte hit, por që s’të përfaqësonte?
Vesa Luma: Po. Kam refuzuar jo një, por shumë këngë që mund të kishin qenë hite. Por thjesht energjia nuk më përshtatej. Dhe nëse unë nuk e ndiej një këngë, atëherë pavarësisht sa “hit” mund të tingëllojë nuk mund ta marr dhe ta realizoj. Kjo më ka ndodhur edhe me kompozitorë shumë të mëdhenj, që kanë krijuar enkas për mua, duke e pasur parasysh se unë mund ta kthej një këngë në hit. Por nëse nuk më ka pëlqyer, nuk e kam marrë. Komunikimi ka qenë shpesh i vështirë kur refuzon njëra palë apo tjetra, mes nesh shqiptarëve, por falë Zotit kjo pjesë sot është tejkaluar. Tashmë gjithçka është më e lehtë dhe më e thjeshtë për këngëtarët e tjerë.
Portalb.mk: Si e sheh fenomenin e “yjeve” që krijohen brenda natës në krahasim me karrierat e ndërtuara me vite?
Vesa Luma: Shumica krijohen brenda natës dhe unë nuk kam asgjë kundër kësaj, gjithkush i ka 15 minutat e famës, gjithkush ka momentin e tij apo të saj, është një moment kur shpërthen, por ajo çka është më e rëndësishme është ta mbash konsistente karrierën. Kjo është shumë e rëndësishme, por nëse yjet krijohen brenda natës dhe janë kryesisht talentët të cilët meritojnë të dalin në dritë, atëherë unë skam asgjë kundër, gjithmonë jam treguar shumë e hapur i kam mbështet të gjithë artistët e rinj, sa herë dikush ka pasur nevojë për mbështetjen time. Por respekt maksimal për ata që kanë konsistencë në punën e tyre.
Portalb.mk: A mendon se sot nuk vlerësohet mjaftueshëm muzika e mirëfilltë dhe publiku po mësohet gjithnjë e më shumë të konsumojë produkte të shpejta, si mund të përmirësohet kjo?
Vesa Luma: Nuk e di sa dhe si mund të përmirësohet muzika e mirëfilltë, apo si mund të edukohet publiku me muzikë të mirëfilltë e jo me produkte të shpejta. Sepse nuk mund ta mbajmë me zor diçka që, në njëfarë mënyre, i ka ikur koha. Sot, edhe vetë njerëzit e kanë shumë të vështirë të ndalen e të dëgjojnë me vëmendje të dëgjojnë dhe ta ndjejnë një tekst. Është një kohë shumë e shpejtë. Njerëzit kanë halle më të mëdha dhe, nëse nuk u ofron diçka që i bën të ndalen, që t’i prekë thellë si me “thikë në zemër” atëherë çdo përpjekje mbetet e kotë. Por kjo nuk vjen rastësisht. Kjo bëhet me plan, me menaxhment të mirë, ashtu siç ndodh në çdo vend të botës.
Portalb.mk: Çfarë faze artistike po jeton sot Vesa Luma dhe çfarë po vjen më pas?
Vesa Luma: Fazë shumë të qetë në sensin që e di çka dua. Jam shumë e lumtur që këngët e mija po jetojnë dhe po rikthehen, sepse thash edhe më herët është një fat që sot ka tendencë me u rikthye këngët më të vjetra, për shkak se këngët e reja nuk kanë shumë jetëgjatësi. Dhe unë vazhdoj, fitoj, bëj koncerte me këngët e mija të cilat janë pothuajse të gjitha hite. Gjithashtu kam ndryshuar konceptin, kam dy vite apo tre evite që nuk bëjë koncerte nëpër klube, por marr pjesë nëpër koncerte evenimente që janë të krijuara posaçërisht për mua. Dhe mendoj që kjo ka ardhur si pasoj e një pjekurie artistike nga ana ime që mendoj që ju vjen edhe shumë artistëve të tjerë. Edhe mendoj që është koha, është koha që edhe publiku ta kuptoj që Vesa është rritur, nuk është më Vesa e klubeve, të cilat mund të dalësh të këndosh 5-6 këngë edhe të kthehesh në shtëpi. Dua t’i ofroj publikut më shumë sepse e meriton, meqenëse është një publik që më ka dashur më ka përkrahur isha apo nuk isha këtu ku jam, dhe prandaj e meritojnë që çdo vit të jem më serioze dhe më e aftë profesionalisht për t’i dhënë publikut tim emocione.